E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patriotët e Prishtinës dhe tradhtarët e Mitrovicës

NEXHMEDIN SPAHIU

Raportet kryeqytet-provincë
Në një tubim ndërkombëtar më rastisi të jem i pranishëm në bisedën mes një gazetareje serbe nga Beogradi dhe një gazetari serb nga Kosova. Gazetarja nga Beogradi e pyeti se sa fëmijë ka. Katër, u përgjigj gazetari serb nga Kosova.  Ou, shumë pak. Ju serbët në Kosovë duhet të keni shumë fëmijë që tua kaloni shqiptarëve. Po gruaja ime nuk lind dot më. Ma jep një fëmijë tënden ta adaptoj dhe do ta rris në Kosovë, tha gazetari. Jo, unë jam divorcuar nga burri sepse nuk desha që të kem fëmijë për ta ruajtur estetikën e trupit tim, iu përgjigj gazetarja nga Beogradi.
Kjo, si duket, është logjika e kryeqytetasve që kanë paturpësinë të kërkojnë sakrificë nga provincialët, ndërkohë që vetë nuk bëjnë as minimumin.
Mungesa e patriotizmit
Menjëherë pas luftës në Kosovë, kur shqiptarët në Veri të Kosovës u ballafaquan me terrorin e strukturave të shtetit serb, thirrja e të gjithë politikanëve dhe opinionit publik në Prishtinë ishte: Mos i lëshoni vatrat tuaja! Mos i shisni pronat tuaja në Veri të Kosovës!. Ndërkohë që në Prishtinë bënin kokrrën e sefasë duke lëshuar me qira shtëpi dhe banesa ndërkombëtarëve të shumtë dhe duke hapur lokale e restorante për ta. Harronin se e gjithë kjo prani e madhe e ndërkombëtarëve, nga të cilët ata po përfitonin, ishte pikërisht për shkak të problemeve me Veriun e Kosovës. Nuk kujtoheshin që të paktën një sasi të vogël të përfitimeve të qirasë ta investonin duke blerë një pronë në Veri të vendit. Madje këtë nuk e bënë as politikanët më të zëshëm me fjalorin patriotik që përfituan goxha pasuri viteve të fundit. Le që nuk denjuan të blejnë prona me çmime shumë të lira (krahasuar me Prishtinën) nga serbët në Veri, por as edhe nga shqiptarët kur ata filluan tua shesin serbëve.
Shërbimet inteligjente serbe dhe politika kosovare
Çfarë domethënie inkurajuese do të kishte për banorët në Veri të Kosovës nëse do të përhapej lajmi se Kryeministri i Kosovës, filan ministri, filan gjenerali, filan biznesmeni, filan artisti etj., ka blerë pronë në Veri të Kosovës?!
Po përse kjo nuk ndodh? Nuk ndodh për shkak të mungesës së patriotizmit.
Ndërsa patriotizmi mungon ngase ai nuk çmohet në Kosovë. Pikërisht për këtë shërbimet inteligjente serbe e drejtojnë jetën politike në Kosovë.
Ato pak raste të demonstrimit të patriotizmit kosovar e pësojnë dhe të tjerët tremben.
Pikërisht atëherë kur deputeti me stazhin më të gjatë në Parlamentin e Kosovës, Ramadan Kelmendi, ndërtoi shtëpi në Veri të Mitrovicës nuk u zgjodh më deputet. Ndërsa e njëjta gjë i ndodhi deputetit Naim Rustemi në momentin që nuk pranoi tua shesë serbëve shtëpinë në Veri te Mitrovicës.
Ndërkohë, ata shqiptarë që ua shitën pronat e tyre qeverisë së Serbisë në Veri të Kosovës rezultuan të kenë sukses në politikën kosovare. Kjo shpjegon se në çmasë shërbimet inteligjente serbe e drejtojnë politikën kosovare.
Zmbrapsja më e madhe e institucioneve të Kosovës nga Veriu i saj ndodhi pikërisht pasi autoritetet kosovare mbyllën Televizionin e Mitrovicës (31.12.2007). U desh një vit që TV Mitrovica ti humbë gjyqet një pas një në Kosovë, për ta fituar rastin në panelin e Kombeve të Bashkuara dhe për tu rikthyer. U rikthye TV Mitrovica, por nuk u rikthyen institucionet kosovare që ishin në Veri. Kështu, dikush apo shumëkush i kreu punë Beogradit brenda natës. Tani në TV Mitrovica mund të këndojnë me çifteli dhe ta vajtojnë Kosovën sa të duan, por institucionet kosovare nuk po arrijnë të kthehen në Veri.
Makro dhe mikropolitika kosovare
Fatbardhësia e Kosovës qëndron në atë se makropolitikën e Kosovës e udhëheq Amerika, sado që shërbimet inteligjente serbe po na e udhëheqin mikropolitikën. Amerika nuk mund ta mbulojë çdo vrimë të Kosovës se ka mjaft telashe të tjera në botë. Derisa të jetë kështu, gjithmonë do të duket sikur Amerika po i imponon gjërat në Kosovë, siç është rasti me flamurin e Kosovës.
Në fakt, sikur të mos ishte operacioni i shërbimeve inteligjente serbe për djegien e flamurit të propozuar nga Ibrahim Rugova, amerikanët nuk do të kishin telashe ta bëjnë Kosovën me flamur duke u parë ky si një imponim, sepse Kosova do ta kishte natyrshëm flamurin e vetë kombëtar atë të propozuar nga Presidenti i saj Rugova.
Kjo situatë nuk ka ilaç tjetër pos që të ngrihet vetëdija patriotike e shqiptarëve të Kosovës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›