Integrimi u shërben qytetarëve, jo politikës
BE-ja si replikë e shtetit-komb
Pesë kolonat bazë të zhvillimit politik në Europë janë: shtetformimi, zhvillimi kapitalist, kombformimi demokratizimi e sistemi i mirëqenies sociale. Vetë procesi i integrimit europian mund të konsiderohet si faza e gjashtë e këtij zhvillimi, ku pjesë bazike është trajtimi i kufijve, bërja e ribërja e tyre drejt një sistemi politik shumë më të hapur e racional që, ndryshe nga sistemi vestfalian, është në thelb një lloj çintegrimi. Me këtë sy, procesi i anëtarësimit mund të shihet si një dinamikë integrimi-çintegrimi, e krahasuar me atë të formimit të shtetit-komb. Kanë qenë pikërisht dobësitë e këtij shteti-komb në shmangien e luftërave shkatërrimtare apo menaxhimin e drejtë të konkurrencës ekonomike, që nxitën krijimin e një bashkimi shtetesh-kombe (BE-së), ndërkohë që paaftësia ushtarake u mënjanua nga një bashkim tjetër (NATO-ja). Këto dy strukturime të mëdha dhe proceset integruese në to i kanë përqafuar në mënyrë masive që në fillimet e tranzicionit, politika e qytetari shqiptar. Veçse, aktualisht, integrimi europian, si një fazë e gjashtë, po eklipsohet jo pak nga një fazë e shtatë nga globalizimi. Është ky i fundit që po provokon dita-ditës erozionin e kufijve tej nivelit europian. Por, ka një dallim, integrimi europian ka të bëjë me zhvendosje, lëvizje e ndërtim kufijsh, ndërsa globalizimi është më tepër një çështje transcendence e kufijve, e kapërcimit të tyre, shoqëruar edhe me krijimin e qendrave të reja globale të qeverisjes. P.sh., kufijtë e ndërtuar në nivel europian nuk ofrojnë mbrojtjen e duhur ndaj prodhimeve kineze; bile, në tërësi, konkurrenca në nivel global i ka tejkaluar kufijtë e sapondërtuar të BE-së.
Edhe pse në strukturimin e saj BE-ja e ka tejkaluar shtetin-komb, deri duke lëvizur kufij të ndryshëm (ekonomikë, ushtarakë, kulturorë etj.), ajo po krijon replikën e tij, duke dimensionuar veçori të tilla të shtetit-komb si: njëfarë shtetformimi, aftësi e cilësi demokratike, kapacitete shpërndarëse (pavarësisht që, në erën e globalizimit, shteti i mirëqenies sociale po e humbet shëndetin e vet). Këtu përfshihen dhe mjaft probleme legjitimiteti në nivel europian (në fakt, të deficitit të legjitimitetit) apo të së ardhmes së demokracisë parlamentare europiane. Në shumicën e rasteve, vendimet në nivel europian bazohen në vullnetin e qeverive kombëtare. Për këtë arsye. Europa ka nevojë për më tepër demokraci për të legjitimuar veten. Por, dhe shqiptarët për më shumë miq brenda Europës. Sidoqoftë, në një të ardhme të afërt, legjitimiteti i shtetit-komb nuk do të garantojë dot legjitimitetin e BE-së, sepse vetë reformimi e strukturimi i BE-së po e kufizon në vazhdimësi atë. Pra, shteti-komb (ende me legjitimitet të vetin) dhe BE-ja (me legjitimitet më tepër të qeverive kombëtare) janë dy faza zhvillimi në një proces permanent të prishje – ndërtimit të kufijve të llojllojshëm. E thënë ndryshe, duhet të merren parasysh efektet e njëkohshme të lëvizjes së kufijve në shtetet-kombe anëtare dhe të ndërtimit të kufijve të rinj në nivel europian. Dhe, për këtë duhet të përgatitet (pse jo dhe të përfitojë) jo vetëm politika shqiptare, por dhe qytetari shqiptar, sidomos në Shqipëri e Kosovë.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, ndryshe nga SHBA si superfuqi globale, në një formë gati klasike të një shteti-komb, BE-ja është një strukturë e re makro-politike e qeverisjes, me mjaft dobësi të brendshme, me një politikë monetare ende pa politikë fiskale. Në mjedis ndërkombëtar të qetë këto dobësi janë të kapërcyeshme, por jo në situata krize. Madje, një Europë e Bashkuar përballë një krize ushtarake ka nevojë të sillet si një shtet unitar me kufijtë e vet! Një evolucion i tillë duhet kuptuar. Bile, çështja më e rëndësishme për qytetarin shqiptar, ashtu si çdo qytetar europian, është të kuptuarit e procesit të integrimit në përputhje me rolin dhe interesat e tij, qofshin ato të natyrës politike-ekonomike, social-kulturore, territoriale, grupore apo elektorale. Po ashtu, në lidhje me anëtarësimin europian, ai duhet të bëjë dallimin midis projektit, procesit e produktit të integrimit. Sepse projekti i integrimit u referohet përpjekjeve të intelektualëve, elitave politike e lëvizjeve masive për të krijuar një ndërveprim e ndërlidhje, njëfarë politike europiane që duhet kuptuar e ndjerë, pse jo, dhe për të kontribuuar. Kurse procesi i integrimit europian i referohet bashkimit të shteteve-kombe të Europës në një sistem më të integruar ekonomik, legal e politik, duke mishëruar anët më pozitive në trajektoren e ndryshimit pas kolapsit të Perandorisë Romake (që nga qeverisjet në kuadër të polis-it, perandorisë, regnum-it, shtetit absolut, monarkisë kushtetuese) dhe ndërtimit të shtetit modern, duke kombinuar më mirë perspektivat e ndryshme të natyrës makro e mikro. Së fundi, produkti i integrimit i referohet rezultatit të këtij procesi, ndërtimit të institucioneve, politikave, legjislacionit e praktikave konkrete të BE-së bazuar në parimet kryesore demokratike, në përfshirjen dhe zbatimin e të cilave kërkohet punë e angazhim tërësor.
BE-ja si model e garant për demokracinë.
Parimet demokratike, vetë demokracia në vendet anëtare të BE-së janë konsideruar si garanci e model për zhvillimet shqiptare, për institucionet, elitën intelektuale, partitë politike e qytetarët. Në Shqipëri, kushtëzimi politik mbi plotësimin e standardeve të anëtarësimit është konsideruar si kriter e gur provë për cilësinë e pjekurinë e klasës politike, nivelin e angazhimit të saj dhe, mbi të gjitha, për bashkëpunimin midis forcave politike dhe institucioneve shqiptare. Për fat të keq, pas mbi 20 vjetësh, nuk mund të flitet ende për pjekuri e cilësi, angazhim e bashkëpunim të tillë. Aq më tepër që hija e pushtetit, por dhe hileja për ruajtjen ose marrjen e tij, në kurriz të demokracisë e qytetarit shqiptar, mbetet po aq triviale si më parë. Ndërkohë, shqetësues po rezulton procesi i mëtejshëm i demokratizimit në vendet anëtare të BE-së, sidomos ato të reja. Madje, në disa raste, përgjigjja ndaj pyetjes mbi efektet negative e pozitive të zgjerimit europian në zhvillimin e demokracisë të vendeve anëtare, mirëqeverisjeve të tyre, rolit të institucioneve të pavarura, mirëfunksionimit të sferës publike, pjesëmarrjes qytetare e nivelit të angazhimit të shoqërisë civile etj., nuk është aq optimiste. Kjo ka ndikuar edhe në opinionin publik shqiptar. Ndryshe nga vitet e para të tranzicionit, kur sjellja dhe pritshmëria politike e qytetare ndaj proceseve integruese ishte me veshje ëndërrimtare, deri naive, sot në Shqipëri procesi i integrimit europian lexohet e kuptohet në mënyrë shumë më realiste. Mjaft gjëra kanë ndryshuar, disa për mirë e disa për keq, por në mesatare, pavarësisht vonesave e gabimeve të politikës, në mjaft drejtime situata është më e mirë. Veçse, nisur nga sjellja politike me fyerje e zhyerje, me konflikte e përplasje, me reagime deri armiqësore midis partive e drejtuesve kryesorë, aktualisht ndjehet një indiferencë në rritje brenda shoqërisë shqiptare. Madje, më shumë se stërzgjatje e lodhje, po shfaqet një zhgënjim i qytetarëve shqiptarë, jo thjesht e vetëm për politikën e politikanët, por dhe për ëndrrën e tyre, për kthimin në Europën e dëshiruar. Gjithashtu, në situatën e sotme kritike, me gjithë fuqizimin e kontrollit kancelarik të pushtetit e populizmit, propagandës e demagogjisë, ushqimit e reagimit militant po rritet pakënaqësia në veprimtaritë, bisedat e reagimet e ndryshme, në punë e shkollë, rrugë e kafene. Bile, nuk mungojnë as zërat në rritje për fajtorin e vërtetë të kësaj vonese. Dhe vetëkuptohet, është faktori kryesor qeverisës që, në vend të nxiste aksione jodemokratike, duhet të kishte bërë koncesionet e domosdoshme. Është pikërisht politika që, në lojën e përditshme midis marrjes e ak
