Qypi
Të habitesh e të thuash sot, pak orë para formimit të qeverisë së re: Jashtë Mediu nga Qeveria, është si të thuash: jashtë peshqit nga deti! Jashtë kafshët nga pylli! Jashtë yjet nga qielli! Jashtë derrat nga lluci! Kreu i partisë Republikane është në Qeverinë e re Berisha në habitatin e tij natyral. Habitat i krijuar me komoditet nga çka ne të gjithë kemi bërë dhe s’kemi bërë. Puna jonë matet fare thjeshtë: me triumfin e ilegalitetit në vendin tonë, me brishtësinë e drejtësisë, paaftësinë e prokurorisë, mendjelehtësinë e opozitës. Nëse në të vërtetë duam të dimë sot se ç’shtet të së drejtës kemi krijuar ne shqiptarët, le të fotografojmë këtë qeveri. Le ta printojmë e ta varim në muret e zyrave ku përditë punojmë dhe kontribuojmë për shoqërinë. Dhe padyshim, ky është një rezultat që na ka për protagonistë të gjithë. Eshtë rezultati i punës që kemi bërë dhe s’kemi bërë të gjithë në këto vite. Tani le të shohim si spektatorë. Jemi në rolin e atij artizanit që ka bërë një qyp balte dhe në distancë kundron punën e tij. Nuk i pelqen ai qyp? Duhet të përveshë mëngët. Të shtojë a të heqë baltë dhe ta rimodelojë. Ky është problemi. A kemi vendosur të përveshim mëngët seriozisht?