E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhe thashë në librari...

“Dëgjomë me vëmendje, o shpirtkë e shpupuritur: Të thuash Mitrush Kuteli apo Dhimitër Pasko, është e njëjta gjë. Ka qenë i njëjti njeri. Përkthyesi dhe shkrimtari.” Ku i thashë këto fjalë? Në librari. Kujt ia thash ë? Asaj që shiste libra.

Flurans ILIA

1.
Duhet të ketë qenë fillim vjeshte. Në një ditë të zakonshme, duke u kredhur thellë në fëmijëri, kisha përjetuar të flitej për romanin – poemë të N. Gogolit “Shpirtra të vdekura”, botim i vitit 1962, shqipëruar nga Dhimitër Pasko. Isha i familjarizuar me faktin se ky roman kishte qenë pjesë e bibliotekës familjare, ngjizur, pasuruar, mbushur me frymë shpirtrash të lëna trashëgim (në fakt e vetmja pasuri që trashëguam) nga ati ynë i ndjerë. Një intelektual intuitiv që, me sa kam kam vënë re, brezi që e ka njohur e ka rrënjosur me mirënjohje në kujtesë. Por, pas vdekjes së tij aksidentale, ky roman u zhduk nga biblioteka e familjes. Dikush “kishte vënë dorë” pa kërkuar leje në të paprekshmen bibliotekë të familjes.
Ashtu siç ndodh rëndomtë me njerëzit e rëndomtë, ky veprim-incest “i kishte përlarë” Shpirtrat... Një ribotim i dytë i romanit me disa ndryshime të domosdoshme, del në vitin 1974. Kësaj here me titullin “Frymë të vdekura”. Ishte porosia e të ndjerit përkthyes Dhimitër Pasko (i cili kishte ndërruar jetë në 1967-ën), që titulli më i përafruar duhet të ishte ky. Por edhe pse ribotim, ka qenë një periudhë që nuk mund t’i gjeje kollaj “Shpirtrat” (ose “Frymët”) as në bibliotekën e qytetit, as në librari. Kjo ndodhte për shkak se frymorët e gjallë i mbanin “Shpirtrat e vdekura” (ose “Frymët”) të fshehura, dhe nuk i lëshonin të dilnin kollaj nga bibliotekat e tyre familjare.

2.
Kurioziteti im u bë pothuajse i padurueshëm rreth asaj fillimvjeshte, teksa gjurmoja dhe mblidhja plot kureshtje nektarin e fjalëve të gjuhës së Dhimitër Paskos si përkthyes. Një talent që konkurronte vetveten, po aq sa edhe faqja e Hënës që refuzon të na shfaqet. Mitrush Kuteli, ky poet dhe prozator i një stili të rrëfyeri plot elegancë. Stil i njohur ndryshe edhe si “rrëfimi i magjishëm kutelian”. Pasko, gjuhëtar dhe folklorist, botonjës i parë i poezisë së Poradecit dhe Nolit, përkthyes i kujdesshëm dhe ekonomist i shkëlqyer, karakterizohej po nga një inteligjencë e urtë intuitive që indukton kulturën e përbashkët, duke zënë vend butësisht me mirësjellje brenda ndërgjegjes kolektive. Padyshim që zotëronte një kulturë shumëgjuhëshe, të cilën e pasqyronte magjishëm te komuniteti i lexuesve. Mbi të gjitha, Pasko-Kuteli të mahniste tërësisht si folk-gjuhëtar. Por kur ndeshesh me “Shpirtrat” (apo “Frymët”), gjithmonë sipas mendimit tim, kemi të bëjë me një nga majat e përkthimit shqip, shenjë e një graviteti ku konotacioni është i pakontestueshëm sot e gjithë ditën.

3.
Kohë më pas, shtëpia botuese Onufri e risjell edhe njëherë në publik ribotimin e këtij romani rreth viteve 1998-99 dhe së fundmi, në vitin 2003, rishfaqet “Frymë të vdekura”. Tashmë librin e gjen lehtësisht nëpër librari, ose ngaqë bollëku i botimeve ka mbërritur te mirëqenia, ose ngaqë lexuesit janë anoreksikë kundrejt dijes.
Parathënia e Kadaresë që shoqëron botimin e mbramë, më kishte shtyrë në kërkimin këmbëngulës të një pasthënie. Në fakt, po rrëmoja në bibliotekën time “Artikujt Kritikë” të Bjelinskit, ku edhe gjeta: “Letër Gogolit”, “Mbi tregimin rus dhe tregimet e zotit Gogol”, si dhe “Një panoramë mbi letërsinë ruse të vitit 1847”. Ndoshta prej këtyre shkrimeve kritike ka zanafillën e gjithë rrjedha e asaj çka ndodhi me vetë Gogolin në Rusi. Me përkthyesin Dhimitër Pasko në Shqipëri. Dhe me të gjithë turbullirën që shkaktoi indoktrinimi soc-realist në intuitën e kulluar të një ose më shumë të eturve për dije.

4.
Takohem në Tiranë me të bijën e Kutelit, e cila me një gjuhë të ngrohtë më thotë se “nuk i kujtohen shumë detaje reale nga jeta e të atit, por komunikon vazhdimisht me të nëpërmjet librave”. “Edhe unë,” i them, “nuk kam patur fatin ta njoh realisht tim atë, por komunikoj njësoj si ti.”
Takohem përgjatë verës në Pogradec me romancierin dhe skenaristin Dhimitër Xhuvani. Në biseda, ajo që më vuri në lëvizje ishte një rrëfenjë-detaj i tij e lidhur me përkthimin që Pasko i kishte bërë në shqip “Shpirtrave”. Xhuvani tregon: “Shpesh herë e vizitoja Dhimitër Paskon në shtëpinë e vet në Tiranë, përgjatë kohës që punonte si përkthyes me mëditje. Paralelisht me përkthimet e detyruara, Dhimitër Pasko përkthente “Shpirtra të vdekura” të Gogolit. E shqipëronte romanin duke pasur paralelisht në tavolinën e punës versionin origjinal nga rusishtja, versionin rumun, versionin italian dhe atë francez. Më bënte përshtypje se, kur shkoja dhe e takoja pas dy-tri javësh, faqet e përkthimit lëviznin duke përparuar shumë-shumë ngadalë. I them: “ Mitrush, nuk paske ecur fare me përkthimin.” Më përgjigjet: “Lermë, mos më nga, me këtë roman unë shkruaj, nuk përkthej...”
Çiçikovët e soc-realizmit e ndëshkuan jo “me pushkatim”, por “me përkthim” Mitrush Kutelin. Me këtë akt ata pretendonin t’ia ulnin kokën këtij Prometeu të mendimit shqiptar, duke u përpjekur t’i lanin hesapet jo thjesht me një njeri që nuk ishte si ata, por, e thënë më shkoqur, me “mitin kutelian”. Megjithatë dështuan. Edhe në atë pak dritë burgu, përgjatë viteve 1948-1949 , na shfaqet “ad memorandum” Mitrush Kuteli, teksa studionte brenda mureve të skëterrës metodën “Nina Potapova”, e njohur për përvetësimin e rusishtes aso kohe. Edhe nga qela e burgut Dhimitër Pasko diti të mësojë (të na mësojë) se si mund të bëhet realitet, në një kohë më të vonshme, një përkthim i përkryer, si ai që doli në dritë në vitin 1962.

5.
Të gjitha këto të dhëna fragmentare i bluaj në mendje, ndërsa data shënon shtatë shtator... Në një librari, bash mu në zemër të kryeqytetit... I ndodhur përballë një shitëseje librash, e cila ha Hot-Dog (përkthimi fjalë-për-fjalë nga anglishtja vjen në shqip në formën “qen i nxehtë”)... Mustarda i ka veshur paksa çipat e buzëve... Një vajzushkë me buzë që vlojnë si “fjalë të nxehta” spërkat banakun e librave me stërkala mikroskopike mustarde... Nga prezantimi del se vajza është studente e filologjikut në Tiranë. I kërkoj romanin “Shpirtra të Vdekura” të Gogolit. “E ka përkthyer Mitrush Kuteli,” shtoj për ta lehtësuar kërkimin e saj. Shitësja avitet nëpër raftet e librave me hotdogun në njërën dorë dhe romanin në tjetrën. Rikthehet përballë meje për të më korrigjuar: “Zotëri, libri që kërkoni nuk gjendet, por ne kemi në shitje romanin Frymë të vdekura.” “Është i njëjti,” them. “Jo, jo, nuk është i njëjti...”, vazhdon të këmbëngulë tjetra, “ju më thatë se e ka përkthyer Mitrush Kuteli, ndërsa këtë këtu...”, dhe troket me gishtin tregues mbi kapakun e Frymëve, “e ka përkthyer Dhimitër Pasko”. Me shikim të lagur prej atyre stërkalave mikroskopike të mustardës, që më bien në fytyrë, them ftohtë: “Ju lutem, mund të ma jepni romanin se jam duke nxituar.” Pasi e sigurova librin, për të mos e kafshuar në hundë atë krijesë të pafajshme (Ruana Zot, nuk jam i dhunshëm!), i pëshpërita pikërisht afër hundës, ngadalë, që ta ndijonte sa më mirë aromën e fjalëve: “Dëgjomë me vëmendje, o shpirtkë e shpupuritur: Të thuash Mitrush Kuteli apo Dhimitër Pasko, është e njëjta gjë. Ka qenë i njëjti njeri. Përkthyesi dhe shkrimtari.”

6.
Ishte fillimi i vjeshtës. Data e saktë shënonte shtatë shtator. Po, e di që mund të jetë vetëm një rast i izoluar, një absurditet, një ndodhi rastësore në prag të vjeshtës kjo ngjarja e sotme, por brenda meje me fërtymë dimri frymët kishte shtruar. ...Hej, trojkë! Zog trojkë! Kush të ka ngjizur ty? Ti s’mund të lindje veçse te një popull i shëndoshë, ...dhe ja tani, shko të numërosh vjorstat, gjersa të të errësohen sytë. Dhe ti, mjet udhëtimi, s’dukesh aspak i ndërlikuar. Ty s’të kanë kapur me vidha hekuri, por të kanë stisur shpejt e shpejt vetëm me sëpatë e zdrukth,. ...kuajt turren si tufan, spicat e rrotave kërleshen e përbëjnë bashkë një rreth të lëmuar, udha bubullon, udhëtari këmbësor ndalet në vend, i trembur, dhe trojka ikë, ikë, ikë... ǒështë ky vrap që të kall tmerrin? Dhe ç’është kjo fuqi e paparë gjer më sot në botë? Hej, kuaj, kuaj! Kuaj të mrekullishëm? A mos në jelet tuaja ka bërë strofkën shakullima? A mos në çdo rrëmbë të shtatit tuaj vigjilon një vesh i ndjeshëm? ...ku vallë rend ti? Përgjigjmu. Nuk përgjigjet. Zilka derdh anembanë tringëllime të çuditshme...

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›