E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori krijimi në shkëputje pingule

Për një burrë të shtresës së mesme, të ndodhur në një kryeqytet perëndimor, të jesh gjallë, në fund të këtij shekulli do të thotë të mos dish nga të shkosh. Ti je vonë, gjithsecili është gjithmonë vonë, duke parë trenin imagjinar të zhduket brenda tunelit. Ata thonë se nuk e dinë ç’ndodhi me kohën? Ata duan të thonë se nuk e dinë ç’i ndodhi kohës? Koha duket se ka humbur formën e saj. Koha ishte ngadalësuar dhe ngurosur. Ajo çka kamera pa, pra plumbi që hynte brenda mollës, ishte e vërtetë. Ajo çka syri pa, molla teksa shpërthente, nuk ishte e vërtetë.

Eliot WEINERBERGER

Po kaloja me taksi në rrugën numër dhjetë. Makinat ishin parkuar gjysëm ilegalisht në të dyja anët e rrugës, duke lënë të lirë vetëm një korsi. Në mes të bllokut të ndërtesave, makina përballë nesh, një veturë e vogël e kuqe, e larë dhe e lustruar, ndaloi. Asnjë shenjë e ndonjë problemi me motorin, kuadri u fik duke bllokuar kështu qarkullimin. Ne qendronim ulur.
Shoferi i taksisë, i cili ishte nga Bangladeshi, më veshtroi në pasqyrën që sheh pas, ngriti vetullat dhe mblodhi supet. Ai nuk foli, ndoshta per shkak të vapës. Makinat pas nesh u vunë në radhë, por askush nuk i binte borisë.

1.
Ishte muaji gusht i një vere të nxehtë, asnjë s’po duronte dot më; mua më duhej të kapja trenin. Dola jashtë taksisë për të parë. Dritaret e makines së kuqe ishin ulur. Te rrotat qëndronte një njeri, që vështirë se mund të përshkruhet, tipi, të cilin rëndom e marrin për programues kompjuterash, ndoshta 30 vjeç, topolak, me flokë të shkurtër, këmishë të bardhë të pastër e syze. I bëra shenjë siç bëjnë vendasit. O çuno, si e ke hallin? Ai nuk e ngriti kokën. I bërtita me zë edhe më të lartë, duke valëvitur duart.
Ai u kthye. Buzëqeshi, vazhdoi të buzëqeshte dhe fërkoi butë me gisht anën e hundës, duke e përsëritur. Unë e veshtrova ngultas; ai buzëqeshi; fërkoi hundën; u ktheva në taksi; u ulëm; askush s’i binte borisë. Me sa dukej, bllokimi i rrugës kishte mbetur në vend i vdekur.
Ti sheh në pasqyrën e mesit, dëgjon frymëmarrjen tënde, dëgjon zërin tënd, ndonjë zë që flet, ështe nxehtë, ti je gjallë. Dhe për një burrë të shtresës së mesme, të ndodhur në një kryeqytet perëndimor, të jesh gjallë, në fund të këtij shekulli, do të thotë të mos dish nga të shkosh. Ti je vonë, gjithsecili është gjithmonë vonë, duke parë trenin imagjinar të zhduket brenda tunelit. Ata thonë se nuk e dinë ç’ndodhi me kohën? Ata duan të thonë se nuk e dinë ç’i ndodhi kohës?

2.
Koha ishte përshpejtuar dhe kishte vallëzuar me veten deri në rraskapitje. Shpejtësia ishte risia dhe shkëlqimi i shekullit: makina, aeroplanë, raketa, llogari kompjuterike, komunikim i atypëratyshëm. Rrëfenjat e filmuara apo të shkruara kërcenin nga një pikë te tjetra pa tranzicione, duke vrapuar ashtu siç vrapon kujtesa, gjersa në fund harronin se kishin një histori për të treguar.
Matanë portës së Zone-s së Apollinaire-it, çdo poemë e shkruar ishte të ushtruarit (ose kundërshtim i vullnetshëm i) në njëkohshmëri. Poema të tilla si ajo e Eliotit, The Waste Land ose Altazor-i i Huidobro-s, vazhdonin t’i kujtonin lexuesit se duhet të nxitonin. Çdo gjuhë perëndimore krasit hardhitë e begative të saj retorike. Kush e zotëronte kohën? Vëmendje e shkurtuar; ti ishe tepër i zënë; çdo gjë zgjaste shumë dhe më vonë ishte e vështirë për ta mbajtur mend. Koha ishte ngadalësuar dhe ngurosur.
Muybridge-i, me studimet e tij për lëvizjen e njerëzve dhe të kafshëve, vë frenat; kamera me fotografinë lëvizëze, e ndaloi lëvizjen. Çdo fraksion sekonde në lëvizjen e kohës ishte ngrirë. Ose, si shigjeta e Zeno-s, koha vetë ishte një varg kuadrosh, që zëvendësonin kuadron e palëvizshëm.
Ajo çka kamera pa, pra plumbi që hynte brenda mollës, ishte e vërtetë. Ajo çka syri pa, molla teksa shpërthente, nuk ishte e vërtetë. Fotografia e shekullit të 19-të, e një subjekti të izoluar, u shndërrua në fotografinë e shekullit të 20-të të një fraksioni kohor të izoluar, “nje çast vendimtar” në një mjedis pavendosmërie të përgjithshme. Kuadro plot jetë, të cilat panë jetën, që vazhdimisht na kishte shpëtuar për qime.
Koha ishte shtrirë në largësi drite të paimagjinueshme, duke udhëtuar në fundin e hamendësuar të universit, nëse universi kishte një fund, nëse universi kishte një fillim. Koha u zhduk në një vrimë të zezë. Koha, me shpejtësinë e dritës, shkoi mbrapsht. Koha, mes grimcave nënatomike, nuk bëri më përpara. Asokohe thuhej: Konsideroje frutin, që lind dhe vdes në një ditë, të fluturojë. Çka lind një mëngjes dimri, njeh vetëm një botë të ngrirë. Njëqind breza më vonë vetëm nxehtësi; duhet të kalojnë edhe njëqind të tjerë, derisa të kthehet bota e paraardhësve. Koha perëndimore u kthye në kohë Hindu: një milion vite njerëzore s’janë veçse një pulitje sysh e Zotit, që jeton një jetë prej një milion vite zotash, secili syresh në vargje prej miliona lindjesh dhe rilindjesh.
Koha vazhdonte të dilte nga binarët. Të njohur, që ishin harruar, të vinin ndërmend dhe më pas, pa pritur e pa kujtuar, të shfaqeshin në cep. Pashë syrin e zi të një miku pak orë përpara se të ndodhte aksidenti. Pashë në ëndërr nekrologjitë e gazetës së mëngjesit një natë para se të botoheshin. Për disa vjet, pa asnjë arsye, munda të parathoja pagabueshmërisht seksin e bebeve të palindura; më pas, pa asnjë arsye, e humba këtë aftësi. Të gjithë ne e dëgjonim zilen e telefonit, para se ai të binte; të gjithë ne, herë pas here e dinim edhe kush ishte në telefon.
(Në librin e vitit 1920 Një eksperimet me kohën, të cilin Borges-i e adhuronte, autori hartoi një metodë naive për të provuar që koha është një pafundësi vijash pingule. Rrëfimet kryesore të ëndrrave janë të papërfillshme; detajet e vogla duhen vërejtur me kujdes. Për shembull, mund të shohësh në ëndërr sikur je duke bërë dashuri me motrën tënde. Kjo nuk ka rëndësi. Mbani mend atë stringlën kurioze, e cila në ëndrrën tuaj ndodhej në tryezën përbri krevatit. Nesër, të njëjtin objekt do ta shihni në tregun e gjërave të përdorura).

3.
Koha duket se ka humbur formën e saj. Bergson-i, duke hapur shekullin, ka thënë se ishte gabim të ngatërrohej koha me hapësirën. Por cila mendje mund të mos mendonte për kohën si një lumë që rrjedh, si një rrugë që të çon në fund të një rruge. Nëse koha nuk ishte më rrethi i paraardhësve, revolucioni i ngritjes dhe rënies së epokave, që do të ktheheshin, atëhere ajo ishte të paktën rruga e drejtë e përparimit, shtytje përpara në emër të përsosmërisë së mbarë njerëzimit. Tronditja e vuri atë në lëvizje, ëndrrat i përcaktuan asaj rrjedhën, por padrejtësia e nxiti atë dhe ajo u përplas në një tjetër tronditje. Koha nuk po shkonte asgjëkundi. Gjërat ishin pak më mirë dhe shumë më keq. Mbi rrënojat e qytetit po ndërtohej një qytet tjetër, e më pas edhe një tjetër, asnjë prej tyre më i artë se çdo qytet tjetër.
Çfare i kishte ndodhur kohës?
Ne nxitonim dhe e kalonim kohën tonë duke pritur. Kur isha fëmijë, më kërkuan të ulesha nën bankën time të shkollës, i përkulur, me duar të lidhura pas qafe, me qëllim që të praktikoja pritjen e bombës atomike. U rrita duke pritur, gjithmonë në zgrip të asaj që mund të ndodhte, në të tashmen e përjetshme të të qenit gjallë në çastin e parafundit të mbarimit të kohës.
E shohim njëri-tjetrin, të habitur, që jemi plakur.
Koha atëhere, ose ajo si e mbushim ne kohën, ka pranuar kushtin e poezisë.
Poezia i përket një çasti historik, që përcaktohet nga koha dhe vendi, të cilat duken më qartë në gjuhën e poezisë, por edhe në vargun e shqetësimeve të saj, si edhe në formën - veshjet e modës - me të cilën poezia është mbështjellë. Por ajo ekziston njëkohësisht jashtë continuum-it historik. Poezitë e lashta, ato të mëdhatë, janë po aq të afërta, ose edhe më të afërta, se poezitë e shkruara dje. Njëlloj lënde e gjallë e papërcaktueshme në poezi (ndoshta kemi të bëjmë me gjurmët e saj karmike) e lejon atë të mbetet vitale, teksa vazhdon shekujve, edhe sikur gjuha në të cilën është shkruar të shuhet, edhe sikur të udhëtojë përkthimeve nga njëra gjuhë te tjetra.
Në fund të shekullit, ajo kishte shembur të gjitha modelet e vjetra të kohës, edhe ne, në jetën e përditshme, priremi ta shpjegojmë kohën e tashme, veprimtaritë dhe emocionet tona të zakonshme, me disa faktorë të largët, të papërcaktuar në kohë.
Sa shpesh dëgjojmë të thuhet se jam ai që jam për shkak të vendosjes së yjeve dhe planeteve sipas kozmologjisë babilonase; për shkak të tipareve të programuara në gene, që sigurojnë mbijetesën e hominidëve; për shkak të traumave gjatë femijërise, ose të traumave të parardhësve të dikujt gjatë historisë.
Sado qesharake të jenë këto kthime në një parim përcaktues origjinal, ato reflektojnë dëshirën universale njerëzore për një origjinë, dhe një tregim koherent i asaj që ka ndodhur qysh atëherë, një vazhdimësi e së lashtës dhe së resë.

4.
Në të gjitha mitet për origjinën e botës, universi është i njëjtë. Me variantin tonë gjoja shkencor, mund të jetë hera e parë që kultura ka krijuar një histori krijimi të bazuar në shkëputje pingule: pas shpërthimit fillestar, pjesët e universit vërviten duke u veçuar gjithmonë e më larg nga njeri-tjetri. Është një ndjesi, që shumica prej nesh mund ta provojë më së miri në jetën e përditshme, por megjithëse disa e kanë provuar, ka dalë se nuk ka gur mbi të cilin të ndërtosh një kishë. Një fe apo një ideologji merr përsipër të japë përgjigjet, por jo të hartojë pyetjet qe çuan në krijimin e saj.
Ndërsa shkencetarët shpikin përherë e më tepër mjete të sakta për të matur universin, universi vetë bëhet gjithmonë e me misterioz. Kurrë më parë një kulturë nuk ka ditur më tepër dhe kuptuar më pak. Pikërisht dje, disa fizikanë shpallën se 90% e të gjithë lëndës së universit, mungon. S’do të kishte pasur asnjë problem në Firencen e Dantes ose ndër Yekuana-t e Orinoco-s, por ne, lexuesit e fragmenteve moderne dhe kompozimeve të «fushës» që nga Mallarmé-ja deri te Olson-i, jemi rritur të mësuar me të. Gjërat pluskojnë - si toka e parë nga hëna për herë të parë - vetëm dhe të rrethuara nga asgjë.
Për ne, në Perendim, modelet e së lashtës dhe të kozmikes tashmë janë po aq të larmishme, të palidhura dhe kundërthënëse, sa idetë dhe gjërat që përqasim në të tashmen vendase. Është një kusht i dialektikës së pafund pa sintezë, pa ide për të ardhmen, dhe ku - si asnjëherë më parë - të vetmit besimtarë të zjarrtë, që kanë mbetur, jane ata që s’dinë asgjë.
Përktheu Pranvera Papamihali

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›