Shpirti krijues që priti gjatë
Le të jenë këto radhë nga të parat për këtë autor, që do të pasohen nga të tjera, të tjerë studiues. Sepse komeditë e Hekuran Zhitit nuk përbëjnë vetëm një zbulim, ato paraqesin edhe risitë e sjella në dramaturgjinë e kohës, një e shkruar “ndryshe” nga sa u shkrua asaj kohe (qysh në vitet e para të pasçlirimit) nga autorë “zyrtarë” dhe tekste tashmë të njohura, që u vunë në teatrin shqiptar dhe u popullarizuan shpejt. Ishin fillimet e diktaturës. Shpirti i letërsisë po goditej. Por ai nuk ishte tharë. Një shpirt të tillë, që digjej fshehtas brenda, kur skemat e socrealizmit po farkëtoheshin, përfaqësojnë komeditë e H. Zhitit.
Josif PAPAGJONI
Ngjet rëndom në fushën e studimeve “zbulimi” i një vepre të re të panjohur, ose e një letre të shkruar diku, madje edhe e një vepre të botuar dikur, “varrosur” nga harresa dhe tepria e viteve. Por jo shpesh ngjet që të zbulohet një autor, i panjohur më parë nga lexuesi i gjerë; një autor i ngujuar diku në pjesën e territ të kohës a të fatit. Ky është Hekuran Zhiti. Si në ato baladat ku heronjtë lëvizin rrasën e varrit dhe zhduken tej në mugullirë, duke sfiduar vdekjen dhe peshën e dheut, për të vënë në vend një amanet (që dheu s’e tret), shfaqja e këtij njeriu të “panjohur” në cirkun e ngushtë të dramës shqipe, ishte për mua një befasi. Një zbulim. Drita e botimit tash ka rënë mbi 7 pjesë, më saktë në 7 komedi e tragjikomedi, çka është një ringjallje e shpirtit të një autori që lipset të zërë vendin e vet të merituar në banesën e hirshme të dramës e të teatrit. Dolën në dritë nga i biri, Visar Zhiti, i cili gëzon sot një emër të merituar në thurjen e vargjeve poetike, është një bard i kohës bardhë-e-zi, një zë gjithnjë e më i rëndë, vetmitar i heshtjes, modestisë dhe durimit.... Në krye të herës na është e udhës t’i sjellim lexuesit ç‘janë e çfarë thonë pjesët e komediografit Hekuran Zhiti.
* * *
“Nusja në thes” është një komedi me tri akte, që anon nga farsa e ku situata e ngritur mbi një rreng a lodër, e çon zhvillimin e ngjarjes drejt një burleske pa të keq, me elementin e fortë të groteskut, të tejzmadhimit e të karikaturizimit. Doemos, një thuritje e tillë e subjektit i jep asaj tone gazmore dhe trajtën e shakasë. Nga kjo pikëpamje, si rreng e dredhi, mund të falet ekzagjerimi... Por ajo që është e befasishme dhe e paqortueshme në këtë komedi, përmblidhet në faktin e shndërrimit të situatës komike (qoftë edhe si një sajesë e sforcuar) në shkak për ironizim dhe kritikë hegeliane të marrëdhënieve shoqërore e njerëzore të prapambetura në Shqipëri, në shkak për të pohuar në formë pasionale ide dhe qëndrime humane. “Ajo (e shëmtuara Sose – J.P.) është bërë e tillë që të ngjajë me atë që ka shumica në shpirt, – thotë Hëna. – Ndoshta është hakmarrë duke u bërë e bukur për ca çaste dhe është zhdukur duke na lënë në thes shëmtinë, atë që meritojm녔 (f. 44).
Në shestimin formal të komedisë ose, më drejt, në krijimin e një koperture, njësoj si në ato aureolat e dritësuara me ngjyrë të verdhë mbi kokat e shenjtorëve, është përdorur në mënyrë të frytshme elementi simbolik i thesit (i trupave të futur në thasë), çfarë ka çuar vetiu në krijimin e një parabole sugjestive, jo vetëm letrare, por sidomos skenike. Kjo ka dhënë dorë në krijimin e vegimeve surreale, gjer apokaliptike: njerëz që hidhen e përdridhen nëpër thasë, si në një valle të çmendur mbijetese, si në një ngërç prej kohës së mbrapshtë e gjithë myk. Më tutje, vetë figura e thesit shfrytëzohet si motiv e qasje figurative për të realizuar retorikën ideore, e cila përmbaron edhe qëllimin e shkrimtarit me gojën e Hënës.
“Të përmbysurit” është, padyshim, vepra më antikomuniste e Hekuran Zhitit. Prej kurmit të saj letrar pikon njëherit dhimbje e gaz shafran, lot të hidhur e të qeshura, të vërteta tragjike e sjellje komike. Një mëshirë e madhe e mbulon tej e tej pjesën, duke ua hedhur si vel a qefin personazheve, sa tragjikë po aq groteskë. Të vjen keq për të mjerët, por dhe pa qeshur s’rri dot. Kjo është ajo mjeshtëria e humoristëve të talentuar, që brenda u qan shpirti e përjashtazi qeshin me shfaqjet komike të fatkeqëve.
* * *
Teksa i mbaron së lexuari të shtatë komeditë, nuk është e mundur të mos vesh re syrin që shquan te vdekjen, rropamën e kataklizmë social-politike të pas vitit 1944, por edhe dëshirën për të jetuar e gëzuar, harenë, sfidën që vjen nga vetë njeriu shqiptar. Doemos, shumë gjëra mund të nxirren në spikamë, por në këtë shqyrtim të parë le të përmendim disa syresh.
Shqetësimi i Hekuran Zhitit për të sjellë para lexuesit relieve shoqërore, politike e njerëzore, që të sjellin ndërmend Shqipërinë dhe njeriun shqiptar me problematikën e tyre të mprehtë, kjo është gjithandej e dukshme. Një problematikë jo periferike por e thelbit, problematikë që duket se nuk “dremit” nën një ritëm jete e arti që të kujton “netët e gjata të dimrit rrëzë oxhakut”. Përkundrazi, shfaqet e mprehtë tek “Të përmbysurit”, “Gratë e atij fshati”, “Rruga e Skraparit” apo “Palla e nderit”. Edhe kur s’është e tillë, pra “këlthitëse”, ajo gjithsesi sikur të thotë: Mirëseardhe në sinorët e mi shoqërorë, qofshin edhe moralë apo etikë, sikurse mund ta vesh re këtë në komedi të tjera.
Dukuria komike shfaqet në shumë forma: si e keqe politike e sociale (Të përmbysurit, Rruga e Skraparit), si demagogji e mashtrim (Gratë e atij fshati), si prapambetje e anakronizëm social (Magjistari i rremë), si ves e mangësi morale (Shakaxhinj dhe batakçinj, Palla e nderit), si dobësi e bjerrje e karakterit (Nusja në thes), si deformim politik dhe si korrupsion (Rruga e Skraparit, Nusja në thes, Palla e nderit, etj.). Pos këtyre përcaktimeve, dukuria komike na shfaqet e ndërthurur edhe me elementë e shtresime të tjera, si gënjeshtrat, mashtrimet, mburrja, mendjelehtësia, budallallëku, të vonuarit e kuptimit, më tutje si ligësia dhe poshtërsia, naiviteti, injoranca, snobizmi, hipokrizia, dhuna dhe egërsia. Kësisoj, mund të përfundojmë se komikja vjen nga shumë drejtime e burime njëherësh: nga karakteri i personazhit dhe mënyra e të sjellurit të tij, nga situata e forma e njëmendësimit të saj, nga fjala e të papriturat humoristike, nga vetë zinxhiri fabulesk dhe intriga, nga bëmat e ndodhitë e çuditshme.
* * *
Realizmi është një cilësi e pjekur, e mëvetësishme e përfshirëse në veprën e Hekuran Zhitit. Në të shumtën, ai është një realizëm klasik, tradicional, veçse herë-herë vrapon më tutje, në dhera të tjera, duke krijuar gjësende të një realiteti paradoksal, të grimuar nga fantazia dhe gjetjet humoristike të autorit të tipit të parabolës, që i japin krahë trillit, deformimit të qëllimtë të gjësendeve, krijimit të habive, gjërave të “pangjara”, thagmave, si te “Nusja në thes”, “Palla e nderit” e ndonjë tjetër. Realizmi shpërfaqet në vizatimin e mjediseve shoqërore, politike a familjare, në ravijëzimin e karaktereve, në mënyrën e ndërtimit të situatave apo te dialogu. I veçantë në frymën realiste të H. Zhitit është objektivizmi. Në të shumtën e rasteve, pena nuk drejtohet prej tendencës bërtitëse të skajshme, që sheh vetëm me njërin sy. Vërtet pickon në indet e buta të përfaqësuesve e xhambazëve të rinj të regjimit kriminal të komunistëve, ashtu siç nuk lë pa pickuar, nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e Shqipërisë së vjetër, gjysmë feudale e të mykur, atë që quhej “bejlurçina”. E mira dhe e keqja bashkëjetojnë e shpesh gjenden te po i njëjti personazh.
Karakteret origjinale përbëjnë një tjetër veçori.it. Autori duket i prirë drejt karaktereve (edhe kur ata sajojnë rrengje, lodra, shaka e hile në kurriz të të tjerëve). Kësisoj njeriu jepet me ngjyra, jo bardhezi. Natyrisht, për ta ruajtur më drejt këtë drejtpeshim, vende-vende mllefi duhej të ishte më i “përmbajtur”, më i “padukshëm”, pa i çuar veprimet e karakteret me domosdo drejt një “ligësie” dhe “shtrigërimi” të qëllimtë, që sjell për rrjedhojë ekzagjerimin, ndonjëherë karikaturizimin politik të tyre.
Interesante paraqitet mënyra se si gërshetohen e ndërthuren elementet komike me ato dramatike e tragjike. Gati të gjitha komeditë kanë funde të trishta e dramatike, befasime që ta rëndojnë zemrën, me përjashtim mbase të komedive Nusja në thes dhe Palla e nderit. Loja, rrengu, dredhia shërbejnë si zemberek për krijimin e situatave komike. Në komeditë e tjera si Gratë e atij fshati, Rruga e Skraparit dhe Të përmbysurit situatat komike sendërtohen përputhur rrjedhës logjike të veprimit, brenda suazës së një konflikti të shprehur qartë, në të dy kahet e tij.
Situatat paradoksale dhe absurde, ku logjikja gërshetohet me alogjiken, humania me çnjerëzoren, mençuria me budallallëkun, humanizmi me krimin, demagogjia me naivitetin dhe sinqeritetin, arsyetimet mbi dukuritë, kohën e politikën me marrëzinë e çmendurinë, drita me terrin e zezonën, shpresa me tragjizmin, trishtimin, pesimizmin, fatalitetin dhe parrugëdaljen, - të gjitha këto vijnë si dyplanësi, si një dialektikë mendimi e kundrimi, që e merr botën dhe njeriun në totalitetin e vet, që qesh edhe kur qahet, që i jep krahë haresë edhe kur personazhet jetojnë dëshpërimisht zgripet dhe fatet e tyre të mbrapshta. Me guximin e optimizmin e njeriut që beson tek e mira, H. Zhiti e shpotit fort të keqen, të ligën, qoftë pse rishtarët e saj mund ta kapnin (siç e kapën) dhe ta fusnin në qelitë e errëta të burgut, apo edhe t’i jepnin një plumb si shumëkujt prej shokëve të tij.
Gjuha është nga meritat më të dallueshme të komedive të Hekuran Zhitit. Është çuditërisht e pasur për kohën kur janë shkruar (vitet 1944 - 1946). Ajo që bie menjëherë në sy dhe që përbën vlerë të padiskutueshme, është shfrytëzimi i nëndialektit të zonës së Myzeqesë e të Beratit, i zhargonit, i leksikut të pasur që vjen nga e folura e shtresave të gjera të popullit. Falë këtij zhargoni e leksiku, autori ka realizuar dy qëllime: karakterizimin e personazheve dhe krijimin e një sfondi humoristik, i cili vjen drejtpërdrejtë si pasojë e shterimit të gjasave që ofron vetë gjuha në trajtën e dialogut e të monologut.
* * *
Kur i këqyrim komeditë në kohën e të shkruarit të tyre (të mirëqena nga paraqitja që u ka bërë Visar Zhiti, në këtë botim të vitit 2006), nuk mund të rrimë pa shfaqur admirimin tonë të sinqertë. Në çast më vijnë në mendje autorë të tillë, si Kristo Floqi me komeditë e tij të shkurtra apo Et’hem Haxhiademi me tragjeditë e tij. Janë bashkëkohës në letërsi, dy të parët tashmë të mirënjohur dhe me vendin e tyre të nderit në historinë e dramaturgjisë shqipe, kurse Hekuran Zhiti krejt i panjohur, pa një vend meritor.
Le të jenë këto radhë nga të parat për këtë autor, që do të pasohen nga të tjera, të tjerë studiues. Sepse komeditë e Hekuran Zhitit nuk përbëjnë vetëm një zbulim, ato paraqesin edhe risitë e sjella në dramaturgjinë e kohës, një e shkruar “ndryshe” nga sa u shkrua asaj kohe (qysh në vitet e para të pasçlirimit) nga autorët “zyrtarë” dhe tekstet tashmë të njohura, që u vunë në teatrin shqiptar dhe u popullarizuan shpejt. Ishin fillimet e diktaturës. Shpirti i letërsisë po goditej. Por ai nuk ishte tharë. Një shpirt të tillë, që digjej fshehtas brenda, kur skemat e socrealizmit po farkëtoheshin e suleshin me taborë, përfaqësojnë pikërisht edhe komeditë e H. Zhitit. Ato kanë trill, fantazi, kulturë. Kanë dashuri për njeriun e mllef për padrejtësinë, dhunën, korrupsionin, mashtrimet, injorancën dhe gjithë ligësitë e tjera, të sistemit shoqëror dhe të vetë njeriut. Prandaj dhe e kisha më se të domosdoshme të bëja një paraqitje të kësaj krijimtarie fatkeqësisht të panjohur. Ishte një detyrim sigurisht, por dhe një kënaqësi.
17 Mars 2008