Dhe zjarrfikësit me vonesë do të vijnë përsëri
1./Nëntor 1995
Nikolina Obradoviç më bërtiti aq fort sa gjithkush brenda atij pub-i të mbytur me tym duhani dhe avuj alkooli shtangu.
-Sa pa fat!-vazhdonte piskamën vajza e gjatë sikur gjëma të na kish rënë mbi kokë atë natë të ftohtë nëntori në veri të Londrës.
Nikolina ishte shoqe kolegji me të cilën ndaja apartamentin tim në lagjen Highgate. Serbe nga Banja Luka, kishte emigruar në Londër kur lufta bënte kërdinë në vendin e saj e si për ironi shërbimi social anglez në ndihmë të të huajve na kishte strehuar në një banesë të dyve, mua nga Shqipëria dhe eleganten simpatike nga Bosnja.
Kishim shkuar për të pirë një birrë në një pub afër shtëpisë sonë dhe vetëm Nikolina kishte marrë çelësin e banesës me vete, ndërsa unë e kisha lënë në shtëpi. Shoqja ime kishte humbur çelësin diku rrugës e klithma e saj më hutoi edhe mua. Mendova se do ishte bërë edhe tapë nga alkooli e ia ktheve shkurt porsi shqiptar tipik që gjen zgjidhje edhe për të pazgjidhshmet.
-Mos u mërzit-i thashë. Do shqyejmë derën sot dhe nesër sajohemi me një bravë të re.
-Je i ri në Londër, ma kheu Nikolina. Disa gjëra këtu funksionojnë ndryshe nga vendet prej të cilave vijmë.
Nuk e dija dhe as e imagjinoja dot. Nëse të humbte çelësi i banesës, zyrës a biznesit gjëja e parë që duhet të bëje ishte të telefonoje numrin e emergjencës publike 999 (911) e pasi tu qaje hallin, Brigada e Zjarrfikësve të Londrës ishte aty. Shpejt, saktë, bukur shtriheshin shkallët në çfarëdolloj lartësie dhe djemtë e brigadës futeshin në banesë e hapnin dyert. Të jepnin kopjen e çelësit që kishe harruar brenda ose në rast tjetër të orientonin te pika më e afërt ku bëheshin kopje çelësash. Si pa kuptuar largoheshin me shpejtësinë që erdhën, por në duar të linin një faturë prej 45 paundësh, të cilën ishe i detyruar ta paguaje. Nikolina klithte me të drejtë, 45 paund të hedhura dëm prej pakujdesisë ishin dhe janë jo pak për emigrantë a studentë ekstrakomunitarë siç ishim ne të dy asaj kohe.
2./ Mes Tores dhe zjarrfiksave
13 vjet më pas fati më çoi të isha sërish qiraxhi, por pa bashkëjetuesen Nikolinë. Jo më në lagjen e famshme Highate të zonës 3 të Londrës ku komshinjtë tanë në vijë të drejtë vertikale, ishin varri gjigand i Karl Marksit dhe këngëtari legjendar George Michael me shtëpinë e tij gjigande mansion.
Qysh nga viti 2007 e deri para pak muajsh kam jetuar në një nga qoshkat studentore të Tiranës në afërsi të 21 Dhjetorit. Fiks pas Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit ka vite që pellgu i ndërtimeve ilegale prej vilash e dyqanesh është kthyer porsi e famshmja Quartier Latin në Paris mbushur me studentë nga gjithë vendi ku flenë, ushqehen, argëtohen e dëfrehen jo keq.
Mirëpo që të shkosh deri aty në mënyrë të pashmangshme duhet të kalosh patjetër nëpër rrugën “Artan Lenja”. Futesh mes rrugicës së ngushtë ku ndodhet vila e “ashikut” legjendar Tore dhe ndërtesës së Zjarrfikëseve të Tiranës. E populluar deri në orët e vona të mbrëmjes, në zonën për të cilën po flas do të hasni kurdoherë vajza e djem studentë, makina të shtrenjta me tipa hijerëndë brenda gati për gjuajtje, dyqane dhe lokale shërbimesh të ndryshme, disa bar-e e mensa të arreduara bukur dhe 2 mejhane frëngjyza ku shullohen Ata…
Shpesh herë ndjehesh në siklet sepse në trotuarin ku duhet të kalosh hapat do i hedhësh mes tavolinave të nxjerra aty. Mbushur vetëm me meshkuj barkderra që lëpijnë xaxiq të hurdhëruar keqas dhe qofte të skuqura shëmtuar, aty pihet raki e fermentuar dhe e sheqerosur me emergjencë dhe konsumohen thashetheme të pështira. Mbahet në gojë i madh e i vogël që kalon aty prore dhe nëse reagon ndaj provokimeve në ndihmë të vetes ose të njeriut që ke në krah, trimat e mejhaneve solidarizohen e çohen në këmbë vërtik. Shumica prej tyre të deformuar nga dembellëku dhe alkooli i tepërt mbajnë veshur sipas stinës bluza a xhupa blu ku shkruhet me bojëvaji të bardhë SH.M.K.Z.
Këta për të cilët po flas janë jo zjarrvënësat por zjarrshuesit elitarë të kryeqytetit. Tipikë militantë partish të çdo ngjyre ose miq a familjarë të tyre. Parazitë që në shumicë rastesh nuk dinë të bëjnë asnjë lloj pune përveç trashjes së barkut dhe prapanicave (çohu Promete nga varri). Të shtrembër dhe të paaftë porsi makinat e tyre të ndryshkura të punës,aspak profesionistë dhe të vonuar në rast emergjencash.
E mbani mend kur u dogj makina e një botuesi sa me vonesë ia behën, po kur janë djegur mijëra hektarë pyjesh e kullota i kini parë sa qesharakë duken kur spërkasin me ujë pa pikë përgjegjësie, po kur keni telefonuar dhe deri kur u kanë ardhur zjarrfikëset e keni llogaritur kohën ndonjë herë?
Jo vetëm Tirana, por gjithë qytetet e kësaj republike vuajnë nga shërbimet e emergjencës. Janë kthyer në strehëza piratësh e ndihmën e parë e merr vetëm nëse ke njohje ose nëse je mik i pushtetit. Paguajmë taksa që shoferi i ambulancës, polici, mjeku, zjarrfikësi të marrin rrogën e të rinë në gatishmëri sa herë që 126, 127, 128 e 129 tringëllon kobshëm. Të jenë në krahun dhe ndihmën tonë kur e kemi pisk e jo të shfaqen pasi na kanë vrarë,vdekur a djegur njerëzit tanë apo komshinjtë.
Si do ta komentonte çdo lexues kronologjinë e kronikës së më poshtme të cilën e shkëputa nga një gazetë afër qeverisë?
“Një ngjarje tragjike ndodhi orët e para të mëngjesit në Tiranë, ku një familje u shua nga flakët që përpinë banesën e tyre, një apartament i ndodhur në katin e tretë të një pallati në rrugën Hoxha Tahsim.
Genc dhe Florida Spahiu, 35-vjeç, së bashku me vajzën e tyre 4-vjeçare Jona, nuk mundën të dilnin në kohë nga banesa dhe humbën jetën mes zjarrit. Ndërhyrja e vonuar e zjarrfikëseve arriti të shpëtonte vetëm vajzën e dytë të mitur të çiftit, 3-vjeçaren Dea Spahiu.”
Të numërojmë çdo muaj se sa nga ne japin shpirt a vdesin vetëm sepse Ata (shoferi i ambulancës, polici, mjeku, zjarrfikësi) janë duke pirë alkool, parë televizor, luajtur tavëll, dremitur, a përtojnë nuk do të kishte as Instat e as Eurstat ti statistikonte. Pretendojmë të ndërtojmë gjëra të mëdha duke neglizhuar me koshiencë ndonjë kleçkë të vogël në themele e pasi kujtojmë se ia arritëm qëllimit final, ngrehina na bie mbi kokë e nuk bëhemi dot më njerëz.
Porsi zjarrfikësit e 21-shit më duken edhe këta politikanët blu, rozë a çiklaminj të Tiranës. U vjen telefonata emergjente për të çuar Shqipërinë drejt Brukselit dhe ose janë duke dremitur, ose duke u zënë me shoqi-shoq,ose duke mbuluar pisllëkun e radhës ose ankohen se gjasme ka trafik rrugës dhe makina me targa greke, serbe a maqedonase nuk ua hapin krahun.
3./ Me dashuri për çunat e Dilaverit
Kjo foto që shoqëron opinionin tim sot është marrë nga kalendari që Departamenti i Zjarrfikësave të qytetit të New York-ut ka hedhur në qarkullim për Vitin e ri 2012. Personi aty quhet J.M.Scott, 29 vjeç. Pas 3 vitesh stërvitje e praktikash mundi të punësohet zjarrfikës me kohë të plotë në metropolin amerikan të Lindjes. Nuk ka kushëri as presidentin Obama, as kryebashkiakun Bloomberg. Nuk ësht
