E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhërmi, policia gjen 150 kg drogë

VLORË - Policia kufitare ka gjetur e sekuestruar një sasi prej 150 kilogramësh lëndë narkotike pranë kishës së Dhrahlesë në Dhërmi. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, ndërsa informacioni për një sasi droge që pritej të dërgohej drejt Greqisë është siguruar nga policia në mënyrë operative.

Gjetja e lëndës narkotike hashash është bërë pas disa orësh kontrolli në një zonë të gjerë. Ajo u gjet në tri çanta sportive në ngjyrë të zezë. Burime nga policia shprehen se droga ishte në gjendje të presuar dhe e sistemuar në çanta, gati për t'u shitur. Në secilën nga çantat ndodhej një sasi prej 50 kilogramësh hashash.

Pas gjetjes dhe sekuestrimit të drogës ka filluar kërkimi për të gjetur pronarët e saj. Deri në orët e vona ishin shoqëruar disa persona të zonës, megjithatë nuk kishte asnjë të dyshuar konkret për të. Sipas burimeve, lënda narkotike e sekuestruar dyshohet se vinte nga Lazarati dhe kishte si destinacion Greqinë.

------------------------------------------------------------------------

Vidhen 90 mijë euro në një familje


FIER - Në fshatin Dukas-Bregas, në Patos është vjedhur banesa e shtetasit A.V. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në banesën e këtij shtetasi janë vjedhur 90 mijë euro. Këto para kryefamiljari i kishte fshehur në dhomën e gjumit.

Sipas policisë, vjedhja është realizuar kur familjarët e këtij shtetasi nuk ndodheshin në shtëpi. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk janë vënë re shenja thyerjeje, megjithatë dyshohet se autorët janë një rreth i ngushtë të njohurish të familjarëve, për shkak se kanë ditur se ku të kërkojnë, si dhe shumën që ka qenë në banesë. Autorët janë ende të paidentifikuar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›