E Shtunë, 31 Tetor 2026

5 mijë euro për në Evropë

Teatri Kombëtar merr ftesën zyrtare dhe në maj bëhet anëtar i Unionit Evropian të Teatrove. Cilat janë kushtet që ka plotësuar TK dhe me çfarë përgjegjësish do të përballet? Gjithçka do të merret vesh në këtë asamble.


Teatri Kombëtar është nga të parat institucione të kulturës që po bëhet pjesë e një rrjeti të institucioneve ndërkombëtare evropiane. Më 21-23 maj, përfaqësues të TK-së do të udhëtojnë drejt Drezdenit, Gjermani, për tu anëtarësuar zyrtarisht në Unionin Evropian të Teatrove (Union of Theatres of Europe).


Kërkesa në UET është bërë nëntorin e kaluar, një formular standard që TK ka plotësuar dhe depozituar aty. Pak kohë më vonë ka mbërritur përgjigjja pozitive. "Teatri Kombëtar i Shqipërisë bëhet zyrtarisht anëtar i UET, në maj".

Për momentin kjo është e vetmja gjë e sigurt që dihet. Se mbi çfarë kriteresh ky Union ka vendosur të anëtarësojë edhe TK, kjo ndoshta merret vesh gjatë vizitës së delegacionit të UET-së, në 24-26 prill në Tiranë.


Drejtori Kristaq Skrami thotë se Teatri Kombëtar ka gati dy vjet që kontakton me këtë institucion. Ai shpjegon se gjatë kësaj kohe i vetmi komunikim me UET-në ka qenë nëpërmjet postës elektronike.

Gjithçka që UET di për teatrin tonë i është komunikuar nëpërmjet e-maileve, që nga fillimet e teatrit e deri në shfaqjet e ditëve të sotme. Ecuria, shfaqjet, regjisorët, aktorët, skenografët e gjithçka tjetër.

Ose më mirë të themi gjithçka tjetër pozitive. Vallë në këto komunikime elektronike UET-së t'i jetë bëre e ditur se ky teatër nuk ka një kalendar vjetor, po as sezonal, apo se ngjit në skenë gjithfarë produksionesh kundrejt asnjë kriteri? Drejtori justifikohet se "Teatri vitin e kaluar e ka pasur një kalendar".


Vetëm javën tjetër UET do të shohë me sy se çfarë është ky teatër.
Do të jenë dy shfaqjet "Filumena Marturano" dhe "Trojanet" ato që do të tregojnë para delegacionit të UET, më të mirën e teatrit tonë.

"Paketës" i bashkëngjitet edhe një cd me produksionet e regjistruara të dy viteve të fundit, "Franku V" e regjisorit Arben Kumbaro dhe "Pamje nga ura" e Albert Mingës. "I gjithë materiali në cd nuk do të jetë më i gjatë se 10 minuta" shpjegon Skrami, a thua kaq mjafton për të treguar 64 vite histori të Teatrit Kombëtar.


Ndërsa përzgjedhja e dy shfaqjeve që do të prezantohen para UET, nuk ka ndonjë arsye të veçantë: "Zgjodhëm "Filumena Marturanon" sepse është një shfaqje që po luhet aktualisht dhe "Trojanet" sepse është një pjesë që vjen nga antikiteti",- shpjegon Skrami.
Çfarë do të përfitojë Teatri nga ky anëtarësim dhe çfarë kostosh duhet të përballojë për të qenë pjesëtar i denjë i Unionit Evropian të Teatrove?


Përgjigjja që vjen nga drejtori i TK-së është "Në maj do të marrim vesh se çfarë do të bëjmë". Madje në zyrën e tij ka mbërritur edhe programi i këtij seminari, ku Skrami tregon edhe oraret dhe konferencat ku do të marrë pjesë. Ky është i vetmi dokument që tregon se me çfarë do të përballet TK në Drezden.

E vetmja gjë që dihet është se teatri do të duhet të paguajë një taksë të përvitshme prej 5 mijë eurosh.

Një shumë që për drejtorin Skrami është mëse e përballueshme. Përgjigjja e tij e kollajtë nuk ka të bëjë me ankesat e përhershme të teatrit për fonde të pamjaftueshme.
Por përballë një ftese "kaq të madhe" ia vlen të sakrifikohet.


Unioni Evropian i Teatrove u themelua në vitin 1991, një iniciativë e Giorgio Strehler që u mbështet nga ministri francez i Kulturës së asaj kohe, Jack Lang. Mes themeluesve të UET, përmenden edhe emra si Ingmar Bergman, Heiner Müller dhe Jacques Lecoq.

Qëllimi i këtij institucioni është të kontribuojë në integrimin europian nëpërmjet civilizimit, dhe në mënyrë më specifike nëpërmjet teatrit. Të përhapë politikën teatrore, duke kaluar barrierat e gjuhës duke promovuar shkëmbimet kulturore.

UET është një organizëm i cili funksionon sipas idesë që teatri duhet të jetë një vend takimi dhe kuptimi për njerëzit. Këto politika teatrore përfshijnë bashkëprodhimet, bashkëpunimet, dhe shkëmbimet artistike mes teatrove anëtarë të tij, duke respektuar identitetet kulturore dhe traditat e ndryshme.

Në fillimet e tij kishte anëtarë vetëm 7 teatro publike evropiane, ndërsa sot anëtare janë 21 teatro, përmendim "Piccolo Teatro di Milano", (Itali), "Düsseldorfer Schauspielhaus" (Gjermani), "Royal Shakespeare Company" (Britani e Madhe), "Teatro di Roma" (Itali), "Theatre National de Strasbourg" (Francë), "Moscoë Theatre" (Rusi) etj.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›