E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësi i babait dhe shokut: Isha i pirë, jam penduar



Ka qenë nën efektin e pijes, kur pas një sherri banal mes kushëririt dhe shokut të tij të ngushtë, mori automatikun dhe qëlloi me breshëri ndaj tyre, duke vrarë të atin dhe mikun e tij, ndërkohë që nëna dhe djali i dajës mbetën të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi në mbrëmjen e së hënës në Vlorë, në lagjen “Bashkimi”. Sipas burimeve nga policia, autori i ngjarjes është shtetasi Arjon Lula. 22-vjeçari është shprehur, pasi i ka dalë pija, se në momentin që ka kryer këtë krim, ka qenë i dehur dhe se ishte penduar për këtë ngjarje të dhimbshme ku humbi jetën i ati i tij 50 vjeç dhe shoku i ngushtë 28 vjeç. Viktimat nga kjo ngjarje janë i ati i autorit, Musa Lulaj, dhe shoku i tij i ngushtë, Bledar Xhaferaj. Ndërkohë që e ëma e tij, Sofia, është shprehur në lidhje me ngjarjen: “As vetë nuk e di si e kam marrë fishekun në këmbë. Kam dëgjuar krismat dhe dola jashtë me shpejtësi. Rashë mbi burrin dhe i thashë: Vritmë dhe mua”. Autori i krimit u kap më pas nga policia. Ai është shoqëruar në qelitë e paraburgimit nga uniformat blu, në pritje për të dalë përpara gjykatës.

Ngjarja

Autori i krimit, Arjon Lula, djali i tij i dajës, Jovan Lazaj, dhe shoku i ngushtë, Bledar Xhaferaj, kanë qenë në fshatin Picar ku e kanë kaluar mbrëmjen duke pirë alkool. Rreth orës 20:30, të tre të rinjtë janë kthyer në shtëpinë e 22-vjeçarit. Pas disa orësh, nën efektin e pijes, ata kanë filluar që të debatojnë me njëri-tjetrin dhe më pas të konfliktohen fizikisht. I ati i autorit, Musa Lulaj, ka shkuar tek të rinjtë dhe është përpjekur që t’i qetësonte ata. Ai i ka kërkuar të birit që të qetësohej, ndërkohë që është përpjekur që të ulte tensionet. Por, 22-vjeçari nuk e ka dëgjuar dhe midis tyre ka nisur debati. Në këtë situatë, Arjoni ka shkuar në dhomë dhe ka marrë armën që mbante në shtëpi, një automatik të llojit “Kallashnikov” dhe me të ka qëlluar ndaj të gjithë personave që ndodheshin brenda. Si pasojë e plumbave të marrë, kanë humbur jetën i ati 50-vjeçar si dhe shoku i tij i ngushtë. Të dy viktimat kishin marrë plagë të shumta në trup, duke humbur jetën. Ndërkohë që nëna e 22-vjeçarit, autorit të krimit, Sofie Lulaj, si dhe djali i dajës së tij, Jovan Lazaj, mbetën të plagosur dhe pas ndërhyrjes mjekësore janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia

Efektivët në policinë e Vlorës morën informacion se në lagjen “Bashkimi” në periferi të qytetit kishte ndodhur një vrasje. Ata u drejtuan në vendngjarje, ku pas marrjes së informacioneve të para nisën nga puna për kapjen e autorit të krimit. I riu 22-vjeçar kishte arritur që të largohej nga banesa e tij, por ai ra në pranga më pas nga uniformat blu. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe arma e krimit, një automatik “Kallashnikov” model 56, me të cilën ai kishte vrarë babanë dhe shokun e tij të ngushtë, si dhe kishte plagosur të ëmën dhe djalin e dajës. 22-vjeçari, i cili ndodhej në gjendje të dehur, është shoqëruar në qelitë e paraburgimit. Pasi të riut i ka dalë pija, ai është shprehur tek hetuesit se ishte penduar për krimin e kryer. “Kur kam qëlluar, kam qenë i dehur, nuk më kujtohet gjë. Jam penduar për këtë gjë që kam bërë”, - u ka thënë ai hetuesve. 22-vjeçari është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës së rrethit për të marrë masën e arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›