E Diel, 1 Nëntor 2026

Të pakënaqurit e PD-së, krijojnë "KOP" e Polit të Lirisë

Ngjela mbetet vetëm, Bakalli kalon me Polin e Lirisë. Në BOS bëjnë pjesë personalitete të jetës akademike

TIRANË- Strategjinë elektorale që ndoqi PD-ja, katër vite më parë, me krijimin e KOP-it, e ka përvetësuar së fundi edhe Poli i Lirisë, që ka prezantuar dje një forum të ngjashëm me emrin, Bordi i Orientimit Strategjik (BOS). Por, si për ironi, disa prej ish-anëtarëve të KOP-it, të mbetur të zhgënjyer me PD-në, i janë bashkuar nismës së re të këtij bashkimi partish të djathta.

Pjesë e bordit janë akademikë të njohur, intelektualë e profesorë të universitetit, të njohur për kontributin e tyre në jetën akademike, politike dhe publike, si Apollon Baçe, (dikur pjesë e KOP-it), Albert Kariqi e Aleksandër Bushati, ndërkohë që në rolin e zëdhënësit politik është Gilman Bakalli, dikur pjesë e partisë në pushtet.

Jashtë Polit të Lirisë vazhdon të mbetet deputeti i pavarur, Spartak Ngjela, i cili nuk është përgjigjur edhe pas thirrjes së bashkëpunëtorit të tij, Gilman Bakalli, për të qenë pjesë e kësaj lëvizjeje të re.

Bordi i krijuar do të merret me hartimin e politikave strategjike qeverisëse të Polit të Lirisë dhe programin e përbashkët elektoral, quajtur prej përfaqësuesve si një alternativë e re politike për shqiptarët, e në veçanti për elektoratin e djathtë dhe të qendrës.

Duke ironizuar me deklaratat qeveritare për centrale bërthamore në parqet kombëtare, si në rastin e Parkut Natyror të Velipojës, Poli i Lirisë ka premtuar se ofron zgjidhje konkrete për çështjen e pazgjidhur të pronësisë, për dëmshpërblimin dhe integrimin e ish-të dënuarve politikë dhe për reformat jetike, që e shpien vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"Programi ynë do të jetë garanci për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor, për pavarësinë e institucioneve kushtetuese, për një sistem drejtësie që jep drejtësi për qytetarët, e pandikuar politikisht, për një administratë publike të përbërë nga profesionistë në shërbim të qytetarëve, për një ambient ekologjikisht të pastër, që garanton standard evropian për jetën e qytetarëve",- u deklarua dje gjatë prezantimit të BOS-it.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›