Mirditë, plagoset me armë bariu 14-vjeçar
MIRDITË - Një bari 14-vjeçar për pak sa ka gjetur vdekjen në kullotat e fshatit Domgjon të komunës së Fanit në Mirditë, teksa një plumb i ka përshkuar mesin, i ardhur nga një drejtim enigmatik.
I mituri 14-vjeçar Ilir Kola, nxënës i klasës së shtatë në shkollën e Domgjonit, ka qenë duke kullotur bagëtitë në orët e pasdites së djeshme së bashku me disa shokë të tij të fshatit, kur një krismë arme ka bërë që plumbi i dalë nga gryka e një kallashnikovi të depërtojë në trupin e tij duke i rrezikuar seriozisht jetën.
Kanë qenë fëmijët që e kanë mbartur në krah për më se një orë nga mali ku ishte kullota për ta dërguar tek qendra shëndetësore e komunës. Me mjete të kufizuara në kësi rastesh ndihma e parë i është dhënë nga mjeku i zonës Gjon Lleshi, i cili ka mundur të ndalë rrjedhjen e mëtejshme të gjakut dhe duke mundur ta mbajë në jetë, ndërsa më pas është transportuar në më se dy orë të tjera rrugë për në spitalin e Rrëshenit për t'iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas mjekëve, plumbi e ka kapur në ijën e majtë të trupit për të depërtuar në anën tjetër pasi ka përshkuar tërë legenin.
Operacioni ka zgjatur për më se dy orë, por fëmija ka shpëtuar dhe sipas mjekëve nuk ka pësuar dëmtime të rënda në kockë por sidomos në inde. Policia ka shkuar në vendgjarje për të hetuar rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, nëse ka qenë diçka e pakujdesshme në mes fëmijëve apo një plan i kurdisur për të vrarë fëmijën. Deri më tash nuk ka një pistë të saktë të kësaj ngjarje.