Dhërmiu, perla që po shkatërrohet dhe ku shërbimi nuk justifikon çmimin (FOTO)
—-Nga Dorina Bilbili—-
Himarë – I shtrirë buzë Jonit e në shpatet e maleve Vetëtimë Pritëse, Dhërmiu është fshati i dytë i Himarës që mahnit me bukuritë që i ka dhuruar nëna natyrë, por rënkon nga mungesa e investimeve për rreshtimin e turizmit të tij në piramidën e vendeve që sduhen lënë pa vizituar e etiketuar për pushime.
Ashtu si edhe në poemat e Horacit, Dhërmiu vijon të shquhet për gjelbërimin e ullinjve dhe agrumeve. Paçka dorës së betonizimit si ka shpëtuar as kjo përrallë e natyrës, sepse hotele e vila luksoze janë ndërtuar e vijojnë të ngrenë themelet përgjatë e brenda fshatit.
Në plazhin më tepër së pesë kilometra të gjatë duket se janë mbledhur tok pushuesit anë e kënd trojeve shqipfolëse. Sepse me ndërtimin e Rrugës së Kombit, plazhet e Jugut të vendit janë kthyer në një destinacion të preferuar edhe për shqiptarët e Kosovës.
Sipas gojëdhënave që qëndrojnë edhe sot, Dhërmiu është një vend ku ‘gërshetohet tërheqja nga deti i kaltër dhe i pastër i Jonit më atë të ajrit të pastër dhe të shëndetshëm të maleve’. Fshati tërheq vizitorë edhe në periudhën e dimrit, si ato të huaj edhe shqiptarë. Por padyshim pikun e popullimit e ka në muajt e verës ku jeta e natës është më elektrizuese se kudo tjetër në rivierën shqiptare.
Po si po bëhet turizëm në Dhërmi? E si po shfrytëzohen këto bukuri natyrore?
Rruga që të zbret në bregdet përmes Llogarasë është e shtruar edhe pse tepër e rrezikshmepor me të zbritur zona vijon të jetë e virgjër sa i takon infrastrukturës rrugore e duke patur parasysh fluksin e madh te automjeteve dhe pushuesve që zgjedhin Dhërmiun për të pushuar, krijohet një kakofoni makinash e njerëzish në luftë për të çarë. Kjo si ditën ashtu edhe natën. Rrugët e hapura andej këndej sipas interesave të ndërtuesve, pa ndriçim dhe asnjë sinjalistike, janë mankthi i pushuesve që jo pak herë përfundojnë në ferra nga ndonjë makinë, e për shoferët e këtyre të fundit që parkojnë ku dhe si të munden.
Të kalosh natën në Dhërmi mund të zgjedhësh mes tre alternativave: Shtëpi pushimi të banorëve të zonës, hotele ose të gresh çadrën në mes të pishave ose buzë detit. Bregdeti ka mbetur shumë pak pronë publike, sepse privati ka shtrirë shezllonët e tij që merren për 500-700 lekë kudo. Çmimet e pushimit në Dhërmi variojnë, por cilësohen të kripura nga turistët. Ata bashkë me pronarët e hoteleve ankohen për mungesen e tensionit të energjisë elekstrike që sjell zinxhir mungesën e ujit për shkak të stakimit të pompave dhe atë të ajrit të kondicionuar.
Siç e sheh ka mbetur që në kohën e Enverit. Kush të ndërhyjë? Si bëhet vonë njeriu kemi apo skemi tension dritash. Vlora votoi socialistët e askush nuk na pa me sy këto vite. Hotelin e kam ngritur me sakrifica dhe vetë e kam mbajtur. Shteti sdo tja dijë se këtu në vilat e tyre kanë drita tamam,-thotë për Gazetën IDEA, Zonja Mira, pronare e një hoteli në plazh të cilën e gjejmë të stacionuar pranë automatit, i cili bie nga tensioni i dobët duke i lënë pushuesit në dush.
40-70 euro nata është kostoja vetëm e fjetjes për një natë në Dhërmi, por nuk merr shërbimin e pritur, çka për shumë persona që kanë vizituar vendet fqinjë është abuziv.
Ne kemi qenë në plazhet e Greqisë e të Italisë, por të paguash e mos të marrësh shërbim këtu kemi parë. Me pak më shumë para atje kalon si mbretjo më larg se në Korfuz. Pak a shumë e njëjta klimë, por shërbimi të rri mbi kokë. Këtu nuk ka pikë menaxhimi. Mungon shërbimi në dhomë, uji, dritat, në supermarket gjen ushqime me miza brenda. Po a i kontrollon kush këta njerëz?,-thonë Aurora, një shqiptare që banon në Itali e që pushimet i kaloi këtë verë në Dhërmi.
Por ajo çka më së shumti të shqetëson është niveli i ndotjes së ambientit në zonën e plazhit. Edhe pse Dhërmiu shquhet për klimën kururese natyrore, mbeturinat bëjnë ligjin atje. Siç duket edhe nga pamjet nuk ka cep që nuk gjen qese të braktisura, ose kazanë që kutërbojnë nga aroma e mbeturinave të ndenjura, që me temperaturat e larta janë shndërruar edhe në vatër infeksionesh.
Të ushqehesh në Dhërmi kushton disa herë më shtrenjtë se në Tiranë, po ashtu edhe të lexosh shtypin e ditës apo edhe të pish ujëtë cilin fshati e ka më bollëk nga burimet malore.
Padyshim që derisa njeriu të mirëmenaxhojë e shteti të hedhë sytë kah infrastruktura minimale për të patur turizëm, pushuesve i mbetet të shijojnë bukuritë e natyrës. Sepse Dhërmiu ofron vende që duhen vizituar. Manastiri i Shën Marisë, i shtrirë në majë të kodrës të Dhërmiut, ai i Shën Theodhorit në kodrën mbi det si dhe kishat e Shën Harallambit dhe janë objekte kulti që tërheqin, por lënia në harresë po i degradon nga dita në ditë.
Alevrat janë një vend i preferuar për tu vizituar, pa harruar Shpellën e Piratëve, e famshme nga libri i Petro Markos dhe më pas nga filmi i Kinostudios “Shqipëria Sot”. Për t’u parë mbetet Gjiri i Gjipësë, i cili shquhet për rërën e imët dhe të pastër. Gramatat, që shtrihen në veri të Dhërmiut ku gjendën disa epigramë në gjuhën grekë etj.
Dhërmiu, perla që po shkatërrohet dhe ku shërbimi nuk justifikon çmimin
◄ Back
Next ►
Picture 1 of 62