E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, s'i jepnin para për drogë, i riu dhunon prindërit

BERAT - Blutë e Beratit kanë vënë në pranga dje një 24-vjeçar, pasi ka dhunuar sistematikisht dhe ka kanosur me jetë, prindërit dhe motrën e tij.
24-vjeçari Olti Koleka, banor i lagjes "Donika Kastrioti", është arrestuar në flagrancë mbrëmjen e së dielës, pas denoncimit të të atit, Vladimir Koleka, 61 vjeç. Mësohet se babai ka deklaruar në polici se djali i tij ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike, dhe ka kanosur me thikë jo vetëm atë, por dhe nënën dhe motrën e tij 23 vjeçe. 

Policia bën me dije se shkaku i dhunës që 24-vjeçari ushtronte ndaj prindërve ka qenë kërkesa e tij e vazhdueshme për t'i gjetur para për të siguruar hashash, përdorues i të cilit ishte prej kohësh. Dhuna e vazhdueshme dhe kërcënimi me jetë, ka bërë që 61-vjeçari të marrë rrugën për në Policinë e Beratit. Pre e dhunës së 24-vjeçarit ka rënë edhe motra e tij, e cila ndërhynte herë pas here për të ndalur dhunën, duke u dalë në mbrojtje prindërve të saj.
(e.m/G.SH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›