E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhimbja dhe shpresa, në librin me kujtime të Reshat Kripës

Tregimtari Reshat Kripa del para lexuesit me librin e tij të tretë Rini e copëtuar. Gjëja e parë që të bie në sy në këtë vepër është përvijimi i stilit të tij origjinal. Pa parashtrirje, ai vetërrëfen bëma e dukuri që i pa me sy, i dëgjoi me vesh dhe i shkroi nën lëkurë. Mos të harrojmë se kemi të bëjmë me një autor shtatëdhjetetrevjeçar, që ka një përvojë të dhimbshme e një kulturë të mjaftueshme për të hedhur në shkrim ndjenjat dhe mendimet e tij për jetën, për njerëzit dhe për çdo gjë të mënxyrtë e absurde  që përshkoi tejembanë atë sistem totalitar e shterp, nën të cilin lëngoi, si asnjë vend tjetër, Shqipëria dhe shqiptarët për gati një gjysmë shekulli. Qysh në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare autori u gllabërua nga kthetrat e zeza të sigurimit të shtetit komunist. U përballë me dinjitet me mokrrën  e kuqe të burgjeve skëterrë, kur skishte vënë ende brisk në faqe. Torturat në sigurimin e Vlorës, egërsitë në kampet e Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit e Bulqizës janë vizatuar nëpërmjet dridhjeve më të holla të penës së tij, duke na dhënë personazhe dhe peizazhe të lëvizshme të një jete të mugët dhe të ngrirë. Syrit të autorit nuk i ka shpëtuar asgjë nga makabriteti  i gjaktë dhe turbullues, që kishte përfshirë tërë jetën shqiptare në ato vite merimangore. Një jetë e trazuar, e shkrumbtë, e ankthshme, e veshur me një pëlhurë të zezë absurdi, të bën të shtangesh, të tkurresh dhe të vuash bashkë me rrëfimtarin. Ai nuk u qa, nuk u thye, nuk u shtir asnjëherë në jetën e tij. Vepra të duket si një kronikë e jetës plot dhimbje të një familjeje vlonjate, që ruajti nderin, krenarinë dhe dinjitetin në atë mjedis mbytës, kobëzi e shafran. Rrëfimi në vepër jepet nëpërmjet dramës së brendshme që përjeton protagonisti, pra, vetë autori. Me modesti, me respekt e me maturi jepen me penelata të kursyera, portretet e prindërve të tij, motrave e vëllezërve, të afërmve, miqve, emrave të ndritur të atyre të burgosurve që mbetën simboli i qëndresës antikomuniste. Për ta ai shpreh mirënjohje dhe respekt. Përballë realitetit të atyre që thamë më sipër, vendosen hetuesit gagaçë, oficerët e zinj të sigurimit, gardianët gdhe e të pashpirte dhe spiunët e dalë boje. Grupi i parë i personazheve shquhet për epërsi morale, ndërsa i dyti një lukuni bishash me shkretëtirë shpirtërore. Në përgjithësi, në përshkrimin e personazheve, autori nuk i jep rëndësi anëve të jashtme, por të fshehtave të shpirtit të tyre, që dalin në pah nëpërmjet veprimit apo rrëfimit. Nuk mungon qëndrimi emocional në përshkrimin e babait të tij, nënës, motrave e vëllezërve, shokëve e miqve. Nuk gjen në këtë libër shtirje, shtesë apo fshehje. Ka vetëm një shpirt bujar e fisnik, që përshkruan me zemër në dorë çfarë pa, dëgjoi e provoi mbi shpatullat e tij. Ndaj e ritheksoj se rrëfimet e Kripës në këtë libër janë bindëse, tërheqëse, emocionale e jetësore. Besnik para vetes dhe Zotit, ai spërkat çdo shkronjë, çdo fjalë, çdo fjali me lëngun ndiesor të shpirtit të tij. Si njeri, bëri aq sa mundi për të ruajtur kristalor fisnikërinë e tij, për të ruajtur çdo gjë të virtytshme që trashëgoi nga familja e tij bujare, për të ruajtur shpirtin, traditat dhe bukuritë e magjishme të qytetit të tij, Vlorës, që në këtë libër shpaloset me të gjitha nuancat e saj, të ndritura e të zymta.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›