Dhimitër Shuteriqi: Liria dhe robëria e profileve të çastit
Albumi me 140 portrete vizatime e skica në laps e penë nga Dhimitër S. Shuteriqi, është një total memec që nuk jep më shumë informacion se të dhënat e përgjithshme të nënshkrimit të autorit. Ai shënon emrin e personit në portret, profesionin e tij dhe datën e realizimit që mund të ketë ndodhur gjatë një takimi, pushimi apo vëzhgimi të tipareve të tjetrit.
Ekspozita në mjediset e Tirana Ekspres në magazinat e stacionit hekurudhor në kryeqytet, nuk është një koleksion veprash arti. Është një bashkim kohësh e vendesh që fshihen në anën tjetër të profileve të personazheve që ka kapur Dhimitër Shuteriqi (1915-2003). Ne nuk mund ti shohim as kohët e as vendet, por nëpërmjet të dhënave biografike mbi Shuteriqin mund të ndjejmë atë pak lëvizje që ka turbulluar nganjëherë dorën e autorit e cila ruan të njëjtin karakter sjelljeje kundrejt personazheve.
Portretet çojnë në dy kohë dhe në dy hapësira gjeografike si hapësira kulturore. Janë dy periudhat më të rëndësishme në jetën e Shuteriqit: formimi si intelektual në Perëndim dhe drejtimi i institucionit të propagandës së Partisë së Punës.
E para i përket periudhës së studimeve për filozofi e drejtësi në Grënobl, fundi i viteve tridhjetë. Shkonte aty nga Liceu Francez i Korçës ku kishte patur mësues të lëndës së vizatimit piktorin më të rëndësishëm shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX, Vangjush Mio. Kultura fillestare e vizatimit u bashkua me klimën e muzeve, galerive, mjediseve të artit që frekuentoi në Francë. Më 1935 kishte botuar në Korçë Kangët e rinisë së parë një poezi thellësisht e frymëzuar nga simbolistët francezë, e njohur si periudha e poezive baudelaire-iane në krijimtarinë e Shuteriqit, të cilës i dha krejt tjetër rrjedhë në Shqipëri.
Vizatimet e viteve 1937-38 janë portrete miqsh studentë, njerëz të kulturës. Ato ndjekin linjën e thjeshtë realiste të tipareve njerëzore shfaqin edhe tendenca kubiste. Madje për ftesën ekspozitës është përdorur një portret i kësaj natyre si për ta identifikuar portretin e Shuteriqit me këtë fazë kërkimi e frymëzimi që mori fund me kthimin në atdhe, në vitin 42, pas qëndrimit në një kamp emigrantësh.
Periudha e dytë e portreteve është një zhvendosje brenda për brenda oborrit të Lidhjes së Shkrimtarëve prej vitit 1953 kur Shuteriqi erdhi në krye dhe sapo kishte botuar vëllimin I të romanit Çlirimtarët, që u konsiderua për 40 vjet si romani i parë i letërsisë shqipe të realizmit socialist.
Ka skicuar Mark Ndojën sekretari i LSH i akuzuar për krijimin e një fraksioni letrar bashkë me Kasëm Trebeshinën e Mehmet Myftiun. Profilet e poetit Ali Asllani, aktorit Mihal Popi, përkthyesit e dramaturgut Spiro Çomora, piktorit Nexhmedin Zajmi, e punonjësit shkencor Milto Sotir Gurra, sopranoja Marije Paluca Kraja, patriotja Parashqevi Qirjazi, janë ndërmjet viteve 1945-60. Organizatorin e lëvizjes komuniste në Shqipëri, Koço Tashkon e ka skicuar në Pragë në vitin 1958.
Bëjnë një përjashtim për mprehtësinë e tipareve që karakterizojnë portretet e malësorëve, luftëtarëve me Dedë Gjolulin e Bajram Currin të cilët autori i ka takuar gjatë udhëtimeve në Veri.
Deri në tetëdhjetën portretet duken njëlloj, më afër karikaturës: Sali Shijaku e Skënder Kamberi, Sterjo Spasse e Ismail Kadare, Çesk Zadeja e Baki Kongoli me dy kokë. Portreti i Adelina Mamaqit, nga të paktët portretet femërore në ekspozitës është realizuar në trajtën e një çelësi muzikor. Janë portretet e Lasgush Poradecit të cilit në vitet e rinisë, Shuteriqi i pati kushtuar një poezi, e të Skënder Luarasit me të cilin kishte patur polemikë për botimin e veprës së Migjenit.
Më 1973 u shkarkua nga Lidhja për liberalizëm. Po vinte Plenumi IV. Shuteriqi kaloi dhjetë vjet izolimi, nuk shfaqej dhe nuk ftohej në rrethet e artistëve. Ismail Kadare e përshkruan rënien e Shuteriqit, ndoshta i vetmi profil i tiji letrar, në romanin Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje.
Shuteriqi vetë do të flasë për të gjitha këto që ekspozita e portreteve i sugjeron përciptazi, nëse do të botohen kujtimet të cilat ai i plotësoi deri në ditët e fundit.
Për herë të parë e të fundit portreti i Shuteriqit u skicua në romanin e shkurtër të Ismail Kadaresë, Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje
Një epokë
Bereta e zezë gaskonje dhe llulla e shuar në syprinën e tryezës, ishte një shenjë pritje në zyrën e Kryetarit të Lidhjes. Pas mbledhjes me shkrimtarët të Plenumit IV, ku merrte pjesë gruaja e Udhëheqësit, pritej qarkullimi. Në çprovincë a minierë do të degdiseshin ata mbi të cilët rëndonte turpi i mbylljes në guaskë dhe borgjezimi i jetës.
Për të rrokur një histori 50-vjeçare, mjafton ndonjëherë një ditë, një ngjarje, një njeri, një shtëpi, apo qoftë edhe një Lidhje. Për të mësuar se çndodhte në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Ismail Kadare në romanin e shkurtër Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve përballë pasqyrës së një gruaje, qëndron në furtunën para dhe pas Plenumit që goditi intelektualët shqiptarë, që i largoi nga kryeqyteti, nga tempull i përdhosur sy për sy Sigurimit, nga jeta dhe arti që kishte filluar të pësonte shkarje, për ti hedhur atje ku jetonin masat, për të rregulluar gabimet e mëkatet, për tu bërë të mbarë e të shtruar me kthimin në Tiranë.
Ishte fundi i karrierës 24-vjeçare edhe për kryetarin e Lidhjes. Kadare përshkruan tek Përballë pasqyrës së një gruaje, Dhimitër Shuteriqin prej ditës kur kishin pirë kafenë e njohjes së tyre, deri në lajmin e qarkullimit të shkrimtarëve. Që midis nesh do të kishte një pengesë afrimi, unë e kisha ndjerë qysh në takimin e parë, kur ai më kishte ftuar të pinim bashkë një kafe, siç bënte shpesh me rishtarët që fillonin punën në Lidhjen e Shkrimtarëve, shkruan Kadare, në kapitullin kushtuar kryetarit, që edhe pse nuk e përmend asnjëherë me emër, ai është Shuteriqi.
Pas viteve 90-të janë hapur shpesh debate në shtypin e shkruar për misionin e Lidhjes së Shkrimtarëve nën diktaturë. Debate për hapjen e dosjeve, që sipas atyre që e kërkonin këtë do të dilte në shesh inkriminimi i drejtpërdrejtë i Lidhjes me regjimin e Hoxhës. Dyshimet binin mbi këdo, edhe mbi ata që bënin tifozin pa iu dridhur syri dhe të bindur se emrat e tyre si bashkëpunëtor nuk do të figuronin në asnjë dosjezezë. Ditën kur Kryetari iu transmeton shkrimtarëve të rinj, mes tyre të riut Kadare, atë ditë kur qeskat poshtë syve i vareshin më shumë se kurrë, duke iu thënë se tani iu kishte ardhur radha e qarkullimit edhe atyre të shtëpisë, edhe kryetarit vetë, Kadare shkruan: Po vrisja mendjen të gjeja përse i isha shmangur afrimit me këtë njeri. Kishte mbaruar studimet në Francë në vitet 30, vishej gjithnjë bukur dhe veç një berete gaskonje, që e vinte shpesh, e mbante llullën njëlloj si shkrimtarët francezë, që i kishim parë në fotografi. Të gjitha këto më pëlqenin, madje dy javë më parë, në një nga përfytyrimet e vajtjes tek Margarita, kisha menduar se sa me ëndje, do tia kisha kërkuar hua atë beretë e atë llullë për mbrëmjen e parë, atë të njohjes me M.
Një nga pikat e dobëta për kryetarin ishte Franca, fakti që kishin të bënin me një kryetar që kishte studiuar në Francën borgjeze.
Por Kadare e çon deri në fund portretin e tij, në rrjedhë logjike. Franca ishte vendi i studimeve të udhëheqësit. Kështu që ai që e përdori për argument këtë gjë, kishte rrezik të thyente qafën për vete.
Ja ku ishin përballë, Shuteriqi e Kadare. Çfarë i bënte të moskuptueshëm. Ai një kryetar që para se ti nxinte goja emrat e atyre që do të qarkullonin, numër
