E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetëra fshatra nën darën e dëborës

Burime nga Prefektura e Qarkut, bënë me dije se vazhdojnë të jenë të izoluara komunat e Arrnit, Kalisit, Grykë-Cajës, Topojanit, Shishtavecit dhe Zapodit, zona këto ku edhe trashësia e dëborës arrin në afro 80 centimetra.

Ndërkohë, situata po shkon drejt përmirësimit në autostradën e Kombit, segmenti Morin-Kukës-Tunel, si dhe në aksin Kukës-Krumë, pasi në to po hidhet skorje dhe kripë. Shqetësimi më i madh është prania e akullit. Nga ana e policisë rrugore po punohet për mbajtjen nën kontroll të situatës përmes shtimit të  postblloqeve  në akset rrugore, duke mos lejuar lëvizjen e mjeteve që nuk janë të pajisur me  pajisje dimërore, gjë që ka sjellë që deri tani të mos shënohet ndonjë aksident  automobilistik.

Përmirësimi i motit  ka sjellë edhe përshpejtimin e punës për eliminimin e defekteve të shumta në rrjetin elektrik. Tashmë thuajse të gjitha zonat e qarkut të Kukësit furnizohen me energji elektrike.  Si rrjedhojë e erërave të forta dhe reshjeve të dëborës u dëmtuan brenda një kohe të shkurtër  një numër fidrash, rrëzim shtyllash dhe dëmtim të kabinave elektrike.

Tashmë edhe këto defekte përgjithësisht janë eliminuar duke rikthyer jetën normale të banorëve. Situata në komuna të tjera të Qarkut të Dibrës po shkon drejt përmirësimit. Megjithatë, situata është përmirësuar në komunat e bllokuara prej disa ditësh në Korçë, Shkodër, Dibër dhe Vlorë, të cilat janë zhvllokuar. “Situata është e normalizuar edhe në qafën e Llogarasë. Pavarësisht motit të keq, akset nacionale dhe rurale mbeten tërësisht funksionale”, tha kreu i Qendrës Operative të Emergjencave, Trifon Llupo.

Ngricat dhe akulli i krijuar nga rënia e temperaturave dhe erës së ftohtë, kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve edhe përgjatë rrugës që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë. Qarkullimi në këtë rrugë duhet të bëhet vetëm me zinxhir.

Dy ditë më parë në Qafën e Llogorasë, me lartësi 1050 metra mbi nivelin e detit, reshjet e dëborës bllokuan qarkullimin e automjeteve për disa orë dhe vetëm pas ndërhyrjes së punonjësve dhe mjeteve të Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve, u bë e mundur normalizimi dhe qarkullimi i tyre. /Start/

                                                                                             2012-01-08 12:59
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›