E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i Sarajevës, “vija e kuqe” e BE-se për Berishën dhe Ramën për zgjidhjen e krizës

Cilat ishin pikat e përplasjes mes Berishës dhe ndërkombëtarëve në tryezën e Strasburgut

Armando Meta
Samiti i Sarajevës është “vija e kuqe” që Bashkimi Europian u ka vënë dy drejtuesve kryesorë të politikës shqiptare, përkatësisht kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës Edi Rama, për të arritur një kompromis për zgjidhjen e krizës politike në vend. Kjo u është bërë e qartë Berishës dhe Ramës gjatë takimit të zhvilluar dy net më parë në Strasburg, me ndërmjetësinë e zyrtarëve më të lartë të Brukselit dhe të Parlamentit Europian. Në këtë tryezë ishin të pranishëm Martin Shulz, kryetar i fraksionit socialdemokrat në PE, Zhosef Daul, kryetar i fraksionit të Partive Popullore si dhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Shtefan Fyle.
Samiti i BE-së, që do të mbahet më 2 qershor në Sarajevë, do të mbledhë drejtuesit më lartë të shteteve të Ballkanit, në një përpjekje për të nxitur frymën e bashkëpunimit mes këtyre vendeve, integrimit në BE dhe ndezja e dritës së gjelbër për liberalizimin e vizave. Ky afat është vendosur për shkak se në takimin e Strasburgut, Berisha dhe Rama nuk arritën një akord për zgjidhjen e krizës politike në vend, ndonëse me terma diplomatikë palët në bisedime nuk lanë të kuptohet se ky takim ishte i dështuar. Dialogu do të vazhdojë me ndërmjetësimin e institucioneve europiane, por pa përcaktuar ende vendin e zhvillimit të takimeve të tjera. Mendohet se takimet e ardhshme do të mbahen në Bruksel apo në Strasburg. “Në takimin e zhvilluar në një atmosferë pozitive është rënë dakord për disa nga çështjet, - tha zëdhënësi i Zhozef Daulit, Antoine Ripoll për Dojçe Velen, - por, për të siguruar vazhdimësinë e dialogut nuk duam të bëjmë publike për cilat çështje ka pasur marrëveshje”.
Rama dhe ndërkombëtarët
Përtej deklarimeve me natyrë diplomatike që pjesëmarrësit në tryezën e darkës së Strasburgut bënë për mediat pas takimit, nga burime diplomatike mësohet se zyrtarët e lartë europianë nuk kanë ngurruar të bëjnë të qartë edhe njëherë se moszgjidhja e krizës do të ketë pasoja mjaft të rënda për Shqipërinë, duke filluar që nga bllokimi i procesit të liberalizimit të vizave, pezullimi i shqyrtimit të kërkesës për integrimin në BE, si dhe një sërë masash të tjera. Shkak për riartikulimin e këtyre pasojave mësohet se është bërë kundërshtimi i kryeministrit Berisha për të pranuar transparencën e fletëve të votimit, pavarësisht nga modalitetet e ofruara. Ndaj kryesocialistit Rama mësohet se ka pasur më pak presion, pasi ky i fundit vinte në tryezën e darkës së Strasburgut me disa kompromise të diktuara nga faktori ndërkombëtarë si ndërprerja e bojkotit, hyrja e PS-së në Parlament, njohja në një farë mënyre e legjitimitetit të qeverisë, ndërprerja e grevës së urisë dhe e protestave në mbarë vendin, si dhe pranimi i formulës së kreut të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, për zgjidhjen e krizës. Formula në fjalë mbështetej edhe nga BE-ja e SHBA-të. Praktikisht Rama i kishte plotësuar kërkesat e ndërkombëtarëve, ndaj vëmendja në këtë tryezë është përqendruar te kryeministri Berisha, për ta bindur atë të heqë dorë nga refuzimi kategorik për hetimin e fletëve të votimit.
Kundërshtimet e Berishës
Dy kanë qenë argumentet kryesore që Berisha ka përdorur për të mos u arritur marrëveshja politike: Kushtetuta nuk e lejon hetimin e zgjedhjeve dhe nëse hetohen materialet zgjedhore, duhet të digjen fletët e votimit. Më shumë se ligjore mësohet se interpretimet e kryeministrit rreth këtyre dy çështjeve kanë qenë personale. Për të pasuruar arsyet e kundërshtimeve mësohet se Berisha nuk ka ngurruar të hedhë në tryezën e darkës së Strasburgut edhe argumentin se Shqipëria është një vend sovran, që ka institucionet e saj. Luajtja me tezën e sovranitetit në një kohë kur Shqipëria kërkon të liberalizojë vizat dhe të integrohet në BE, duket se ka qenë më shumë një përpjekje për ta konsideruar problemin e transparencës së zgjedhjeve si një “çështje të brendshme”, nga e cila ndërkombëtarët duhet të mbajnë distancë. Në një farë mënyre, vetë kryeministri, me këtë tezë tipike të trashëgimisë komuniste të vendit dhe kundërshtimeve për transparencën e zgjedhjeve, është kthyer në protagonist të përballjes me ndërkombëtarët. Edhe presioni ndërkombëtar, më së shumti është përqendruar te Berisha që ai t’i hapë rrugë zgjidhjes së krizës politike duke pranuar disa nga opsionet për zgjidhjen e saj të ofruara nga opozita dhe faktori ndërkombëtar. Por përpjekjet kanë qenë pa rezultat. Parë në këtë këndvështrim, tryeza e Strasburgut shënoi një dështim të BE-së në përpjekjen për të bindur kryeministrin Berisha të pranojë hetimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ky dështim shndrit pak më shumë po të kihet parasysh se në negociata u përfshinë edhe aleatë të PD-së në BE.

22 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›