“Grabitësi i Tiranës vrau djalin në Greqi, kam dëshmitarë”
KUKES/ JONUZ HALLACI
Islam Krasniqi, babai i 22-vjeçarit Renato Krasniqit, emigrantit të vrarë në Athinë pak ditë më parë, është i bindur se vrasësi i të birit është Romeo Leka. Pengmarrësi i arrestuar të premten në Tiranë, sipas tij, ekzekutoi djalin, Renaton, më 8 mars të këtij viti në Greqi. Por dhe pse krimi kishte dëshmitarë, Policia greke thotë se po e heton ngjarjen, ndërsa dijeni për këtë kishte dhe Policia shqiptare. Babai i Renato Krasniqit është paraqitur edhe dy ditë më parë në policinë e Kukësit, për të treguar me foto vrasësin e të birit, i cili dhe në dokumentet që zotëron ai kishte të njëjtën veshje si ditën e grabitjes dhe pengmarrjes në Tiranë. Në një intervistë për gazetën "Panorama", babai i emigrantit shqiptar të vrarë në Greqi nga pengmarrësi-grabitës që u arrestua në Tiranë, tregon detajet e krimit të ndodhur në Athinë.
Si ka ndodhur vrasja e djalit tuaj?
Me datë 8 të këtij muaji Romeo Leka ka vrarë djalin tim në dhomën e shtëpisë së tij në Athinë. Atë ditë, im bir, Renato ka qenë në dhomë edhe me shokun e tij Kleo Kaci nga Oroshi i Mirditës. Kleo ka shpëtuar, pasi ka marrë plagë në fyt me thikë, ndërsa djali im ka vdekur në vend. Më pas krimineli ka dalë nga dhoma dhe është larguar në drejtim të paditur.
Pse akuzoni Romeo Lekën si vrasës të djalit tuaj dhe cilat janë shkaqet që ju mendoni që e kanë shtyrë drejt krimit?
Mbase për para dhe për dokumente. Dokumentet që i ishin marrë djalit tim, policia ia ka gjetur një tjetër krimineli grek në Athinë. Që Romeo Leka është vrasës i tim biri e vërteton Kleo Kaci nga Oroshi i Mirditës, ish-shok i ngushtë i djalit tim. Fotografi të këtij krimineli ka pasur djali më parë në aparatet e tij, të cilat tani ndodhen në Policinë greke. Djali e ka pasur shok, e ka kujtuar për njeri të mirë se ashtu është hequr.
Prej sa kohësh njiheshin të dy, djali juaj me të arrestuarin për grabitje e pengmarrje në Tiranë?
Unë e di prej 2 muajsh që para se të ndodhte vrasja. Djali im jetonte prej 4 vitesh në Athinë dhe e ka ndihmuar si shqiptar. Krimineli nuk punonte dhe djali im e ka mbajtur me bukë, kafe e cigare dhe shumë herë e ka strehuar në dhomë. Djali im nuk e njihte më parë dhe nuk e dinte se kush ishte, por thjesht e kishte ndihmuar si emigrant. Krimineli hiqej si shok i mirë. Por ai e qëlloi me thikë pas shpine.
Po njerëz të tjerë të familjes tuaj janë në Greqi dhe çfarë dijenie kanë pasur rreth ngjarjes?
Po, motra ime që është në Greqi prej 15 vitesh me familjen e saj, jeton pak më larg djalit. Në momentin që më ka telefonuar shoku i djalit se Renato është vrarë i kam telefonuar motrës dhe ajo ka shkuar në vendngjarje dhe ka verifikuar se është djali im.
çfarë rruge ndoqët pasi morët vesh për vrasjen e djalit?
Sapo mora lajmin e rëndë nga shoku i djalit i cili më tregoi për vrasjen kam shkuar në Policinë e Kukësit, jam takuar me drejtorin e policisë dhe shefin e Krimeve dhe kam kërkuar përshpejtimin e procedurave për kthimin e trupit të djalit, që të mos zgjatej kthimi i kufomës. U dhashë emrin e kriminelit, por jo foton, pasi nuk e kisha. Në Greqi janë interesuar njerëzit e mi dhe aty policia u ka thënë se po hetojnë dhe pse kishin një emër konkret.
Kur patë aksionin e policisë në Tiranë e njohët?
Më thirri një komshi hajde shih ç'po bëhet në Tiranë. Menjëherë nxora fotografinë që ma kishte sjellë vajza që është në Sentorini nëpërmjet shokut të djalit. Pashë se ishte i njëjti person, po me ato veshje që kishte grabitur bankën në Tiranë.
çfarë bëtë pas kësaj, a shkuat në polici? çfarë kërkoni nga shteti?
Sapo e pashë, mora dokumentet që më ka sjellë vajza nga Greqia, fotografinë, numrin e telefonit të shokut të djalit dhe dëshmova duke kërkuar që krimineli të përgjigjet deri më një para ligjit për krimin që ka bërë.
Pengmarrësi: Grabitjen e bëra vetëm, s’kam bashkëpunëtorë
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë e cila po heton grabitjen e bankës dhe më pas pengmarrjen e studentes 19-vjeçare të Juridikut, ka marrë dje në pyetje të arrestuarin Romeo Leka. Pas dokumentimit të disa krimeve të kryera prej tij në Tiranë, si tentativa e grabitjes së një banke tek rruga e Elbasanit dy ditë para pengmarrjes, apo grabitja e mbetur në tentativë e një taksisti në rrugën Tiranë-Mëzez, grupi i hetimit ka verifikuar nëse 25-vjeçari nga Lezha ka pasur bashkëpunëtorë në aktivitetin e tij. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se Romeo Leka ka mohuar të ketë bashkëpunuar me njeri gjatë aktivitetit të tij kriminal. Ai ka thënë se ka vepruar i vetëm dhe pa bashkëpunuar me askënd. Sipas tij, për krimet që ka kryer nuk ka pasur dijeni askush tjetër pasi edhe me anëtarët e familjes dhe të fisit, nuk kishte mbajtur kontakte. Një pohim i tillë i të arrestuarit për grabitje e pengmarrje, sipas hetuesve duket i besueshëm pasi nga provat e mbledhura në rrugë procedurale ka rezultuar se 25-vjeçari i ka kryer i vetëm krimet në Tiranë. Po kështu, një tjetër element që e bën të besueshme të paktën një pjesë të dëshmisë së të riut, është fakti se ai ka pranuar akuzat që janë ngritur ndaj tij, grabitjen e mbetur në tentativë të bankës te "Ali Demi", përpjekjen për të grabitur një taksist e më pas vjedhjen me armë të bankës dhe pengmarrjen e vajzës 19-vjeçare Lori Hatellari. tr.so
30 milionë
Shuma e parave të grabitura në bankë nga 25-vjeçari Romeo Leka, ka qenë plot 30 milionë lekë të vjetra. Sipas burimeve nga grupi i hetimit mësohet se menjëherë pas grabitjes, hetuesit kanë mbërritur në filialin e bankës ku ndodhi ngjarja dhe kanë kërkuar të dokumentojnë shumën e parave që ishte marrë nën kërcënimin e armës. Nga procesverbalet ka rezultuar se i riu nga Lezha kishte marrë në çantën e tij gjithë shumën që ndodhej për momentin në arkë, e cila kap vlerën e 30 milionë lekëve të vjetra. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume është sekuestruar dhe pritet t'i kthehet bankës edhe pse disa tufa me para u hodhën në rrugë nga grabitësi gjatë negociatave me policinë.
Akuzat
Pesë akuza të rënda janë ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj 25-vjeçarit Romeo Leka, i cili grabiti bankën dhe më pas mbajti peng studenten e Juridikut,"Vjedhje me armë e mbetur në tentativë ndaj filialit të Union Bankë te rruga e Elbasanit, vjedhje me armë e mbetur në tentativë ndaj taksistit të linjës Tiranë-Mëzez, vjedhje me armë e bankës Reiffeisen, rrëmbim dhe mbajtje peng e personit dhe armëmbajtje pa leje", këto janë akuzat që i janë komunikuar të riut nga Lezha menjëherë pas arrestimit të tij në afërsi të Librit Universitar në Tiranë.
“Romeo Leka bëri bllof, arma e pengmarrësit s’kishte fishekë”
TIRANE - Arma që mbante në dorë 25-vjeçari që grabiti bankën, një pistoletë tip "Bereta" e cila më pas u përdor për të marrë peng vajzën dhe për të kërcënuar policinë me vrasjen e 19-vjeçares, nuk ka pasur asnjë fishek. Karikatori i pistoletës ka qenë bosh e po ashtu arma nuk ka qenë e mbushur. Sipas burimeve zyrtare nga trupi i hetimit, menjëherë pas arrestimit të 25-vjeçarit nga Lezha, arma e tij u bllokua në cilësinë e provës materiale dhe më pas u bë verifikimi i saj. Hetuesit e policisë kanë shtangur kur kanë konstatuar se në karikatorin e pistoletës nuk kishte asnjë plumb. Edhe manovra me mekanizmin mbushës për të verifikuar nëse arma kishte plumb në fole, ka treguar se pistoleta nuk paraqiste asnjë rrezik. I riu nga Lezha siç duket ka shfrytëzuar imazhin dhe frikën e armës për të grabitur bankën e më pas për të mbajtur peng vajzën 19-vjeçare edhe pse pistoleta nuk ka pasur asnjë fishek. Ky fakt konfirmohet nga burime të Prokurorisë të cilat thanë me procesverbalin e kontrollit të armës është evidentuar se pistoleta ishte në gjendje pune e gatshme për qitje, por gjatë grabitjes e më pas rrëmbimit të vajzës, në armë nuk ka pasur asnjë fishek. Rrjedhimisht edhe mundësia e 25-vjeçarit nga Lezha për të kryer veprimet me të cilat kërcënonte nuk ka ekzistuar megjithatë paniku bëri efektin e tij derisa vetëm Romeo Leka kishte në mendje bllofin e armës së zjarrit që mbante në duar. tr.so
“Romeo plagosi edhe shokun e viktimës”
ATHINE - Policia greke sapo është vënë në dijeni të vrasjes së emigrantit shqiptar 22-vjeç ka nisur hetimet mbi ngjarjen. Sipas burimeve nga Policia greke për krimin kanë treguar disa dëshmitarë okularë të ngjarjes të cilët tregojnë se vrasja e të riut nga Kukësi Renato Krasaniqi u krye nga Romeo Leka. Policia greke ka kryer edhe ekspertimin e shenjave të gishtave që janë gjetur në trupin e të ndjerit si dhe analizimin e lëndës në bishtat e cigareve që janë konsumuar nga Romeo Leka pak para se të kryente vrasjen. Sipas deponimeve të dëshmitareve okularë, Romeo Leka është larguar nga banesa menjëherë pasi ka kryer vrasjen. Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe një shtetas tjetër shqiptar, shok i viktimës i cili është qëlluar një herë me thikë nga vrasësi në ikje e sipër duke mbetur i plagosur. Policia greke sqaron se në dosjen e saj, shtetasi shqiptar Romeo Leka mund të ketë dashur të vriste edhe shokun e të riut nga Kukësi për të zhdukur një dëshmitar të krimit që kishte kryer. Pas pak minutave në vendngjarje ka mbërritur Policia greke pa arritur të ndalojë autorin e krimit.
“Romeo Leka, theri mikun e këngëtarëve në Athinë”
Marko Caka/Athine
Personi që grabiti bankën dhe më pas mbajti peng për 35 minuta studenten 19-vjeçare të Juridikut në Tiranë, dyshohet se natën mes 8 dhe 9 marsit 2010 ka vrarë me thikë emigrantin shqiptar në Greqi, Renato Krasniqi. I riu nga Kukësi, vetëm 22 vjeç, u qëllua për vdekje me thikë në banesën e tij në rrugën Pratinu, në një lagje të Athinës në Pengrati. Gazeta "Panorama" siguroi disa fotografi ku emigranti nga Kukësi shfaqet në një ambient miqësor përkrah artistëve shqiptarë të muzikës siç duket pas koncerteve të tyre në Greqi. Emigranti mësohet se ishte adhurues i muzikës shqiptare dhe ruante miqësi me disa prej artistëve. Historia e krimit implikon disa motive si shkak i mundshëm mbi ngjarjen. Viktima, Renato Krasniqi, 22 vjeç, emigrant prej mëse katër vitesh në Greqi, njihet me bashkëkombësin e tij Romeo Leka, edhe ky i fundit emigrant shqiptar në Athinë i mbërritur pak muaj më parë. I riu nga Kukësi pasi kalojnë disa ditë vendos të ndihmojë 25-vjeçarin nga Lezha duke e marrë në banesën e tij në Athinë ku qëndronte bashkë me një shok tjetër nga Mirdita. Gjithçka shkon normalisht derisa një ditë, emigranti nga Kukësi Renato Krasniqi, i kërkon një vajze, shoqe e të dashurës së tij, të "pijë një kafe" me grabitësin-pengmarrës Romeo Leka. Ky i fundit njihet me vajzën dhe mesa duket mes tyre krijohet një lidhje intime. Por sipas dëshmive të mbledhura nga Policia greke, pas vrasjes së emigrantit nga Kukësi Renato Krasniqi, mes dy shokëve pati një konflikt për xhelozi. Ai që dy ditë më parë në Tiranë u portretizua publikisht si pengmarrës, nuk ishte mjaftuar vetëm me vajzën që kishte njohur me ndihmën e të riut nga Kukësi, por mesa duket kishte ngacmuar edhe të dashurën e Renato Krasniqit. Ky i fundit besohet të ketë mësuar për këtë fakt nga vetë partnerja e tij e cila siç duket është treguar e hapur me 22-vjeçarin duke i treguar qëllimet e shokut të tij.
Nata e vrasjes
Pasi mëson për ngacmimet ndaj të dashurës së tij, Renato Krasniqi kthehet në shtëpi mbrëmjen e 8 marsit dhe pret mikun e tij Romeo Leka. Ky mbërrin në shtëpi dhe menjëherë i riu nga Kukësi i kërkon sqarime për ngacmimet ndaj të dashurës së tij. Emigranti nga Kukësi, sipas dëshmitarëve i ka thënë 25-vjeçarit nga Lezha, se veprimi që kishte kryer ishte një pabesi, një turp për shoqërinë dhe miqësinë që ata kishin mes tyre. Të dy të rinjtë lënë të flasin në një moment të dytë në lidhje me këtë incident. Takimi përsëri u zhvillua në banesën e Renato Krasniqit, ndërsa i riu nga Kukësi siç duket kishte parandjerë diçka të keqe dhe kishte lajmëruar disa shokë të tij. Në ora 17:00 kur Romeo Leka ka shkuar në banesën ku jetonte me qera Renato Krasniqi, biseda ka nisur normalisht. Por brenda pak minutave dy të rinjtë pasi nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët kanë ashpërsuar tonin dhe në grindje e sipër 25-vjeçari nga Lezha Romeo e ka goditur emigrantin shqiptar me thike në zemër duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, Renato Krasniqit i është mbyllur goja në mënyrë që të mos thërrasë dhe më pas është qëlluar disa herë me thikë nga vrasësi.