“Vizat, presim vendimin historik”
BLEDAR HOTI
Shqipëria i kushton shumë rëndësi bashkëpunimit rajonal, dëshmi e një transformimi të thellë dhe një përpjekje shumë serioze. Kështu deklaroi për mediat Kryeministri Sali Berisha gjatë pjesëmarrjes në konferencën e nivelit të lartë me liderë të Ballkanit Perëndimor: "Bashkë për Bashkimin Evropian: Kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e Evropës", që po mbahet në Brdo të Sllovenisë. Berisha vlerësoi praninë e Kryeministrit të Kosovës, Thashim Thaçi në këtë konferencë, duke theksuar se Kosova gjithnjë e më shumë po konsolidohet si faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe natyrisht, prania e saj këtu, është kontribut në problemet e paqes dhe sigurisë së rajonit. Kryeministri ndërkohë shprehu keqardhjen për mospjesëmarrjen e Tadiç në konferencë, duke u shprehur se vendi i tij është në këtë konferencë. "Bashkëpunimi rajonal, tha Kryeministri, është padyshim substancial për të gjithë ne që aspirojmë integrimin në BE". Komisioneri evropian Fule e vlerësoi gjithashtu mbajtjen e kësaj konference, një hap në drejtimin e duhur. "Vendet e rajonit, - tha ai, - e kuptojnë se është një benefit për to, nëse punojnë së bashku. Unë jam shumë i lumtur për këtë ngjarje që po mbahet sot, këtu, dhe mendoj se është një zotim serioz i liderëve të mbledhur këtu, për të ndihmuar njëri-tjetrin për të realizuar sfidën e integrimit në BE". Ndërsa në fjalën e tij në këtë samit, Kryeministri tha se "shqiptarët besojnë fuqishëm në rikthimin e vendit të tyre në familjen e vlerave të përbashkëta evropiane, ndaj janë krenarë që projekti madhor kombëtar i anëtarësimit në BE vijon të mbështetet nga mbi 94 për qind e opinionit publik dhe nga të gjitha forcat politike në vend". Numri një i Qeverisë shqiptare deklaroi se maxhoranca dhe opozita janë së bashku për çështjen e liberalizimit të vizave. "Qeveria shqiptare mbetet me bindjen e thellë se, si dhe në vijimësi, KE do të marrë në konsideratë rezultatet dhe shndërrimet e jashtëzakonshme që ka arritur vendi im edhe në këtë fushë, si dhe do të marrë vendimin historik, duke u lejuar shqiptarëve të ndihen të barabartë, përkrah qytetarëve të tjerë evropianë". Kryeministri theksoi se "Shqipëria nuk ka asnjë çështje të pazgjidhur me vendet fqinje. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, që ne kemi për sa i përket Kosovës, vizita e suksesshme e zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, gjatë javës së kaluar në Beograd, ku është diskutuar në frymë konstruktive me autoritetet më të larta serbe, për një erë të re në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, është një shprehje tjetër e vullnetit tonë të palëkundur që shqiptarët dhe serbët të lënë pas të shkuarën e të shikojnë përpara si dy kombe me aspirata dhe të ardhme të përbashkët, të vendosur të përqendrojnë të gjitha energjitë pozitive, për të krijuar një sinergji bashkëpunimi drejt një integrimi të afërt evropian".