Meta-Steinberg: Shqipëria faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan
Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u prit në Uashington DC nga Zv. Sekretari i Shtetit të SHBA, James B. Steinberg. Gjatë këtij takimi zv.sekretari i Shtetit Steinberg dhe Meta u ndalën në çështje të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA, në kuadër të sigurisë ndërkombëtare në rolin e Shqipërisë në rajon, si dhe në procesin e njohjes së Kosovës. Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Meta, paraqiti edhe një herë qëndrimin e konsoliduar të Qeverisë Shqiptare për pjesëmarrje aktive në operacionet ndërkombëtare të sigurisë, duke theksuar prezencën në Afganistan dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, si dhe duke garantuar një angazhim dhe kontribut në rritje të Shqipërisë në operacionet e Aleancës. Gjithashtu në këtë takim u diskutua dhe mbi situatën në Rajonin e Ballkanit, duke vënë në dukje rolin strategjik të Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Zv.kryeministri Meta e njohu zv. sekretarin Steinberg me vizitën e tij të fundit në Serbi, takimet me drejtuesit politikë dhe vizitën në Luginën e Preshevës. Meta u shpreh se: "Kjo vizitë i shërben jo vetëm rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, por edhe rritjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, i cili ka tashmë një të ardhme të sigurt drejt Bashkimit Evropian". Meta dhe Steinberg ndanë pikëpamje të njëjta për çështjen e Pavarësisë së Kosovës, e cila u konsiderua si një proces i pakthyeshëm që i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë kuadër, Meta shprehu angazhimin e Shqipërisë për shtimin e përpjekjeve diplomatike në dobi të njohjes së mëtejshme të Republikës së Kosovës nga shtete të tjera. Një javë më parë ministri i jashtëm shqiptar Ilir Meta zhvilloi një vizitë të suksesshme në Serbi ku u takua me udhëheqësit e lartë serbë e ku në qendër të takimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Serbi. Edhe pse të dy vendet ndajnë qëndrime krejt të kundërta sa i takon pavarësisë së Kosovës, në takimet me presidentin Tadiç dhe ministrin e jashtëm Vuk Jeremiç, u shpreh vullneti se të dy vendet duhet të zhvillojnë bashkëpunimin mes tyre, pavarësisht qëndrimit të tyre ndaj çështjes kosovare. Meta gjithashtu zhvilloi një vizitë në Luginën e Preshevës ku u prit me entuziazëm nga shqiptarët e kësaj treve.