UT, bashkëpunim me Universitetin e Gjenevës dhe Uebsterit
Universiteti i Tiranës nënshkroi të enjten dy marrëveshje, me Universitetin e Gjenevës dhe atë të Uebsterit, për bashkëpunim në fushën akademike. Marrëveshja me Universitetin e Gjenevës që prek Fakultetin Ekonomik, atë të Mjekësisë dhe Fakultetin e Drejtësisë, parashikon mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve duke u dhënë prioritet studentëve që studiojnë për doktoraturë. Marrëveshja parashikon veç të tjerash, shkëmbimin e stafit akademik mes dy universiteteve, si edhe asistencën e profesorëve të Universitetit të Gjenevës për programet e doktoraturës në tri fakultetet përkatëse. Ndërkaq, rektori Kule, gjatë vizitës së tij në Gjenevë, nënshkroi edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Uebsterit. Kjo marrëveshje ka si bazë krijimin e një masteri të ri ekzekutiv, Master në Administrim Biznesi (MBA) që do të jetë i përbashkët ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Uebsterit. Ky program pritet që të hapet brenda vitit të ardhshëm akademik, në bazë të marrëveshjes. Pedagogët do të jenë të përbashkët, ndërkaq diploma që do të lëshohet, do të jetë e dyfishtë, si nga Universiteti i Tiranës dhe nga Universiteti i Uebsterit. Universiteti i Uebsterit është një ndër universitetet më të mëdha me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me mbi 100 kampuse në mbarë botën, prej Gjenevës, në Tajlandë dhe Australi. Ndërsa, Universiteti i Gjenevës është një ndër universitetet më të vjetra në Evropë, i themeluar në vitin 1559. Sot, ai është një ndër universitetet më të njohura të kontinentit dhe prej tij kanë dalë figura mjaft të njohura të politikës, artit, kulturës, jetës akademike dhe shoqërore evropiane.