Dhuli: Rama rimori bashkinë Himarë me makinacione. U kthye përmbys rezultati i 14 Majit

Zëdhënësi i Fredi Belerit, Skerdjan Dhuli ka deklaruar në studion e emisionit “3D” të Alban Dudushit në RTSH 1 se ajo që ndodhi sot në bashkinë e Himarës ku zgjodh kryetare e bashkisë nënkryetarja e këtij institucioni, është rimarrje e kësaj bashkie me makinacione politike.
Sipas tij, gjithçka është kthyer përmbys pavarësisht se sipas Dhulit, Fredi Beleri fitoi bashkinë e Himarës më 14 maj.
“Mbledhja ishte e përcaktuar të ndodhte, të zhvillohej në sallën e mbledhje në këshillin bashkiak. Për shkak të tensioneve, kryetari i këshillit në mënyrë të fshehtë i mori këshilltarët e tij dhe i çoi në ambientet e Bashkisë. Më pas u njoftuan dhe mediat.
Ne e morëm vesh prej gazetarëve dhe kuptuam që po ndryshohej ambienti ku do të zhvillohej mbledhja. Kur shkuam në bashki diskutimet ishin mbyllur. E rëndësishme është që në 14 maj atë bashki e kemi fituar ne, sot atë bashki na e kanë rimarrë me makinacione ekstra-ligjore.
Legjitimiteti politik dhe moral ka mbaruar sepse problemi është se ajo çka ndodhur në 14 maj është përmbysur sot”, u shpreh Dhuli.
Ndërkaq, sot Blerina Bala u zgjodh kryetare e komanduar e Bashkisë së Himarës. Ajo u zgjodh me 16 vota pro në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte (29 mars) me dyer të mbyllura.
Këshilli Bashkiak i Himarës u mblodh mes tensioneve me mbështetësit e kryetarit të zgjedhur më 14 maj, Fredi Belerit, i cili ndodhet në burg që prej 12 majit.
Mbështetësit e Belerit kërkuan nxjerrjen jashtë ambienteve të mbledhjes së prefektit të qarkut Vlorë, Vangjel Tavo, duke bërë thirrje kundër tij në greqisht. Po ashtu, mbështetës të Belerit kërkuan edhe largimin nga mbledhja të Blendi Klosit.
Mbledhja erdhi pas dorëheqjes së Jorgo Goros, i cili njoftoi largimin nga detyra një ditë pas arrestimit me urdhër të SPAK, si dhe pas arrestimit të Fredi Belerit.
Këshilli i Bashkisë së Himarës përbëhet nga 21 anëtarë, 9 nga Partia Socialiste, 7 nga Partia Demokratike dhe 5 nga parti të vogla.
/rtsh.al/