Nesturi: Votimi për kryetarin e bashkisë Himarë, premisë për qetësimin e situatës

Analisti Plator Nesturi, ka deklaruar në studion e emisionit “3D” të Alban Dudushit në RTSH 1 se votimi i sotëm për zgjedhjen e kryetarit të komanduar të bashkisë së Himarës është një iniciativë për të qetësuar situatën politike.
Sipas tij, çështja e Himarës është në një situatë ku po mbahet tensioni nga politika dhe deri vonë nuk u gjet një zgjidhje kompromisi për të arritur në ditën e sotme.
“Aktualisht zgjidhja mund të jetë vetëm politike për të qetësuar situatën sepse realisht kemi një klimë të tensionuar.
Klimë e cila ka filluar që pas zgjedhjeve për faktin se edhe burgosja e Fredi Belerit ka aspektin emocional të saj dhe ka mbështetësit e vet.
Ne kemi një situatë ku po mbahet tensioni nga politika sepse nuk është se po mendohej një zgjidhje edhe kur ishte Jorgo Goro kur ishte kryetar në detyrë. Por nuk është pranuar nga pala tjetër një zgjidhje kompromisi. Ka pasur oferta të tilla për një zgjidhje kompromisi”, u shpreh Nesturi.
/rtsh.al/