Dhuna e justifikueshme ndaj talebanëve - karakteri i pazakontë i nobelit të presidentit Obama
Kur je në paqe mendon për luftën, kurse kur je në luftë mendon për paqen. Në paradoks iteri është po i njëjtë: je në paqe, futesh në luftë, nga lufta del përsëri në paqe. Ku është fundi? Nuk ka fund, për fat të keq. Kështu funksionon kaherë bota e njerëzve. Këtë tha edhe presidenti Obama gjatë marrjes së çmimit Nobel për paqen. Presidenti që ka trashëguar dy luftëra flet për paqen. Komenti i parë i televizionit amerikan Cnn ishte “unusual”, e pazakonshme! Sipas tyre me të drejtë është e pazakonshme që kur merret çmimin Nobel, flitet për luftën, madje për një luftë të “drejtë”. Presidenti Obama me spin-doctor-sat e tij rinxjerr në sipërfaqe një koncept të luftës së drejtë, një temë e trajtuar nga historiani grek i lashtë Tuqididi, në luftën e Peloponezit, të cilën më pas kristianët e teorizuan qysh në shekullin e IV pas Krishtit, e derisa mbërrijmë tek Thomas Hobbes i shekullit XVII. Në thelb presidenti Barack Obama në Oslo lexoi se lufta në Afganistan ishte një luftë e justifikuar moralisht, pra ishte një luftë e drejtë. Nuk është një oksimor, një kundërthënie. Do të ishte cinike të vinim theksin se Obama është një demagog. Ai vuri pro tij “konceptin luftë e drejtë ku u shfaq të sugjeronte se lufta është e justifikueshme vetëm kur përmbush disa parakushte: kur është përpjekja e fundit për zgjidhjen e një konflikti, apo në rastin e vetëmbrojtjes; nëse forca që përdoret është proporcionale dhe nëse civilët nuk bëhen pre e kësaj dhune”. Kuptohet vetiu se paqja dhe lufta janë pjesë të pandashme të historisë njerëzore. Dhe shefi i ushtrisë së një kombi si SHBA-ja, që ndodhet në mesin e dy luftërave duhet ta dijë mirë këtë. Duhet të jetë i ndërgjegjshëm se historia nuk është kurrë vijë lineare dhe progresive, nuk konfirmon kurrë se njeriu është i përkryer. Përkundrazi. Të mendosh me paradokse të luftës dhe të paqes do të thotë, sipas Presidentit, një “eksplorim i vazhdueshëm i imagjinatës morale”. Nëse lexojmë më me vëmendje fjalimin e presidentit Obama, do të shikojmë se ka një përthellim të mendimit kantian, që bota nuk është e përsosur, që gabon dhe që nëpërmjet gabimeve perfeksionohet. Është e filozofit gjerman Kant ideja se asnjeri në tokë s’e ka në dorë përsosmërinë “nga druri i shtrembër si ai që ka krijuar njeriun, nuk mund të ndërtosh asgjë të drejtë”. Ndërkaq, intelektualët që mbështesin presidentin Obama anojnë nga përpjekja, nga alternativat-enigma, por që drejtohen nga një iluminizëm, që ruhet të mos ulet në prehrin e iluzioneve. Që përsosmëria, pa konceptet dualiste paqe-luftë të funksionojë, duhet që institucionet, me “I” të madhe, të marrin vendin e njerëzve dhe të politikanëve, sepse vetëm institucionet kanë një vazhdueshmëri në kohë, që sendërtohen në periudhë më të gjatë, që nuk varet as nga sondazhet e as nga votat. Nëse bëjmë pak histori të post-luftës së dytë botërore do të shikojmë se paqja është arritur pasi institucionet ndërkombëtare kanë funksionuar, duke i mbajtur të izoluara pulsacionet apo instinktet e dhunshme që shfaqin herëpashere individët apo kombet.
...