E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora e ngricat izolojnë disa fshatra në veri të vendit

TIRANE- Në veri dhe verilindje të vendit reshjet e borës që kanë rënë gjatë natës janë kthyer në ngrica nga temperaturat e ulëta të mëngjesit të sotëm.Nuk ka akse nacionale të bllokuara, ndërsa janë të izoluara disa fshatra të thella malore në Kukës e Bulqizë. 

Në Bulqizë, reshjet e borës kanë rënë gjatë natës, ndërsa sot në mëngjes kanë pushuar, por temperaturat e ulëta dhe era e ftohte kanë formuar ngrica nëpër rrugë.
Bora dhe ngrica ka izoluar banorët e fshatit Tërnovë. Mësohet se 90 banorët e këtij fshati nuk kanë mundësi të zbresin në qytet, pasi rruga që lidh fshatin e tyre me Bulqizën është e bllokuar nga bora trashësia e së cilës arrin deri në 70 cm. Brenda në fshat mësohet se trashësia e borës arrin në 30 cm. Në komunën Krastë të Martaneshit janë të izoluar nga bora 4 fshatra.

Në Pukë ngrica ka krijuar probleme në qarkullimin rrugor. Në aksi Pukë- Fushë Arrëz, në dishezën e Plepit qarkullimi është i vështirë për shkak të ngricave. Vështirësi dhe në Qafë Mal. Korrespondenti i NEWS24 informon se punonjësit e ndërmarrjes së mirëmbajtjes janë në gadishmëri për të hedhur skorie dhe kripë në mënyrë që të lehtësohet lëvizja e makinave. Vetë shefi i qarkullit rrugor i Pukës po monitoron situatën.
Vështirësi ka më shumë në lëvizjen e automjeteve të tonazhit të lartë.Reshjet e borës gjatë natës kishin bllokuar aksin Fushë Arrëz- Qafë Mali. Ndërhyrja e ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve ka liruar këtë aks.

Në Mirditë, situata problematike është në fshatrat e thella të komunave të Fanit, Rrosh dhe Kacinar, ku trashësia e borës arrin në 25- 30 cm. Mësohet se nuk ka bllokim të rrugëve nacionale të cilat mirëmbahen duke hedhur vazhdimisht skorie e kripë.
Probleme në qarkullimin e automjeteve ka në autostradën Durres- Kukës, në aksin Rrëshen- Fierzë, pikërisht në zonën e Fanit, ku shtresa akulli përbëjnë rrezik për lëvizjen e automjeteve. Sipas NEWS24 as Drejtoria e Rrugëve dhe as firma Bektel Enka nuk po marrin përsipër hedhjen e skorjeve në rrugë.

Në Kukës, vazhdon të jetë e bllokuar komuna Arrën, por probleme ka dhe në komuna të tjera të thella si Zapod, Grykë Caj.
Policia rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes dhë të lëvizin me zinxhirë. Problematikë janë sidomos zonat në Zapot, Arrën, Aksi Kukës- Shishtavec i kalueshëm por me zinxhirë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›