E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në shkolla, forum me dy psikologë e dy sociologë

Shtimi alarmant i akteve të dhunës nëpër shkolla. Si përcillet te adoleshentët mendësia e zgjidhjes me anë të forcës së të rriturve dhe çfarë përgjegjësish kanë prindërit dhe mësimdhënësit.


Psikologët Edmond Dragoti dhe Anila Sulstarova si dhe sociologët Zyhdi Dervishi dhe Grida Dumo analizojnë fenomenin që ka tronditur besimin për misionin që ka shkolla si vatër e dijes dhe edukimit.


Sharje, grushta, shqelma, goditje me thika... të njëpasnjëshme nëpër shkollat tona. Ku më shumë e ku më pak, herë më shumë e herë më pak, sidomos adoleshentët, por edhe ata më të vegjëlit, si ata aktivë në akte dhune dhe si ata pasivë që i përjetojnë në sfond bashkë me prindërit, po vuajnë, nuk po kanë siguri, po ndihen të kërcënuar, nën ankth, se mos ndoshta nesër, një ditë, rast pas rasti me dashje apo pa dashje do t'u vijë radha edhe atyre.


Psikologët, sociologët përpëliten gati të pafuqishëm për të ndryshuar deri në fund këtë gjendje kërcënuese, por thjesht ndryshojnë duke zbuluar vetëm shkaqet fillestare me shkaktarë të shumëllojshëm, por duke përmbledhur si më kryesore:


paaftësinë, joqytetarinë, varfërinë, mëkatet e medias dhe tiparet e vetë moshës protagoniste. Duke propozuar se si mund të vijë pak shpëtim edhe në këto kushte.
Dhuna në shkolla, e cila po pasohet me raste të njëpasnjëshme alarmante, ndër shkaqet komplekse të saj, deri në ç'masë buron prej 'nderit të humbur'?


Domethënë nëse dikush fyen, dhunon emocionalisht apo fizikisht dikë, atëherë ky i fundit ndihet i çnderuar në vetvete dhe prej të tjerëve, ndaj duhet medoemos të kundërpërgjigjet me të njëjtën masë apo edhe më shumë.


Kësisoj, dhuna pjell dhe shumëfishon dhunën, duke e çuar deri në ekstrem. Një mendësi dhe praktikë që ka shkaktuar sa e sa konflikte dhe vrasje tek të rriturit, por që ndoshta përcillet dhe pasqyrohet edhe tek më të vegjëlit.


Duke folur për gazetën "Shekulli" psikologët Edmond Dragoti dhe Anila Sulstarova si dhe sociologët Zyhdi Dervishi dhe Grida Dumo analizojnë fenomenin që ka tronditur besimin për misionin që ka shkolla si vatër e dijes dhe edukimit.


Grida Dumo: Nuk mendoj se bëhet fjalë për 'nderin e humbur'. Një shoqëri që nuk ka mundësi të prodhojë vlera, produkte, mirëqenie, atëherë edhe rregullat e sjelljes në shoqëri përgjithësisht bëhen rregullat e xhunglës.


Në këtë kontekst shfaqet dhe kultivohet kultura e më të fortit, që në terma të tjerë quhet 'e drejtë', 'nder', 'e mirë', 'moral'. Në shoqërinë tonë, njeriu është i suksesshëm dhe dominues me forcë dhe jo me vlera. Pavarësisht se shoqëria e etiketon si vlerë, por në fakt është thjesht një nevojë për të mbijetuar në një shoqëri ku mungon qytetaria si kjo jona, që është në fazat e para të zhvillimit të saj.


Anila Sulstarova: Vë re që po vijon edhe te fëmijët e njëjta logjikë e dhunës që kemi në të gjitha fushat e tjera të jetës. Megjithatë, dhuna ka qenë e pranishme në çdo kohë, është pjesë e njerëzimit. Përmasa dhe mjetet me të cilat ajo shpaloset varen nga koha. Dikur ishte harku, shpata, pushka, tani pistoletat, automatikët etj.


Edmond Dragoti: Nuk është kulturë tradicionale shqiptare, por thjesht pasojë moshore. Dhuna e hasur në shkolla sot është tendenca e adoleshentëve për të krijuar statusin e të rriturit dhe të fortit. Nevoja për të qenë lider në shoqëri, për dominim dhe rivalitet, për të krijuar identitetin personal të njeriut të rritur.


Kjo i bën të konkurrojnë dhe rivalizojnë edhe ashpër me njëri-tjetrin, sepse shpesh tipari kryesor i të rriturit është forca, fuqia. Dukuria në shkolla është pasojë edhe e dobësisë së lidhjeve mësues-nxënës, paaftësi e mësuesve për të ndikuar dhe mungesë e dëshirës për të ndikuar. Mjaft mësues nuk e njohin moshën e tyre dhe nuk janë të motivuar mjaftueshëm për të ndikuar në këtë moshë.


Nuk janë profesionistë për ta bërë këtë gjë. Rendi dhe qetësia në shkolla nuk sigurohet me praninë e policëve, sepse kjo krijon ndjenjën e pasigurisë te adoleshentët dhe iu kujton se forca dhe fuqia është përcaktuese në formimin e statusit të tyre. Domethënë bën efekt të kundërt.


Zyhdi Dervishi: Shpesh abuzohet me traditën. Tradita shqiptare nuk ka të bëjë me rrahjen, fjalën e rëndë. Përpara Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë vrasje, se sa rrahje dhe fjalë fyese. Kjo u vijua edhe në dyzet vitet e monizmit, ku kishte më shumë rrahje dhe fjalë fyese edhe për faktin se këto dënoheshin pak në krahasim me vrasjen që kishte dënimin kapital.


Ka më shumë dhunë në të tashmen tonë?


Anila Sulstarova: Nuk mund të themi ka më shumë dhunë në të tashmen apo në të shkuarën, sepse nuk ka asnjë studim për këtë, e kësisoj nuk mund të spekulojmë. Por dua të them se ne harrojmë të flasim mbi dhunën emocionale, të cilën e kemi pasur dhe e kemi në çdo moment në shoqërinë tonë, qën ga mënyra se si flasim me njëri-tjetrin.


Por askush nuk merret me këtë dhunë. Ai që merr levën në dorë, sigurisht që ka pësuar më parë shumë nga kjo dhunë emocionale pa ka arritur deri te dhuna fizike.


Është më parësore në formimin e fëmijëve, adoleshentëve familja apo shoqëria?


Edmond Dragoti: Kultura familjare është model shumë i rëndësishëm, por në këtë moshë adoleshenti shkëputet nga familja, madje i kundërvihet asaj. Në këtë mënyrë ai ka shansin të krijojë statusin e tj. Ai në këtë moment të jetës vlerëson shumë dhe është përcaktues modeli i bashkëmoshatarëve të tij. Ndaj më shumë ka vlerë ndërhyrja në grupin shoqëror të adoleshëntëve, kur merr modelin moshor edhe të të fortit.

Zyhdi Dervishi: Gjatë 40 viteve të fundit ndikimi i familjes tek të rinjtë, e sidomos tek adoleshentët, është zbehur. Është rritur ndikimi i mjeteve të komunikimit masiv si interneti, televizioni. Në to ata përballen me akte dhune, perversitete dhe kësisoj marrin modele të gatshme nga media.


Familja sot është bërë balancuese, përpiqet të ulë efektin e këtyre modeleve, por hera-herës nuk ia del dhe ndikon më pak. Fëmijët reflektojnë edukimin familjar, të lagjes, shoqërisë së ngushtë, por në shoqëritë moderne vihet re sidomos ndikimi i agjencive shoqërizuese jashtë familjes.


Anila Sulstarova: Dhuna te fëmijët është pasqyra e asaj që ndodh në shoqëri. Por sidomos aty ku mungon një familje e shëndoshë, sepse së pari model për fëmijët është familja. Rrënjët vijnë nga familja. Nëse këto rrënjë janë të forta nuk ka çfarë t'u bëjë shoqëria. Ime bijë nuk do të ngrërë kurrë levën ndaj dikujt, sepse ka marrë një formim të tillë për të mos e bërë kurrë këtë.


Unë e di se ç'fëmijë kam rritur. E di që edhe ajo do të ketë zënka në shoqëri, por nuk do arrijë kurrë deri në atë pikë. Pse në një gjimnaz me 1800 nxënës vetëm 2 ngrënë levat apo vetëm 200 pinë duhan?! Pse shoqëria e keqe ka efekt vetëm tek 200 dhe jo tek të tjerët?! Sepse pikërisht tek këta nxënës janë të brishta rrënjët e tyre familjare.


Grida Dumo: Dhuna është një pjesë e vogël e dhunës në shoqëri. Është pasqyra më e saktë e saj. Unë mendoj se pjesa më e madhe e dhunës është reflektim i asaj që merret nga shoqëria. Dhe vetë familja është në shumicën dërrmuese pasqyrë e shoqërisë.


A është varfëria shkaku nga ku burojnë gjithë të këqijat, edhe sjellja e pahijshme, edhe dhuna e me radhë?


Grida Dumo: Varfëria ndikon në mënyrën më absolute te sjellja dhe dhuna. Fëmijët sot mbartin përherë një gjendje ankthi, i cili iu krijohet si një tension mes një bote mediatike, e cila me imazhet, produktet që ofron i bën ata të ëndërrojnë një botë më të mirë, në kundërshtim me mundësitë për t'iu afruar këtij sistemi vleror, të cilin ata e shohin më shumë si në pasqyrë, pa e rrokur dot.


Shoqëria nga ana e saj nuk e akomodon as me tolerancë, t'ia lehtësojë gjendjen këtyre fëmijëve. Duke i mbushur këta fëmijë me ankth, ankth që ata nuk arrijnë ta identifikojnë nga dhe pse iu vjen.


Për mua është kjo varfëri që sjell konfliktin tek fëmijët apo adoleshentët, të cilët duke mos gjetur zgjidhje ekonomike, më pas kërkojnë zgjidhje sociale dhe shfryjnë aty. Duke qenë se shoqëria është e limituar të prodhojë mirëqenie kundrejt një oferte të vogël, kemi një kërkesë të madhe për mirëqenie. Dhe dhuna është produkt i këtyre konflikteve të pazgjidhura.


Zyhdi Dervishi: Shumica e sherreve nuk vijnë nga të varfrit. Këta jetojnë me varfërinë e tyre, larg vorbullës, zhvillimeve në klasë. Ndërsa fëmijët e pasur, duke qenë se i kanë siguruar të gjitha, pjesa më e madhe nuk studiojnë dhe jepen pas një jete boshe


Anila Sulstarova: Njerëz të varfër ka pasur në çdo kohë. Dhe ne nuk jemi rritur me mirëqenie. Varfëria është vërtet e dëmshme, sepse të flesh me stomakun bosh, të nesërmen nuk ndihesh me energji pozitive. Kjo më pas të nxit të jesh agresiv.


Por në fakt, ata që janë më të varfër, rezultojnë shpesh se janë edhe më të urtët. Më tepër se sa çështje varfërie apo pasurie, do të thoja se është problem qytetarie. Dhe me qytetari nuk kam parasysh origjinën, por kulturën e familjes dhe çdo individi.


A nuk mund të kihen aq forca individuale sa të sfidohen ankthet dhe vuajtjet, duke e kapërcyer mjedisin apo deri ku mbërrihet drejt kësaj?


Grida Dumo: Nuk mund të jesh individualist kur bëhet fjalë për një nivel bazik të nevojave. Nuk është siguruar as shëndeti, as puna, as para në bankë. Ç'individualist mund të jetë njeriu shqiptar? Ai nuk ka mënyrë tjetër për të mbijetuar. Me këto rroga të ulëta që kemi nuk sigurohet mirëqenia.


Mungesa e mirëqenies nuk sjell as siguri dhe individi shumë shpejt dhe shumë shpesh do të ketë nevojë për të tjerët. Është i ndërvarur nga të tjerët.
Tipologjia është pak a shumë e njëjtë kudo, por në ç'masë ndryshojnë problemet e një adoleshenti në Shqipëri me ato të bashkëmoshatarëve të tyre në vende më të zhvilluara?


Edmond Dragoti: Për mua është i njëjti model moshor si në Shqipëri si në vende të tjera më të zhvilluara të botës. Dhuna tek adoleshentët është pasojë e mungesës së komunikimit dhe kontakteve të drejtpërdrejta me faktorë të tjerë, pikërisht me ata që quhen 'të rriturit' e shoqërisë.


Grida Dumo: Po të bënim një krahasim me të ardhurat ekonomike në botën e zhvilluar me ne ato janë në raport 1:20. Fuqia blerëse e një shqiptari është 25% e një europiani. Ky korrelacion do të thotë që problemet tona janë të shumëfishuara. Dhe ne sot jemi një shoqëri e hapur. Nuk bëhen më krahasime me vetveten si dikur, por me një tjetër koefiçent matës.


Zyhdi Dervishi: Ballkanasit janë në të njëjtin nivel me ne në këtë drejtim. Por problemi duhet parë më gjerë. Vendet demokratike në Perëndim kanë një rrjet masash që parandalojnë aktet e dhunës dhe është më e rëndësishme t'i parandalosh se sa të shërosh plagët.


Tërë sistemi edukativ është llogaritur në atë mënyrë që eviton shumë përplasje, që te numri i nxënësve në klasa, që te hapësirat nëpër korridore që nuk janë të ngushta për të krijuar mundësi përplasjesh fizike etj.


Në disa kolegje turke në Tiranë çdo mësues nuk ka më shumë se 9 nxënës. Një faktor amortizues i konflikteve është mësuesi, por ai s'mund ta menaxhojë një klasë të mbipopulluar.


Prindërit e sotshëm, shumica në rendjen e tyre çoroditëse për mbijetesë, tej caqeve normale të të punuarit apo disa të kapur nga ethet e pasurimit dhe vënies së luksit, nuk i kushtojnë më kohën e mjaftueshme edukimit të fëmijëve.


Deri ku i ka dëmtuar kjo fëmijët dhe anasjelltas edhe prindërit në raport me ta, sipas jush?


Grida Dumo: Edhe dikur, kur familja ishte më e konsoliduar, prindërit sërish nuk kishin aq kohë sa duhej. Por problemi është se mungojnë mekanizmat rregullatorë të gjithë shoqërisë, që disiplinojnë dhe japin mundësi për rregullimin e sjelljes.


Anila Sulstarova: Me këtë rast do të doja t'iu tërheq vëmendjen prindërve, që t'iu kushtojnë më shumë kohë fëmijëve. Eshtë e lehtë ta bësh këtë, t'i akuzosh prindërit për kohën e pamjaftueshme që iu kushtojnë fëmijëve, dhe e vështirë për ta realizuar. Por me keqardhje vë re që sot ka një ngërç të madh në institucionin e familjes dhe pakkush po kujdeset për ta rindërtuar atë.


Grida Dumo: Duke nisur nga rruga që të çon nga shtëpia drejt shkollës, fëmijët ndihen të pasigurt fizikisht nga një trafik i çmendur, zhurmat, tonet e ashpra që mund të dëgjojnë. Apo ata ndihen të pasigurt të mbajnë edhe çelsin e shtëpisë etj. Ky është impakti i parë i tyre me një shoqëri, e cila nuk ofron siguri, shëndet psikologjik. Kjo bën që prindi të luajë atë rol që luante dikur shoqëria.


Por kjo është mbingarkesë si për prindërit, por edhe për fëmijën, i cili për t'u vetëmbrojtur krijon lobe. Krijimi i lobeve është një nga dukuritë e përhapura sot në shkolla. Por edhe menaxhimi i situatës në ambientet e shkollave është i pamundur; klasat janë të mbipopulluara me nxënës dhe heterogjene.


Cilat janë disa zgjidhje të mundshme afatshkurtra?


Edmond Dragoti: Mendoj se në shkolla është e nevojshme prania e një punonjësi social, i cili luan rolin e lehtësuesit në marrëdhëniet ndërpersonale, rolin e avokatit të nxënësve, kur atyre iu preken të drejtat.


Ministria e Arsimit ka përcaktuar rolin e psikologut në shkolla, por në fakt shkollat kanë nevojë më shumë për punonjës socialë.


Psikologu ka të drejtë të ndërhyjë në raste depresioni, ankthi, të problemeve të shëndetit mendor, ndërsa punonjësi social është punëtor i terrenit, që ofron mbështetje sociale në zgjidhjen e problemit, duke ndërmjetësuar me të gjithë faktorët; shkollë, familje, polici, shoqëri, për ta zgjidhur deri në fund apo dhe për t'ia referuar këtë problem specialistëve të tjerë, nëse nevojitet.


Grida Dumo: Gjithmonë ka zgjidhje. Së paku, mund të bëjmë atë çfarë kemi në dorë: të komunikojmë më mirë me të rinjtë dhe jo t'i trajtojmë si qenie pa personalitet. Duhen pyetur ata.


Nuk na takon aq edhe neve të vendosim për ta. Por së pari duhet t'i dëgjojmë.
Anila Sulstarova: Do të doja t'iu tërhiqja vërejtje mediave tona, të cilat jo vetëm përmes emisioneve të ndryshme, sipërfaqësisë së tyre, filmave të dhunshëm janë duke nxitur dhunën, por edhe po kujdesen shumë që dhuna më ekstreme në shoqëri të ketë vend të mjaftueshëm në të.


Gazetarët socialë ose edhe jo, por ata që mendojnë se dinë të menaxhojnë tema të tilla, i trajtojnë me një tjetër dhunë, neglizhimin.


Zyhdi Dervishi: Nuk bëhet fjalë për përmirësime të shpejta, sepse këto janë probleme që zgjidhen ngadalë. Hapi i parë do të ishte pakësimi i programeve elektronike me dhunë dhe perversitete.


Një hap i dytë do të ishte pakësimi i numrit të nxënësve nëpër shkolla dhe klasa. Një hap i tretë do të ishte edhe puna edukuese me prindërit, që ata t'i kushtojnë më shumë vëmendje edukimit të fëmijëve të tyre.

Ngjarjet

Kronika e shkollave të përgjakura


16/09/2009


Dy nxënës të shkollës 9-vjeçare Bajram Curri në kryeqytet janë përfshirë në një sherr në ambientet e shkollës duke mbetur i plagosur rëndë njëri prej tyre. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 09:30, kur dy adoleshentët janë grindur për motive banale në korridorin e shkollës, ndërsa nëpër klasa zhvillohej mësim. Në grindje e sipër njëri prej tyre ka nxjerrë thikën duke qëlluar disa herë bashkëmoshatarin.


Ngjarja nuk është mundur të ndalet nga polici që ruan shkollën, i cili arriti në vendin e ngjarjes vetëm për të ndaluar autorin e krimit. I plagosuri, 14 vjeçari, E. P., nxënës i klasës së nëntë tek 'Bajram Curri', është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku me mësohet se po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.


Mjekët e Urgjencës thanë se gjendja e tij është relativisht e rëndë. Ndërsa autori, po 14 vjeçar është shoqëruar tashmë në komisariat ku po merret në pyetje në prani të psikologes.


11/02/2010


Dy adoleshentë janë grindur me njëri-tjetrin ndërsa njëri prej tyre ka marrë në shtëpi një pistoletë tip "Zastava" për të vrarë personin me të cilin ishte zënë, por fatmirësisht pa mundur ta shkrepë armën.


Ngjarja ndodhi mesditën e së mërkurës në shkollën e mesme të qytetit të Mamurrasit, kur dy nxënës të viteve të treta janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta. Gjimnazistët me inicialet D.Gj. dhe E.K. janë zënë në shkollë, një zënkë e cila është parë edhe nga shokë të tyre të klasës.


Ndërsa asgjë nuk është arritur të zgjidhet në shkollë me fjalë, 17-vjeçari E.K. i është drejtuar banesës së vet, ku edhe ka marrë një pistoletë tip "Zastava" me qëllimin për të ekzekutuar bashkëmoshatarin e tij D.Gj. Kanë qenë shokët e klasës së dy të rinjve të cilët menjëherë pas ngjarjes dhe largimit të njërit prej adoleshentëve kanë njoftuar policinë, duke iu druajtur një degjenerimi të sherrit.


16/06/2010


Pas sherreve të vazhdueshme dhe pas përplasjeve me armë midis dy grupeve muzikore OTR dhe TBA, policia arreston dy vëllezër pjesëtarë të grupit muzikor OTR, të drejtuar nga Rigels Rajku, i njohur me emrin e tij të artit Noizy. Viktima Denis Dollapi, u plagos në një lokal pranë rrugës së Barrikadave, jo shumë larg shkollës së mesme "Sami Frashëri".


Sipas policisë së Tiranës, të rinjtë janë konfliktuar me fjalë para se të përdornin thikën, fillimisht pranë shkollës së mesme, duke qenë se prej kohësh janë në rivalitet me njëri- tjetrin ndërsa nuk kanë munguar as fyerjet dhe kërcënimet në internet dhe në "Facebook" mes palëve.


10/05/2010


Një nxënës i një shkolle 9- vjeçare në kryeqytet mbeti i plagosur nga një bashkëmoshatar i tij, dje gjatë orëve të mëngjesit, pas një sherri, ku u përfshinë disa nxënës të klasës së nëntë. I plagosuri pas dërgimit në spital ku ka marrë mjekimin e nevojshëm ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Ngjarja ndodhi rreth orës 9.30, në oborrin e shkollës 9- vjeçare "1 Qershori", në lagjen Kombinat, ku disa nxënës të kësaj shkolle u përfshinë në një konflikt midis tyre, duke mbetur në fund i plagosur me kaçavidë, nxënës i klasës së nëntë, me inicialet O. H, 16 vjeç, banues në Tiranë, përballë shkollës ku ndodhi ngjarja.


22/11/2010


Një i plagosur dhe disa të lënduar është bilanci i një sherri masiv të ndodhur rreth orës 12:10 në shkollën "Sami Frashëri" në Tiranë. Sherri për motive banale ka nisur fillimisht si një zënkë mes gjimanzistëve Tigri Kovaci dhe Lirim Ahmataj të cilët janë konfrontuar në palestrën e shkollës dhe më pas kanë pritur mbarimin e mësimit për tu përleshur jashtë ambienteve të shkollës. Dëshimtarët e rastit dhe nxënësit e shkollës tregojnë se kanë parë skena të ashpra dhune. Të rinjtë kanë përdorur leva, tulla e gurë për të goditur njëri-tjetrin.


23/11/2010


Vetëm një ditë pas sherrit të dhunshëm mes gjimnazistëve të "Sami Frashërit", sot një tjetër përleshje me thika te "Eqerem Çabej". Sherri sikundër edhe dje, u raportua pas "një grindjeje të çastit", apo si thuhet rëndom në kësi rastesh për "motive banale". Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes i dëmtuar ka mbetur nxënësi Dhimitër Kushgjini, i cili është zënë pranë ambienteve të shkollës me një bashkëmoshatar të tij.


Kaq ka mjaftuar që ai të përfundojë me disa goditje me thikë në trup. Nxënësi u transportua me urgjencë në spitalin Ushtarak të Tiranës, ndërkohë që policia bëri me dije se në konfikt ishin përfshirë Juvlin Hida dhe një tjetër gjimnazist, Juxhin Hashimi.

 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›