Dhuna në familje, ngrenë zërin edhe burrat
Zv.ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Ruiter, pohon se 1 në 3 gra dhunohet. Ngrenë zërin burrat: Dhunohemi edhe ne
Dhuna është e pranishme në familjet shqiptare duke u kthyer në një fenomen problematik për gjithë shoqërinë. Të dhënat tregojnë se një në tre gra në vendin tonë dhunohet në familje. E ndërsa flitet vetëm për dhunën ndaj grave, e cila ushtrohet nga burrat, në fakt, ka edhe nga këta të fundit që ankohen për dhunën ndaj gjinisë së tyre.
Ky problem është ngritur pikërisht nga specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Engjëll Mihali, gjatë konferencës që u zhvillua dje me temë "Roli i Ofruesve të Shërbimeve Shëndetësore në Trajtimin e Problemeve të Dhunës me Bazë Gjinore" organizuar nga Qendra për Popullsi dhe Zhvillim.
Qëllimi i këtij projekti ka qenë pikërisht aftësimi i punonjësve të shëndetësisë për t'iu përgjigjur nevojave të mbijetuarve të dhunës me bazë gjinore. Në këtë konferencë mori pjesë zv.ambasadorja e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Noeke Ruiter, kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Valentina Leskaj, zv.ministri i Shëndetësisë, Albert Gaja, dhe drejtoresha e UNFPA-së, Emanuela Bello.
"Është e vërtetë që ekziston dhuna ndaj grave, por duhet të dini se ekziston edhe dhuna ndaj burrave në familje. Dhe ky është problem që ekziston dhe nuk duhet lënë pas dore, sepse flitet gjithnjë për dhunën ndaj femrave dhe nuk flitet asnjëherë për dhunën ndaj meshkujve".
Ky pohim i specialistit i ISHP-së, Engjell Mihali, ndër të vetmit meshkuj në sallën e mbushur plot me femra ka shkaktuar batuta dhe të qeshura në përfundim të konferencës që u zhvillua, pikërisht për dhunën me bazë gjinore. Në fakt, ndërsa publikohen shifra për dhunën ndaj femrave, nuk ekziston asnjë shifër për dhunën ndaj burrave, por specialistët nuk e mohojnë si dukuri në familjet shqiptare.
"Dhuna në familje është dukuri shqetësuese, ndaj të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi dhe të punojmë për reduktimin e këtij fenomeni." Kështu u shpreh zv.ambasadorja e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Noeke Ruiter, sipas së cilës, një në tre gra dhunohet në vendin tonë. Ajo çka është problematike, sipas ambasadores, fakti se personeli shëndetësor nuk e trajton këtë fenomen siç duhet.
"Ka ardhur koha që personeli shëndetësor jo vetëm të identifikojë një person të dhunuar, por edhe të njohë shenjat e dhunës në familje, të regjistrojë pacientin dhe t'i ofrojë ndihmën e duhur", - pohon Noeke Ruiter, duke shtuar se projekte të tilla për trajnimin e mjekëve për dhunën në familje duhet të vazhdojë.
Leskaj: Nuk ka buxhet për zbatimin e ligjeve të dhunës
Dhuna me bazë gjinore është një fenomen që ndodh rëndom në vendin tonë dhe për reduktimin e saj duhet të punojmë të gjithë, përfshi këtu edhe punonjësit e shëndetësisë, të cilat kanë një rol të madh në këtë drejtim.
Kështu u shpreh Valentina Leskaj, në konferencën e zhvilluar me temë "Roli i Ofruesve të Shërbimeve Shëndetësore në Trajtimin e Problemeve të Dhunës me Bazë Gjinore".
Sipas saj, është punuar shumë për të realizuar ligje të mira për dhunën me bazë gjinore dhe, në fakt, kjo është arritur, por problemi qëndron në faktin se këto ligje nuk zbatohen. Ndërkohë, Leskaj ngriti edhe problemin e buxhetit sa i takon dhunës me bazë gjinore.
"Duhet të dini se, nëse një strukturë që nuk mbështetet me buxhet, ajo nuk mund të jetë efektive. Ligjet që nuk kanë mbështetje ligjore nuk kanë impakt. Për fat të keq, nuk është parashikuar në buxhet fonte për të mbështetur këto ligje, ndaj dhe nuk mund të jenë efektive", - pohon Valentina Leskaj.
Hoxha: Asnjë poliklinikë nuk ka psikolog
Poliklinikat nuk kanë asnjë psikolog apo punonjës social për të trajtuar viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Kështu u shpreh përfaqësuesja e Qendrës për Popullsi dhe Zhvillim, Elona Hoxha, e cila thekson se pas trajnimeve të më shumë se 1 mijë mjekëve në rrethe të ndryshme doli si sugjerim që do të ishte mirë të kishte të paktën një psikolog ku të referoheshin të gjitha rastet e pacientëve që dyshohen se janë të dhunuara.
"Të ketë dy-tre ofrues shërbimesh të specializuar për diagnostikimin dhe trajtimin e probleme të dhunës, i cili do të ketë dhe lidhjet me organet kompetente në poliklinika apo spitale", - pohon Elona Hoxha, duke shtuar se duhet të afishohen në poliklinika dhe spitale numrat e telefonave të policisë apo qendrave të specializuara për rastet e dhunës.