Mjekësia, në protestë: Duam mësim
Studentët e viteve të fundit akuzojnë profesorët për neglizhencë në mësimdhënie
Kërkesat e tyre, protestuesit e mjekësisë ia paraqesin sot Ministrit të Arsimit dhe rektorit të UT-së
Është hera e dytë në pak javë që studentët e Mjekësisë sabotojnë mësimin ose më saktë atë ç'ka ata pretendojnë se ka mbetur nga orët mësimore. Studentë të këtij fakulteti kanë refuzuar të hyjnë në auditorë, duke kërkuar më shumë korrektësi nga ana e pedagogëve ose ndryshe duke iu kërkuar profesorëve që të vijojnë mësimdhënien rregullisht.
Të shqetësuar nga mungesa e formimit aktual dhe e ardhmja e tyre profesionale, studentët kërkojnë më shumë angazhim nga profesorët e në rast se kjo nuk është e mundur zëvendësimin e pedagogëve aktualë me të tjerë më të devotshëm në mësimdhënie.
Akuzat
Profesorati akuzohet nga studentët për neglizhencë totale në procesin e mësimdhënies dhe është përgjegjës vetëm për lëndët klinike të fakultetit të Mjekësisë. Lëndë që, sipas studentëve, ndikojnë direkt në formonim e tyre profesional.
Studentët fajësojnë pedagogët për diagnozat që nuk dinë të përcaktojnë apo edhe për procese me elementare në mjekësi, si kryerja e injeksioneve apo përdorimi i stetoskopit. Këto akuza vijnë jo nga studentë të vitit të parë, por nga ata që janë në prag diplomimi, studentë të vitit të katërt apo të pestë në mjekësi, të cilët thonë se në teori kanë arritur rezultate të larta, por në praktikë ende kanë shumë për të mësuar. "Unë si student i vitit të pestë ende nuk kam përdorur stetoskopin, madje, nuk di të bëj asnjë ekzaminim fizik.
Nesër do të jem mjek familje, si do t'i shërbej pacientit? - pyet Ermali, i cili shton se edhe ato pak seminare që kryhen nuk kanë vlerë për shkak se punohet vetëm me teorinë. "Studenti ngrihet si në klasë të parë ku i kërkohet të përsërisë mësimin sipas paragrafëve dhe ana profesionale mbetet zero", - thotë ai.
Ndërsa një tjetër studente thotë se kërkesa e saj është që të bëhet mësim. "Ne kemi një mësim autodidaktik, mësojmë vetëm teorikisht, ndërkohë që në praktikë nuk kemi asnjë profesor që të na shpjegojë se si mund të merremi me pacientin e se si mund të bëjmë një kartelë, apo se si mund të logjikojmë mbi një diagnozë, apo mbi një tjetër", - shpjegon a
Shkaku
Për studentët protestues, që gjatë ditës së djeshme ishin rreth 1300, shkaku i kësaj situate është dy apo në disa raste edhe trepunësimi i pedagogëve. Sipas tyre, duke qenë shumë të ngarkuar me punë jashtë fakultetit, pedagogët nuk arrijnë të realizojnë orët mësimit në mënyrë fiktive.
E për këtë arsye, studentët kanë vendosur të mos frekuentojnë më leksionet dhe seminaret derisa dekanati të reflektojë duke zbatuar rregullat e mësimdhënies, rregulla që edhe pse janë hartuar prej tyre, nuk zbatohen. Studentët kërkojnë nga pedagogët më shumë angazhim në mësime, pasi, sipas tyre, profesorët nuk japin shpjegime dhe nuk bëjnë praktikat e shkollës për shkak të angazhimeve në klinika private.
Listës së kërkesave, studentët i kanë shtuar edhe faktin se Fakulteti i Mjekësisë prej tri vitesh nuk ofron specializime për studentët që mbarojnë studimet 6-vjeçare për Mjekësi të Përgjithshme. Sot paradite, një grup studentësh do t'i dorëzojnë Ministrit të Arsimit një peticion me kërkesat e tyre. Ndërkohë që në ambientet ministrisë do të takohen edhe me rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, për t'i parashtruar kërkesat e tyre.
UT, ultimatum MASH-it: Më parë akreditimi dhe pastaj renditja
Senati i Universitetit të Tiranës i ka nisur një kërkesë me nota të prera Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nëpërmjet së cilës i kërkon që të kryejë fillimisht procesin e akreditimit të universiteteve dhe më pas atë të renditjes. Në rast të kundërt, UT kërcënon se nuk do të marrë pjesë në procesin e renditjes së institucioneve të arsimit të lartë të iniciuar nga MASH me kompanitë gjermane CHE.
Kërkesën e tij, senati i universitetit të Tiranës e ka argumentuar me faktin se procesi i renditjes së institucioneve të arsimit të lartë nuk mund të kryhet pa u bërë më parë akreditimi i këtyre institucioneve nga autoritetet kompetente dhe me një procedurë të bazuar në ligj dhe të drejtë.