Reshjet e shiut, bllokohen rrugët te “Don Bosko” dhe Medreseja
Kanë mjaftuar 20 minuta shi që zona e “Don Boskos” në Tiranë si dhe një pjesë e unazës pranë tregut të Medresesë të përmbyten. Gjatë orëve të para të paradites së djeshme, në këto dy zona ishte i pamundur kalimi i këmbësorëve, ndërkohë që niveli i ujit kishte kapërcyer edhe trotuaret. Edhe këtë herë, shkaktar për këtë situatë të përvitshme në disa zona të Tiranës është bërë bllokimi i kolektorëve shkarkues. Falë ndërhyrjes të punonjësve të Bashkisë së Tiranës dhe forcave të Zjarrfikëseve u bë i mundur zhbllokimi i situatës si për makinat ashtu dhe për këmbësoret, të cilët e kishin të pamundur të kalonin edhe në trotuar. Situata gjatë viteve të fundit, sidomos në “Don Bosko” ka qenë e njëjtë, por administrata e re e Bashkisë së Tiranës ka premtuar një zgjidhje përfundimtare dhe afatgjatë, duke ndërhyrë në kolektorë.