Dhuna ndaj KFOR/ Begaj: E papranueshme. Kosova të ketë durim e maturi

Presidenti Bajram Begaj ka dënuar dhunën ndaj trupave të KFOR në Kosovë, duke e konsideruar si të papranueshme.
Presidenti thekson se nuk ekziston asnjë pretekst i cili do të pengojë zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, ndërsa shtoi se askush nuk mund të vendosë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.
Sakaq, Begaj i bëri thirrje autoriteteve kosovare që të tregohen të duruar e të matur.
“Dënoj ashpër keqpërdorimin e popullsisë serbe të Veriut të Kosovës dhe dhunën e papranueshme ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR në Kosovë.
Asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve të hapura dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike.
Por gjithashtu, i përsëris publikisht thirrjen time vëllazërore autoriteteve kosovare për më shumë durim e maturi dhe sidomos koordinim të ngushtë me partnerët tanë”, shkruan Begaj.
Njëzet e pesë ushtarë të KFOR-it, u plagosën dje (29 maj) në përleshjet e rënda midis trupave të NATO-s dhe demonstruesve serbë në Zveçan, në veri të Kosovës.
KFOR-i kishte ndërhyrë për të shpërndarë demonstruesit serbë të cilët po demonstronin para bashkisë lokale për të protestuar kundër inaugurimit të kryetarit të ri të komunës së përkatësisë etnike shqiptare.
Ushtria përdori granata trullosëse, ndërsa demonstruesit hodhën gurë, shishe dhe objekte të tjera ndaj trupave të NATO-s.
/rtsh.al/