E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna ndaj fëmijëve, mjekët e familjes nuk dallojnë shenjat



Dhuna ndaj fëmijëve ka gjetur terren të favorshëm falë mosnjohjes së shenjave të shfaqjes nga personeli mjekësor. Për këtë arsye, Mjekët e familjes dhe mjekët që janë të punësuar në shkolla, duhet të specializohen në këtë fushë. Mjekët e familjes dhe të shkollave duhet të kenë më tepër njohuri rreth vendeve ku mund të adresohen fëmijët e dhunuar, por dhe për rastet e shenjat e dhunës, fizike apo psikologjike të ushtruara ndaj tyre.
Studimi i fundit i ISHP-së mbi vlerësimin e njohurive të mjekëve për dhunën ndaj fëmijëve, raporton se rreth 85 për qind e mjekëve të familjes nuk njohin siç duhet shenjat e dhunës ndaj fëmijëve, ndaj kanë nevojë të trajnohen. Studimi është përqendruar mbi qëndrimin që mbajnë mjekët ndaj dhunimit të fëmijëve, apo aftësisë për të dalluar simptomat psikosomatike tek një fëmijë i dhunuar, si dhe njohurive rreth përgjegjësive të tyre ndaj një fëmije të dhunuar. Nga këto, rezulton se 58 % e tyre nuk e konsiderojnë dhunë ironizimin dhe frikësimin ndaj fëmijëve. Ndërkohë, 62 % e tyre nuk e konsiderojnë dhunë mungesën e afeksionit dhe vëmendjes. Rreth 26 % e mjekëve raportojnë se nuk janë përballur me një fëmijë të dhunuar. Ndërsa, 80 % nuk i kanë raportuar këto raste dhe kjo për shkak se 64 % e tyre pohojnë se nuk është detyrë e tyre të raportojnë fëmijët e dhunuar. Një përqindje e lartë e mjekëve nuk konsiderojnë dhunë, gjuajtjen me pëllëmbë, apo shkuljen e flokëve, por edhe frikësimin apo kërcënimin për braktisje dhe heqje të drejtash të fëmijëve. Kjo mungesë njohurie mbi format e dhunës, bën që mjekët të jenë pasivë ndaj parandalimit të këtyre sjelljeve. Specialistët e ISHP-së e konsiderojnë mjaft të rëndësishëm trajnimin e mjekëve të familjes për të ndryshuar njohuritë, qëndrimet dhe sjelljet ndaj fëmijëve të dhunuar. Në studim u përfshinë 200 mjekë familjeje dhe shkollash të Tiranës (50 mjekë shkollash dhe 150 mjekë familjeje), të cilët kanë plotësuar pyetësorin përkatës gjatë periudhës shkurt-prill 2009.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›