Qendrat Shëndetësore, mungojnë numrat e telefonave për urgjencat në rrethe
Qendrat Shëndetësore në zonat e largëta të vendit nuk janë të pajisura me numra telefoni, ku qytetarët të mund të lajmërojnë mjekët në çdo kohë. Qytetarët në këto zona, përveç mungesës së shërbimit të kualifikuar, nuk mund të marrin as ndihmën e parë nga mjekët e familjes. Kjo situatë është tepër problematike, madje është bërë shkak për humbjen e jetës së disa personave. Banorët në këto zona nuk kanë mundësi të njoftojnë mjekët për të marrë ndihmën e parë apo për të kryer një vizitë të thjeshtë. Autoritetet shëndetësore janë të vetëdijshëm se mungesa e numrit telefonik në këto qendra ndërlikon situatën shëndetësore të qytetarëve. Më emergjente mbetet situata për parandalimin e gripit të derrit, ku specialistët kanë vendosur në gjendje gatishmërie për të gjithë mjekët e zonave të largëta. Mjekët duhet të vendosin nën vëzhgim të gjithë personat që shfaqen me simptoma të gripit të zakonshëm. Për këtë, specialistët e MSH-së kanë bërë thirrje që qytetarët t’u drejtohen mjekëve të familjes për të mbikëqyrur situatën. Ndërsa kanë nxjerrë të domosdoshme pajisjen me telefona fiks, ku qytetarët mund të komunikojnë problemet emergjente me mjekët. Sipas strukturave shëndetësore, reforma që po bëhet në të gjithë spitalet e vendit, parashikon pajisjen e të gjitha qendrave shëndetësore me telefona fiks dhe me kompjuter për informatizimin e të dhënave. Nga ana tjetër, në këto zona mungojnë shtyllat e telefonave, çka e bën zbatimin e reformës edhe më të vështirë dhe që kërkon një kohë të gjatë për t’u aplikuar. Ndihma aktuale e MSH-së për këto zona është se të gjitha qendrat shëndetësore që nuk kanë afër shërbim sekondar (i cili mund të ofrojë shërbimin e urgjencës) do të kenë shërbim shëndetësor 24 orë pa ndërprerje. Për të motivuar afatin e këtyre qendrave, ISKSH-ja ka përcaktuar shtesë të pagës për të gjithë personelin. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor vendosi shtesat në pagë që do të kenë punonjësit që do të shërbejnë gjatë orëve të natës. Ky shërbim, i cili është parashikuar në paketën bazë të shërbimit parësor, do të ofrohet me pagesë shtesë për personelin, duke filluar nga data 1 janar 2009.
18 Qershor 2009