E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi i Letërsisë, ngelin 1600 maturantë



Afro 1600 maturantë nuk kanë mundur ta kalojnë me sukses provimin e parë të Maturës, Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Një ditë pas shpalljes së rezultateve të provimit të Letërsisë, Agjencia Kombëtare e Pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), bën të ditur se, kalueshmëria në shkallë kombëtare për këtë provim është rreth 95 për qind. Sipas APRIAL-it, 4.5 për qind është raporti i mbetësve në provimin e parë të Maturës Shtetërore. Drejtuesit e APRIAL-it sqarojnë se sipas të dhënave paraprake të përpunimit të këtij rezultati vihet re se këtë vit ka një përmirësim të ndjeshëm të kalueshmërisë në provim. Nëse krahasojmë numrin e ngelësave vitin e shkuar që ka qenë 2500, sivjet ata janë gati një herë më pak, 1600. Por, megjithë deklaratat e dikasterit të Arsimit se këtë vit është përmirësuar cilësia e rezultateve, nga listat zyrtare vihet re një rënie e ndjeshme në notat e maturantëve, pasi në pjesën më të madhe të tyre të zë syri notat nga 5-7. Përsa i përket notave më të larta në provimin e Letërsisë, drejtori i APRIAL-it, Alfred Shalsi ka bërë të ditur se në të gjithë vendin janë marrë mbi 200 dhjeta, për të cilat maturantët kanë grumbulluar 45-50 pikë. Brenda 200 maturantëve që janë vlerësuar me notën 10, pavarësisht notës së barabartë që kanë marrë, vetëm 14 prej tyre kanë grumbulluar pothuajse plotësisht pikët maksimale 49. Krahasuar me një vit më parë, shifra e mësipërme tregon një rënie të ndjeshme të maturantëve që kanë grumbulluar pikët maksimale në provimin e Letërsisë, të cilët në Maturën 2008 kanë qenë afro 30.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›