E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Indeksi i çmimeve të prodhimit u ul me 2.1 për qind



Indeksi i çmimeve të prodhimit në vend sipas INSTAT-it, vazhdon të ulet. Sipas të dhënave, në tremujorin e parë të vitit 2009, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 108,8 për qind (Viti 2005 = 100), duke shënuar një ulje prej 2,1 për qind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2008. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit është 1,1 për qind. Sipas INSTAT-it, industria nxjerrëse shënoi një ulje prej 0,6 për qind, ku veçohet ulja e çmimeve të produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e produkteve joenergjetike” me 1,1 për qind. Ndërkohë, indeksi i çmimeve të prodhimit në aktivitetet: “Industria ushqimore dhe pijeve”, “Industria e kauçukut dhe plastikës”, “Siderurgjia”, ka shënuar ulje përkatësisht me 0,7 për qind, 3,8 për qind dhe 1,1 për qind. Gjatë kësaj periudhe, indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 108,2 për qind, duke shënuar një ulje prej 1,4 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2008. Këtu veçohen ulja e çmimeve në aktivitetet “Industria nxjerrëse” prej 0,7 për qind, “ Industria përpunuese” prej 1,0 për qind.

BE merr masa për të përballuar një krizë të re të gazit

Në bazë të një projektraporti të Komisionit Evropian, vendet e Bashkimit Evropian duhet t'i kalojnë kompetencat e tyre Komisionit Evropian për të koordinuar lëvrimin e gazit në 27 vendet anëtare të bllokut në rast të një krize të gazit. Propozimi ka për qëllim gjetjen e një përgjigje të saktë të BE ndaj ndërprerjes së furnizimit me gaz siç ndodhi në janar pas një mosmarrëveshjeje për çmimin midis Rusisë dhe vendit tranzit Ukrainës. Tensionet midis Moskës dhe Kievit janë rritur javët e fundit dhe shumë ekspertë të energjisë parashikojnë një përsëritje të krizës në muajt e ardhshëm. "Në një rast urgjent, Komisioni Evropian mund t'i kërkojë shteteve anëtare nxjerrjen e gazit nga magazinat strategjike të gazit", thuhet në projektraport. Vendet anëtare duhet të kërkojnë gjithashtu aprovimin e Komisionit Evropian për të pakësuar qarkullimin e gazit ndaj fqinjëve të tyre. "Organi kompetent nuk mund të marrë masa për të pakësuar gazin në tregjet brenda BE-së në çdo kohë, nëse kjo nuk është e autorizuar siç duhet nga ana e Komisionit Evropian," thuhet në projekt. Propozimi do t'i paraqitet shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian për miratim në javët e ardhshme.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›