E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna ndaj grave, ndër sfidat më të mëdha të shoqërisë shqiptare

TIRANE – Mbështetja e grave, jetët e të cilave janë prekur dhe shkatërruar nga dhuna në familje, angazhimi për të luftuar të gjithë së bashku për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe për më tepër angazhim për barazi gjinore, ka mbledhur sot përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe shoqërisë civile, për të shprehur vendosmërinë për të dhënë ndihmesën e tyre ndaj kësaj epidemie që kalon në disa gjenerata, duke prekur qindra gra dhe fëmijë.

Në këtë auditor është shprehur mbështetje për aktivitetin që prej 16 vjetësh ushtron linja e këshillimit të grave dhe vajzave, si dhe projektet e PNUD-it në Shqipëri edhe nga përfaqësues të Bashkimit Europian, apo dhe ekspertë të huaj të kësaj fushe.

Këta të fundit kanë tërhequr vëmendjen për vënien në zbatim të politikave të reja për barazinë gjinore, të cilat nuk mungojnë tashmë në legjislacionin shqiptar. Kjo duhet të jetë sfida më e madhe e shoqërisë civile, shoqatave joqeveritare dhe gjtihë shoqërisë shqiptare, në mënyrë që të afrojë për këtë shtresë mundësi për t’u integruar në jetë dhe për t’u larguar nga këto marrëdhënie të dhunshme.

Iris Luarasi, drejtore e linjës së këshillimit për gra dhe vajza, ka paraqitur në këtë aktivitet dhe një iniciativë konkrete në ndihmë të kësaj shtrese të dhunuar, përmes një ndihme materiale që mund të ofrohet për to, përmes fondit që do sigurohet nga shitja e sendeve të ndryshme të dhuruara nga shoqëria civile.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›