Dhuna ndaj një femre, është dhunë ndaj të gjithave
Ajo u zgjua në mëngjes duke dëshiruar fort të ishte errësirë dhe ajo të ishte e zhytur në gjumë të thellë. U ul përballë TV-së në shtëpinë e saj akull të ftohtë dhe po shihte një pjesëz të botës së jashtme, të cilën kishte kohë pa e kundruar. Me sytë që mezi e shohin lajmin, të bërë mavi nga të rrahurat e përditshme e muskujt që i dhimbnin, ndonëse e ka humbur tashmë sensin çdo të thotë dhimbje, sepse është e gjitha e mpirë...Në TV po sheh një grup vajzash dhe grash, të cilat ecin të heshtura dhe mbajnë një fashë në të cilën shkruhet: “Stop dhunës ndaj grave!”. Në krye ishte një zonjë e bukur, e krehur dhe e veshur mirë dhe mbi të gjitha me një fytyrë të pastër e të panjollë, nga ato njolla me te cilat ajo ishte mësuar tashmë në fytyrën e saj. Buzëqeshi lehtë, ndonëse ndjeu muskujt t’i dhimbnin nga kjo buzëqeshje. Një buzëqeshje ironike! E çfarë ndryshimi solli kjo e ashtuquajtura protestë për gjendjen e saj? Asnjë ndryshim. Ora po kalonte dhe tmerri i saj po afrohej. Një spot publicitar reklamonte me shkronja të mëdha të verdha: “Ku ka familje nuk ka dhunë”. Madje ajo i dinte përmendsh numrat të cilët shfaqeshin në ekran dhe disa herë kishte shkuar tek telefoni, kishte ngritur receptorin, por nuk kishte guxuar të formonte numrin e shfaqur. Çfarë e kishte penguar vallë? Po mendonte për gjithë ata faktorë që e mbanin të skllavëruar. Pyetjet “Po më pas? Çdo të ndodhë më pas? Ku do të shkoj? Si do të jetoj?” e mbanin te lidhur peng dhe të pafuqishme përballë realitetit të hidhur. Po kujtonte si nëpër mjegull momentin kur ajo ishte martuar me mblesëri nga halla e saj, me një djalë qyteti dhe të pasur. Iu duk si faktori më i rëndësishëm dhe kur e mendonte veten përballë një burri që do ta donte dhe do t’i plotësonte ato dëshira që ajo i kishte ëndërruar prej kohësh. Por ngelën thjesht dëshira të parealizuara, në ëndrrat e saj, tashmë të harruara! Kjo është historia e një prej shumë vajzave dhe grave në realitetin e sotëm shqiptar, të gjendura pranë nesh ku shpesh herë e shohim realitetin në sy dhe ndjejmë keqardhje, një keqardhje hipokrite do të thosha, për aq kohë sa ne nuk veprojmë! Nëse “ajo” nuk mund ta ngrejë receptorin e telefonit dhe të formojë numrin e shfaqur në ekran, pse të mos e bëjmë ne?! Të gjithë njohim një “ajo”...dhe nëse duam ndryshim le të fillojmë nga ne. Edhe nëse nuk e dimë historinë e “saj”, por e shohim atë të shkruar në fytyrën e saj, apo dëgjojmë fqinjët, miqtë të na tregojnë histori që janë pranë nesh. Përse të mos fillojmë? Madje qe SOT!
Vezuela Sanxhaku / studente, sociologji