E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëkatet e Kleptokracisë

Rasti Barjaba, që nisur nga pohimet e zyrtare, nuk ka shanse avokatie, të prezumimit të pafajësisë, befasisht edhe njëherë tjetër e rindezi debatin e radhës. Një debat i ashpër, në dukjen e vetë formale, i cili vetëm sa merr shkas nga ndodhia e pak ditëve më parë, në një merkato të SHBA, që sërish ka si protagonistë kryesorë, mazhorancën dhe opozitën. Aksidenti Barjaba, megjithëse po bëhet zhurmë e madhe dhe në një kuptim e panevojshme, një debat pabukës i politikës sonë, as nuk zbulua nga institucionet tona, e po kaq me këtë ngjarje absurde, ku ndëshkohet hajdutëria e vogël dhe njëherit shërben për të mbuluar që elefantët lëvizin të sigurtë, duke rrjepur prenë e tyre, as nuk marrë fund historia e denoncimeve, me zëdhënësa dhe zëmarrësa. Ajo, mbi të gjitha, qysh tani lajmëron për natyrën dhe agresivitetin e fushatës së zgjedhjeve politike të qershorit të këtij viti. Megjithatë, hollë-hollë, pavarësisht ashpërsisë dhe toneve të ngritura, precedenti Barjaba, që ngjau në Amerikë dhe ata, me hapësirat ligjore e denoncuan dhe do ta gjykojnë, në zënkat mediatike të politikës sonë, më tepër të kujton lojën e pingpongut, ku duket se Kosta është vetëm se topi radhës, sepse raketat dhe fusha zotërohet nga të tjerë. Fusha e korrupsionit dhe kleptokracisë, edhe pas këtij debati të çuditshëm, mbetet e hapur dhe e shtrirë në metastazat e pushtetit, qendror dhe vendor. Lojëtarët, e lojës politike, pushtetmbajtësit apo pushtetmarrësit, edhe këtë ngjarje absurde, më tepër e trajtuan si një rast ideal, për të nxjerrë në pah, më gjasë ndershmërinë e propagandës partiake, si më thënë për të larë e shpëlarë mëkatet në lëmin e kleptokracisë. Opozita, pra PS, me të gjitha arsenalin mediatik dhe me shpejtësi rrufe, episodin Barjaba, e pa dhe e trajtoi më tepër si një rast për të kërkuar letër të lagur, ndonëse jo shumë funksionale, për të larë duart me vetë personin dhe familjarët e tij, si dhe bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të ruajtur imazhin e vetë, që i kryer nxitimthi si proces nuk është se ta largon dyshimin e imazhit. Mazhoranca, ose qeverisja e PD, me një vrapim të lodhur në këto vite të pushtetit, sidomos në fushën e korrupsionit, më së shumti po e trajton këtë aksident si gjethe fiku, gjithsesi të çngjyrosur, për të mbuluar malin e shpërdorimit dhe të korrupsionit të pushtetit, siç pohojnë herë pas herë, përfaqësuesit e ndërkombëtarëve, si dhe denoncimet e Kontrollit të Lartë i Shtetit. Kësaj radhe, pjesë e tragjedi-komedisë, së kësaj loje të pingpongut të pastër politik, u bë edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, e cila me aktin e ngrirjes së titullit si akademik i asociuar, së paku dëshmojë se ende ekziston. Koha e çudisë së radhës, e lojës së pingpongut politik, në mes dy kampeve të politikës shqiptare, në emër të luftës kundër korrupsionit, ku peshku i madh e kapërdin të voglin, po kaq zhurma e madhe, bëhet për të mbuluar zullumet e kryera, tashmë u konsumua dhe nuk ka gjasa të vijohet. Zgjedhjet politike të radhës, kriza e thellë e besimit në mes politikanëve shqiptarë, e sidomos trokitjet e krizës ekonomike, ftojnë aktorët kryesorë të skenës politike, që të shpalosin alternativat e ndryshimit, e jo të humbasin kohën dhe energjitë e tyre në lojërat e pingpongut politik.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›