“Tensionet në Luginën e Preshevës, tërësisht të panevojshme”
Ministri i Jashtëm Edmond Panariti jep intervistë për Radio Dukagjinin, ku ndalet jo veç tek situata në Luginën e Preshevës, por edhe tek rruga e pritshme e Kosovës, drejt anëtarësimit në OKB, duke nisur nga marrja e shpejtë e statusit të vëzhguesit
Z. Ministër. Ditët e fundit janë rritur tensionet në Luginën e Preshevës dhe çdo gjë është e lidhur me përmendoren e ngritur në nderim të martirëve të rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës Medvegjës e Bujanocit. Cili është qëndrimi i diplomacisë shqiptare lidhur me këto zhvillime?
Z. Edmond Panariti: Unë jam njohur me këto zhvillime në Luginën e Preshevës dhe më lejoni të theksoj që ne i cilësojmë qëndrimet e fundit të kryeministrit Daciç si provokime të hapura ndaj popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevës. I konsiderojmë se nuk janë aspak në linjë me frymën demokratike të BE-së, janë tërësisht të panevojshme, e parë kjo dhe në kontekstin konstruktiv historik ku ndodhet sot rajoni i Ballkanit Perëndimor. Ne konsiderojmë se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtat e tyre të pamohueshme që lidhen me lirinë e shprehjes, me mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit, kulturës, gjuhës dhe vlerave të tyre kombëtare e historike, ashtu sikurse këto të drejta sanksionohen dhe nga Konventa Europiane e të drejtave të njeriut. Shprehim bindjen se ushtrimi i këtyre të drejtave nuk cënojnë aspak integritetin territorial të Serbisë. Pikërisht kërcënimi për kufizimin e këtyre të drejtave është një sinjal negativ për integrimin europian të Serbisë, ndërkohë që kushtëzimi i vazhdimit të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë me heqjen e monumentit në Preshevë, mendoj se nuk i shërben aspak klimës së fqinjësisë së mirë dhe mbarëvajtjes së paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Më lejoni t’ju kujtoj gjithashtu se forcimi i paqes dhe mirëkuptimit në Luginën e Preshevës vjen vetëm përmes rritjes së investimeve dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve të këtij rajoni dhe jo përmes shantazhit që u bëhet ndjenjave kombëtare të shqiptarëve në jugun e Serbisë. Gjatë vizitës që ministri i Jashtëm i Serbisë, z. Mrkic bëri në Shqipëri, theksova se kriter i përmirësimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë është përmirësimi i gjendjes social-ekonomike dhe integrimi i tyre sa më i mirë në institucionet e qeverisë lokale në Luginën e Preshevës. Ky është dhe pozicioni i diplomacisë dhe shtetit shqiptar lidhur me këto provokime që vijnë nga ana e Beogradit.
Z. Ministër, çka do ndodhë nëse Beogradi e largon me forcë përmendoren?
Unë mendoj që Beogradi do ketë përgjegjshmëri për të reflektuar, për të mos ndërmarrë akte të tilla ekstreme, që do provokojnë rëndë ndjenjat e shqiptarëve të Preshevës, do cenojnë të drejtat e tyre, pasi këto janë atribute të pushtetit local, vendosja e përmendoreve në kujtim të ngjarjeve historike. Shpresoj që nuk do kemi intervenim. Në rast të kundërt do ndodhemi në situata të paparashikuara.
Ka rrezik që në rast se kjo përmendore hiqet me dhunë, mund ta destabilizojë gjithë Ballkanin?
Pikërisht ky nuk është një problem vetëm mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qeverisë së Serbisë por duhet parë dhe më gjerë, si një kontribut negativ. Acarimi i situatës, krijimi i tensioneve të panevojshme në këtë rajon do kenë efekt në gjithë Ballkanin. Ju e dini se Ballkani Perëndimor ka si objektiv madhor integrimin në BE, dhe krijimi i tensioneve të panevojshme, konflikte të tilla, përpos situatave të tjera të rënduara në vendet fqinje, kam parasysh këtu Maqedoninë, nuk i kontribuojnë aspiratave të përbashkëta që vendet e këtij rajoni kanë për t’u integruar në BE.
Z. Panariti cili është kontributi i diplomacisë shqiptare në njohjet e Kosovës? A ka bërë sa duhet ministria që ju drejtoni për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës?
Objektiv i pandryshueshëm i MPJ dhe imi personal është intensifikimi në fillim të këtij viti i lobingut që do të kryejmë për njohjet e reja të Kosovës, në koordinim me qeverinë e Kosovës. Aktualisht po punojmë për rritjen e hartës së njohjeve të reja për Kosovën. Jemi fokusuar kryesisht në vendet e Lindjes së Mesme. Unë kam patur kontakte me Ministrin e Punëve të Jashtme të Tunizisë, dhe kam kërkuar që Tunizia të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës. Po punohet për arritjen sa më parë të këtij objektivi. Po punohet dhe me autoritetet e Libanit për njohjen e Kosovës. Më lejoni të kujtoj që në fund të vitit të kaluar gjatë kontakteve që pata me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton i kërkova në mënyrë të drejtpërdrejtë që të ndikonte te autoritetet e Izraelit për njohjen e shtetit të Kosovës. Pra siç e shikoni unë nuk do humbas asnjë rast të vetëm për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete që nuk e kanë bërë. Ky është objektiv i përbashkët i qeverisë Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës që në fillim të vitit të arrijmë numrin 100 të njohjeve që të vazhdojmë më pas me njohjet e reja, dhe aplikimin e Kosovës për statusin e vëzhguesit në OKB, për të synuar pastaj me arritjen e 2/3 të njohjeve në OKB dhe anëtarësimin e plotë në këtë organizatë. Nga ana tjetër, mendoj se duhet të intensifikojmë në koordinim me qeverinë e Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, si psh në Unesko, ku situata është pozitive, votat janë aty, dhe mendoj me një intensifikim të përpjekjeve do bëhet e mundur që të anëtarësohet Kosova në këtë organizëm të rëndësishëm të OKB për të vazhduar me anëtarësimin e saj dhe në organizma të tjerë. Sfidat janë të shumta, por mendoj se me një dinamizëm më të madh, me një vullnet më të madh ne do t’i realizojmë këto qëllime.
Deklaruat që Kosova fillimisht duhet të marrë status vëzhgues në OKB, mendoni që Kosova do ndjekë shembullin e Palestinës?
Kjo mbetet për t’u parë, duhet ndjekur hap pas hapi, nuk do të lëmë asnjë lloj mundësie apo oportuniteti që do na krijohet për të arritur qëllimin final që është anëtarësimi i plotë i Kosovës si anëtar më të drejta të plota në OKB. Do të ishte e mirëpritur, pse jo, si një fazë e ndërmjetme, dhe do ishte një moment historik. Por sigurisht duhet diskutuar edhe me aleatët tanë strategjikë.
Z. Panariti ju përmendet disa kërkesa direkte që u keni bërë disa shefave të diplomacisë së vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Vlerësoni që ndonjë shtet do ta njohë shpejt, këto ditë pavarësinë e Kosovës?
Oh unë jam shumë optimist se jemi në rrugë të mbarë. Rezervohem qe t’u them datën e saktë. Por ju them që po punohet shumë fort diku që të përshpejtohet njohja zyrtare e pavarësisë së Kosovës. Shoh zhvillime pozitive dhe te vendet europiane që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës po bëjnë hapa të qenësishme dhe qëndrimi i tyre i ngurtë po tregon më shumë fleksibilitet. Po përmend fqinjin tonë jugor Greqinë që tashmë ka hapur një zyrë në Athinë, për përfaqësimin e Kosovës, ka hequr pengesat për dokumentet e lëvizjes, që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirisht, dhe po ecën në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Po ashtu përparim të dukshëm po bën edhe Sllovakia. Më të ngurta po mbeten Rumania dhe Spanja, por unë jam optimist që edhe me kontaktet e vazhdueshme që ne si diplomaci e shtetit shqiptar por edhe diplomacia e shtetit Kosovës në mënyrë të koordinuar që kemi me këto vende do të bëjmë që këto vende ta rishikojnë qëndrimin e tyre jo bashkëpunues për njohjen e pavarësisë së Kosovës.