E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në Egjipt, Berisha: Ndërkombëtarët të ndalin masakrën e juntës puçiste

sali-berisha-me-facebookKryeministri Sali Berisha ka reaguar dje pasdite lidhur me zhvillimet tragjike të dy ditëve të fundit në Egjipt. “Junta ushtarake e Kajros kreu dy ditët e fundit një masakër të vërtetë ndaj protestueseve paqësor. Kjo masakër, në të cilën u ekzekutuan qindra, e ndofta mijëra protestues, dëshmon fytyrën e vërtetë të juntës puçiste që u instalua në Kajro pas përmbysjes së presidentit të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve egjiptian. Këto zhvillime tragjike dëshmojnë se bashkëpunëtoret e afërt të Mubarakut po rikthejnë me gjak dhe hekur regjimin e tyre barbar, shprehet kryeministri Berisha në një deklaratë për mediat. Shqiptarët, vijon Berisha, që kane tek egjiptianët një komb mik, ndjekin me dhimbje dhe të shokuar zhvillimet në këtë vend. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe masakrat e juntës ushtarake të Kajros ndaj popullsisë civile, qeveria shqiptare bën thirrje për një qëndrim ndërkombëtar të koordinuar të vendosur për të ndalur dorën e masakrës ndaj qytetarëve nga ushtarakët puçist që po zhysin vendin në luftë civile dhe kaos dhe për të rivendosur dialogun midis forcave politike kryesore te vendit”, thekson kryeministri Berisha.

 

MPJ: Të gjendet zgjidhja nëpërmjet dialogut

Ministria e Jashtme dënoi dhunën e autoriteteve egjiptiane ndaj protestuesve në Kajro. Përmes një deklarate për mediat, Ministria e Jashtme, thekson se po ndjek me shqetësim situatën e sigurisë në Egjipt dhe dënon përdorimin e dhunës ndaj protestuesve në Kajro, duke shkaktuar një numër të madh viktimash dhe të plagosurish. Në vijim, Ministria e Jashtme shqiptare bën apel për zgjidhjen e kësaj çështjeje nëpërmjet dialogut. MPJ u bën thirrje Qeverisë Egjiptiane dhe të gjitha palëve të shmangin përplasjet e dhunshme dhe të gjejnë gjuhën e dialogut mes tyre sa më shpejt, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›