E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në KOKSH, PS akuza Ministrisë

Tiranë (start)-Partia Socialiste ka reaguar sot, lidhur me dhunën e shfaqur në zgjedhjet për presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar (KOKSH). Sekretari Organizativ ne PS, Blendi Klosi tha sot për mediat, se ishte i skandalizuar jo vetëm me dhunën e ushtruar në procesin e votimit në zgjedhjet KOKSH, por edhe me deklaratën krejt formale të Ministrisë përkatëse në dënimin e kësaj dhune.

“Pasi e kemi ndjekur me shumë vëmendje këtë zhvillim negativ që ka skandalizuar të gjithë opinionin publik shqiptar për nga brutaliteti dhe mungesa ekstreme e kulturës demokratike, ne sot themi me plot gojën se Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sporteve jo vetëm nuk ka bërë detyrën e saj, po përkundrazi, ka marrë anën e dhunuesit Esat Ademi”-theksoi Klosi për mediat.

Klosi, theksoi se ministria përkatëse dhe policia ka mbajtur anën e dhunuesit të kutive të votimit. Për këtë arsye, në emër të PS-së, Klosi ka kërkuar që qeveria urgjentisht duhet të distancohet nga dhunuesi i zgjedhjeve të KOKSH-it dhe të garantojë lirinë e pavarësinë e Komitetit Olimpik Kombëtar, duke mos lejuar që sporti të kthehet në një fushë e minuar nga interesat politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›