Basha:Impenjim,në proçeset bashkëpunuese rajonale
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Hido Bishceviç u shpreh se Shqipëria ka vullnet për të qenë pjesëmarrëse aktive në proceset bashkëpunuese rajonale. Gjatë takimit, u diskutua lidhur me aktivitetet e RCC-së gjatë vitit 2008, sipas fushave prioritare të bashkëpunimit rajonal, si dhe u vu theksi tek objektivat e vitit 2009, si një vit shumë i rëndësishëm për mbarë rajonin e Evropës Juglindor. Po ashtu, u diskutua dhe u ra dakort për një koordininim më të frytshëm të punës, me synim rritjen e rolit të vendit tonë në këtë strukturë të rëndësishme rajonale. Ministri Basha kërkoi që Kosova të jetë pjesë e tryezave rajonale, ku diskutohen projekte konkrete për zhvillimin e rajonit. Vlerësojmë, shtoi ai se Kosova duhet të përfshihet më aktivisht në proceset integruese rajonale, sidomos në forume si RCC që ofrojnë një përqasje pragmatike dhe të orientuar drejt rezultateve në fusha prioritare të bashkëpunimit. Ministri Basha theksoi rëndësinë që kanë për Shqipërinë projektet rajonale sidomos ato për lëvizjen e lirë, energjinë, infrastrukturën e të gjitha llojeve, etj. Me këtë rast, ai paraqiti një interes të palës shqiptare për ngritjen në Shqipëri të një qendre rajonale për trajtimin e ujit me teknologji me kosto të ulët, ku integrohen edhe energjia, mbetjet, etj.