E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në Presheve, reagon Tirana zyrtare: Dyshime për paragjykime etnike

Tiranë- Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar sot për dhunën e ushtruar në Luginën e Preshevës, duke deklaruar se veprime të tilla, të bëjnë të dyshosh për paragjykime etnike.

Sipas një deklarate për shtyp, ministria ka njoftuar se po ndjek me shqetësim të thellë situatën e tensionuar në Luginën e Preshevës, pas arrestimeve të kryera më 26 dhjetor 2008.

“Përdorimi disproporcional i forcës, dhuna policore ndaj disa prej të ndaluarve, të cilët e kanë denoncuar atë, presioni fizik dhe psikologjik i ushtruar ndaj familjarëve të tyre, përfshirë këtu gra, fëmijë dhe pleq, bastisjet e objekteve, prania e shumëfishtë ushtarake në zonat e banuara nga shqiptarët, koha kur u krye ky operacion, të bëjnë të dyshosh se veprime të tilla kanë prapavijë dhe paragjykime etnike”, - theksohet në deklaratë.

Ministria jonë dënuar dhunën e ushtruar duke shtuar se vlerëson se transparenca e plotë e të gjithë akteve dhe veprimeve të autoriteteve të Beogradit në lidhje më këtë ngjarje është tejet e rëndësishme.

Duke shprehur bindjen se tensionime të tilla ndëretnike nuk janë në interes të zhvillimeve pozitive në rajonin tonë, Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë apel organizatave ndërkombëtare të monitorojnë nga afër situatën e të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›