Qeveria, 2 miliardë lekë për ish të përndjekurit
Tiranë- Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme listën me emrat e 1100 të përndjekurve politikë, të cilët do të dëmshpërblehen me një vlerë totale prej 2 miliardë lekësh, shumë që do të fillojë të shpërndahet ditët e para të janarit 2009.
Kryeministri Sali Berisha e ka quajtur këtë vendim, si shumën më të madhe që është disbursuar ndonjëherë për ish të përndjekurit politikë. Ai i ka bërë apel edhe pjesës tjetër të ish të përndjekurve që "të plotësojnë dokumentacionin, në mënyrë që të mund të përfitojnë sa më shpejt nga fondet që qeveria ka përcaktuar dhe do të përcaktojë për dëmshpërblimin e tyre".
Këto 2 miliardë lekë i përkasin këtij viti, ka sqaruar Berisha, duke shtuar se "ligji i parlamentit përcakton se qeveria do të japë 10 %nga të gjitha privatizimet për të përndjekurit dhe pronarët".
Sipas kreut të qeverisë, kompensimi monetar do të fillojë gjatë dy javëve të para të muajit janar. Përveç kompensimit monetar Berisha ka deklaruar se iu ka kërkuar të gjitha bashkive dhe komunave dhe i kërkoj edhe Ministrisë së Brendshme që në bashkëpunim të ngushtë të përcaktojnë të gjitha pronat publike, që mund të përdoren për kompensimin e pronarëve. Miratimi i këtij vendimi vjen pas kritikave të shumta që opozita i ka bërë qeverisë, për mos dhënien e asnjë qindarke për këtë kategori, ndërkohë që ka folur pafundësisht në emër të saj, por pa e dëmshpërblyer.