E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama letër presidentit: Falni Feride Bakon

Tiranë- Kryetari i PS-së, Edi Rama i ka nisur një letër presidentit të vendit, Bamir Topi ku i kërkon amnistri për 75-vjeçaren, Feride Bako që vuan dënimin për kultivim hashashi në burgun e grave në Tiranë. Letra e tij, vjen dy ditë pas deklaratës për nismë ligjore për këtë kategori grash të moshuara që vuajnë dënimin dhe pak ditë pas vizitës që ai bëri në këtë burg.

Në letrën e tij Rama ka theksuar se e moshuara përmbush kriteret që bota e qytetëruar njeh për faljen.

“E gjithë Shqipëria, madje e gjithë bota shqipfolëse, ka ndjekur përmes medias historinë tronditëse të Feride Bakos, gruas 75-vjecare që mbahet në burgun 325 në Tiranë për kultivim bimësh narkotike. Pasi ka humbur djalin emigrant e në ndërkohë edhe të shoqin, ajo ka mbetur e vetmja mbështetje për dy nipërit e saj ende fëmijë të cilët mbijetojnë vetëm, në një kasolle pa asnjë kusht për t'u quajtur shtëpi”- thuhet në letrën e kreut të socialistëve. Sipas tij, cdo ditë që kalon është një aventure e paparashikueshme për ata dy fëmijë, ndërkohë që gjyshja e kycyur në burg është shëmbëlltyra e pafajshme e varfërisë skajnore, që ka shtyrë përtej kufijve të ligjit atë vetë edhe të tjera gjyshe apo nëna të shkreta, të cilat janë privuar nga liria në kulmin një lufte dëshpëruese për të rritur fëmijët e tyre në mungesë të plotë të cdo mundësie e mbështetjeje që do t’ua kishte kursyer këtë episod sa të pashmangshëm ligjërisht, aq poshtërues moralisht. Jo vetëm për ato vetë po për të gjithë shoqërinë.

“Unë do të bëj gjithshka mundem për të nxitur e gjetur mirëkuptimin e palëve në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrë që ky grusht fajtoresh pa faj të trajtohet me një ligj, që i hap rrugë konsiderimit, rast pas rasti, të mundësisë së kthimit të tyre pranë fëmijëve të mbetur rrugëve pa asnjë mbështetje e pikë referimi”- thotë Rama.

Ai ka kërkuar nga Topi, “me dorë në zemër”, që me autoritetin që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë të dekretoni faljen e shtetases 75-vjeçares dhe të mundësojë kësisoj ribashkimin e asaj cope familje shqiptare që ka mbetur e ndarë mes një kasolleje fshati ku cdo ditë gdhihen dy fëmijë të vetmuar dhe një dhome të burgut 325, ku cdo ditë ngryset një gjyshe e mbetur vetëm.

“Me bindjen absolute se kjo kërkesë ka miratimin e të gjithë gjyshërve e prindërve të këtij vendi po edhe e të gjithë fëmijëve të tyre, dhe me shpresën e madhe se Ju nuk do të ngurroni ta merrni atë parasysh, më lejoni Zoti President t’Ju uroj një Vit të Ri sa më të mbarë”- përfundon letra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›