E Shtunë, 31 Tetor 2026

Materniteti nderon mjekët dhe mamitë pensioniste

Tiranë- Drejtoria e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” ka nderuar sot mjekët dhe mamitë pensioniste, të cilat me punën e tyre përgjatë shumë viteve, kanë qenë në shërbim të nënës dhe fëmijës në këtë spital. Në ceremoninë e veçantë me motivacionin "Mirënjohje për shërbim të vyer ndaj nënës dhe fëmijës", të organizuar në mjediset e Hotel Tirana International, u dorëzuan certifikata për 22 mjekë dhe 65 mami dhe personel të mesëm pensionistë. "Për punën e tyre të palodhur në shërbimin ‘Nëna dhe Fëmija’ ndjejmë detyrim moral që në këtë takim brezash të gëzojmë bashkërisht, të trokasim gotat, me ata të cilët janë shpëtimtarë për shumë nëna dhe fëmijë, duke i dhuruar atyre vetëm gëzim në familjet e tyre", u shpreh në fjalën e tij drejtori i spitalit, Halim Kosova. Sipas tij, "për mjekët më të rinj ata mbeten një brez shembullor, njerëz të sakrificës, nga të cilët u mësuan të fshehtat e profesionit, u mësuan gjithashtu si të përballohen situata të vështira edhe në çastet më kritike, kur jeta dhe vdekja ishin aq pranë njëra tjetrës". Në këtë ceremoni mirënjohjeje, doktor Kosova përmendi ata që, sipas tij, ngritën me shumë sakrifica shërbimin ndaj nënës dhe fëmijës në vendin tonë, duke punuar me humanizëm dhe profesionalizëm, si Dr. Basha, Prof. Gliozheni, Dr. Konçita, Dr. Bekteshi, Dr. Kosturi, Dr. Theohari, Dr. Sulejmani, por dhe pranë tyre Lajde Mirdita, Lona Toptani, Bardha e shumë e shumë të tjera.Spitali Obstetrik Gjinekologjik "Mbretëresha Gerladinë" në Tiranë, i krijuar që në vitin 1936 dhe i njohur në atë kohë me emrin "Nëna dhe fëmija", ofron shërbimet gjinekologji, obstetrikë, patologji, neonatologji (pediatri), si dhe laboratorë. Në të kryhen me mijëra analiza të ndryshme, qoftë të hospitalizuar, qoftë dhe ambulatore, nga më të thjeshtat deri tek ato hormonalë. (atsh)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›