E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna ne Siri. Edhe Rusia kunder Bashar al Asad

Edhe Rusia i ka kthyer krahët presidentit sirian, Bashar Al Assad, vendi i të cilit është përfshirë prej muajsh nga protesta antiqeveritare që vazhdojnë të shtypen dhunshëm nga autoritetet. Pasi refuzoi miratimin e rezolutës për vendosjen e sanksioneve ndaj Sirisë në Kombet e Bashkuara, presidenti rus, Dimitri Medvedev i është kthyer kundër autoriteteve të Damaskut.

Ai apeloi liderin e këtij vendi të realizojë reformat e premtuara prej kohësh ose përndryshe të largohet nga pushteti. Gjithsesi, Medvedev ka mbrojtur pozicionin e vendit të tij, duke shtuar se vendimi duhet marrë nga populli sirian dhe lidershipi i vendit dhe jo nga NATO apo sic u shpreh ai, nga disa vende europiane. Presidenti rus Medevedev është cituar të ketë thënë kështu nga disa agjenci ruse të lajmeve.

Ky ndryshim qëndrimi vjen pasi Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj rezolutës së propozuar nga disa vende perëndimore me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Bëhet fjalë për vetëm disa ditë më parë, një lëvizje që u cilësua ofenduese nga ana e Washingtonit, ndërsa analistët thanë se ishte një goditje e fortë ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen siriane.

Presidenti Al Asad nuk ngurroi të përdorë sërish armët kundër protestuesve ndërsa ka ndërhyrë me forca të armatosura në Rastan, qendër e rezistencës.

OKB dy ditë më parë njoftoi se numri i të vrarëve nga dhuna qeveritare në Siri ka shkuar në 2900 persona, që nga marsi dhe shprehu druajtjen se vendi mund t’i hyjë rrugës së luftës civile sikundër ndodhi në Libi.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›