Dhuna në Siri, MJ: Mbështesim kauzën e popullit
TIRANE- Ministria e Punëve të Jashtme, duke vleresuar se regjimi në fuqi në Siri nuk ka vullnetin që ti përmbahet marrëveshjes së arritur me të Dërguarin e Posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan ka denuar me force ngjarjet e dhunshme ndodhur se fundi.
Ne nje deklarate per mediat, ministria ben me dije se ndjek me shqetësim të thellë situatën e rëndë në shumë qytete e fshatra të Sirisë, veçanërisht në qytetin e Houlas, ku u vranë mbi 90 persona, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme ishin fëmijë.
“Këto ngjarje janë një dëshmi e qartë se regjimi në fuqi në Siri nuk ka vullnetin që ti përmbahet marrëveshjes së arritur me të Dërguarin e Posaçëm të Kombeve të Bashkuara, z. Kofi Annan, dhe angazhimeve të marra përpara opinionit publik ndërkombëtar për ndalimin e veprimeve luftarake kundër popullsisë civile, tërheqjen e ushtrisë, si dhe lejimin e pranisë të vëzhguesve të OKB-së në terren”- thuhet ne deklarate.
Ministria e Punëve të Jashtme solidarizohet me kauzën e drejtë të popullit sirian, mbështet me forcë përpjekjet e ndërmarra nga përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian për ndalimin e dhunës, si dhe mbështet qëndrimin e Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në dënimin e ashpër që i bëri masakrës së kryer në qytetin e Houlas.