PD: Skafo-republika s’do lejohet të kthehet, deputetët e PS të lidhur me interesat e mafies

Partia Demokratike përshëndet operacionet e forcave policisë në Shqipëri dhe Itali, që vunë në pranga 32 anëtarë të një bande të madhe të trafikut të drogës
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi u shpreh dje gjatë një deklarate për shtyp, se arrestimet e një dite më parë në Shqipëri dhe Itali, të një bande të trafikut të drogës, tregojnë qartë se heqja e moratoriumit të skafeve do ta rikthejë Shqipërinë në skafo-republikë. Duke marrë shkas nga nisma e një grupi deputetësh socialistë, të cilët insistojnë për heqjen e barrierës ligjore që pengon qarkullimin e mjeteve lundruese (skafe), në bregdetin shqiptar, zëdhënësja e selisë blu tha se ligjvënësit socialistë mbrojnë interesat e mafies së trafiqeve të drogës me të cilët ndajnë fitime. “Dje forcat e rendit në Shqipëri dhe Itali vendosën para ligjit rreth 32 anëtarë shqiptarë dhe italianë të një bande të madhe dhe tejet të rrezikshme të mafies së trafikut të drogës, si dhe konfiskoi skafin dhe mjete të tjera të organizatës së tyre të krimit të organizuar. Partia Demokratike përshëndet këtë operacion të përbashkët të suksesshëm të forcave të rendit dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit të dy vendeve tona, si dëshmi tjetër e bashkëpunimit të shkëlqyer që ekziston midis tyre. Partia Demokratike me këtë rast informon shqiptarët se skafo-deputet në Parlamentin shqiptar me porosi dhe në interesa direkte të Mafies së trafiqeve të drogës me të cilën ndajnë me sa duket fitimet, kanë marrë nismën për të anuluar moratoriumin e ndalimit të skafeve”, u shpreh Bardhi. Ajo deklaroi gjithashtu se, “Partia Demokratike denoncon këtë nismë të skafo-deputetëve që duan të shndërrojnë Shqipërinë në skafo-republikë vetëm e vetëm për pasurimin e tyre me paratë e drogës dhe trafiqeve të tjera kriminale dhe që kërcënon interesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Europë”.
Moratoriumi i skafeve zhduku trafikun ilegal në Adriatik
Ligji që ndalon lundrimin e mjeteve motorike, u miratua në prill të vitit 2006, me një vendim të posaçëm qeverie, që synonte parandalimin dhe bllokimin e trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, nëpërmjet mjeteve lundruese. Pas 6 vitesh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, rezultatet janë të prekshme. Është kufizuar në maksimum trafiku ilegal nëpërmjet Adriatikut si dhe konstatohet një angazhim serioz i institucioneve dhe strukturave shtetërore, në zhdukjen e trafiqeve përgjatë Adriatikut. Ligji për “Shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese” i votuar me 3 prill 2006, ndaloi kategorikisht që për tre vjet në ujërat shqiptare të lundrojnë mjete me motor. Në dhjetor të vitit 2009, Qeveria miratoi një tjetër ligj që zgjaste edhe për 3 vite të tjera moratoriumin e skafeve. Kryeministri Sali Berisha e cilësoi atëherë luftën kundër trafiqeve ilegale si prioritetin e qeverisë, në përgatitje të udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Duke i konsideruar mjetet lundruese si industri e mafias, kreu i qeverisë ka theksuar se zgjatja e moratoriumit ecën në kuadër të luftës kundër mafias. “Këto mjete të vogla e të shpejta lundrimi nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me turizmin, por janë tërësisht industri e mafies dhe trafiqeve. Ne zgjasim edhe me 3 vjet të tjera afatin e moratoriumit dhe vazhdimisht do ta bëjmë këtë sa të jemi në pushtet”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit “ky moratorium ka pasur efekte jashtëzakonisht pozitive dhe gjatë këtyre 4 viteve nuk kemi numëruar më viktima në Otranto apo në ujërat e tjera të vendit”. Ndërkohë, nga ana tjetër është vënë re një fenomen i çuditshëm duke filluar nga kryetari i opozitës Edi Rama i cili e cilësoi nismën e qeverisë si absurde dhe deri te deputetët e grupit parlamentar socialist, të cilët kanë depozituar në Kuvend nisma të njëpasnjëshme, për shfuqizimin e moratoriumit që parandalon mjetet motorike në det. Edhe pse i pakuptimtë si qëndrim, duket qartë se socialistëve iu janë cenuar ekuilibrat përmes ligjit që parandalon trafikun në det, sikurse s’po ia dalin të argëtohen jashtë çdo norme dhe etike ligjore, siç bënin para 2005-ës dhe kur trafiku i qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, e kishte renditur Shqipërinë në krye të “listës së zezë” të Bashkimit Evropian.
...