Dhuna në familje, tre mbrojtje brenda një dite
DURRËS – Dhuna në familjet durrsake ka marrë përmasa tejet shqetësuese. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar tri kërkesa për mbrojtje. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Durrës pohojnë se dy ditë më parë janë bërë plotësimet e kërkesave për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për shtetaset: R. K., 32 vjeçe, lindur e banuese në Lagjen Nr. 12 në Durrës, pasi ka kallëzuar bashkëshortin e saj, M. K., 36 vjeç, për ushtrim dhune fizike dhe psikologjike; F. Zh., 49 vjeçe, lindur e banuese në Lagjen Nr. 15. Ajo ka kallëzuar në polici djalin e saj, F. Zh., 21 vjeç, pasi ka ushtruar ndaj saj dhunë psikologjike, duke e sharë e ofenduar në mënyrë sistematike. Denoncimi i tretë është bërë nga çifti H. K. dhe Sh. K., banues në Lagjen Nr. 12, të cilët janë të moshuar dhe pretendojnë se janë dhunuar në mënyrë sistematike duke u rrahur e kërcënuar nga djali i tyre M. K., 36 vjeç. Zëdhënësja e Policisë sqaron se për të tria rastet materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor për procedura të mëtejshme.
Dëmshpërblimi çon në protesta banorët e zonave të përmbytura
SHKODËR - Dëmshpërblimi nga ana e qeverisë për përmbytjet e muajve janar dhe shkurt në zonën e Nën-Shkodrës ka çuar në protesta banorët vendas. Gjatë ditës së djeshme fshatarët e zonës Ana e Malit kanë dalë në rrugë duke protestuar kundër shumës që ka vendosur Këshilli i Ministrave për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. “Jemi të pakënaqur pasi dëmet kanë qenë shumë herë më të mëdha se vlera që na u caktua nga qeveria”, - tha një prej banorëve protestues. Dhjetëra banorë protestuan para zyrave të Bashkisë dhe Prefekturës. Ata kanë zhvilluar një takim me prefektin e Shkodrës, duke i përsëritur kërkesat për dëmshpërblimin e duhur.
Përmbytjet e muajve të parë të këtij fillim viti shkaktuan dëme të mëdha në zonat e Nën-Shkodrës. Nga hapja e portave të shkarkimit të hidrocentraleve për shkak të tejmbushjes së liqeneve nga reshjet e shiut, u përmbytën rreth 11 400 hektarë tokë dhe 2500 shtëpi.
24 Mars 2010